20150302Hotpot1 |
Pavarësisht se gjithnjë e më shumë të rinjtë po i largohen traditës, panairet e tempujve mbeten një nga ngjarjet e rëndësishme dhe të pëlqyera nga të gjithë gjatë Festivalit të Pranverës në Kinë.
Zhu Changdui, punon në Postën Kombëtare të Kinës dhe e ka origjinën nga Ankang, i provincës Shannxi.
Ai kujton se ka lexuar rreth festimit të Festës së Pranverës në Pekin dhe i kujtohet se si të rinjtë dhe veçanërisht fëmijët e veshur me xhaketa të kuqe pambuku dilnin nga shtëpitë në lagjet e vjetra, që njihen me emrin hutong dhe shkonin në panairet e tempujve, për të pare shfaqjet e bukura me dragonj që kërcejnë, arte marciale si dhe për të shijuar ëmbëlsira tradicionale të festës së vitit të ri kinez.
"Vitet e fundit Festa e Pranverës ka ndryshuar nga koha e fëmijërisë sime, ndoshta për shkak të zhvillimit të shpejtë shoqëror, " thotë 28 vjeçari, i cili shton se shumë të afërm të tij argëtohen pa masë kur luajnë gjatë ditëve të festës lojën tradicionale kineze "mahjong".
Kryeqyteti i Kinës, Pekini e ka ruajtur traditën e panaireve të tempujve, por disa janë përshtatur me jetën e re.
Ky ishte viti i pare i ri që Zhu e kaloi në Pekin Festën e Pranverës, që kur është vendosur të jetojë këtu para 4 vjetësh. Ai kishte shumë dëshirë të përjetonte atmosferën festive të Pekinit por kryesisht traditën. Mjaft përshtypje i kanë bërë këtij të riu nga provinca panairet e tempujve në Pekin gjatë vitit të ri kinez.
Miaohui-Panairi i tempullit
Panairet e tempujve, të njohur në kinezisht me emrin "miaohui", datojnë që nga lashtësia, kur fermerët me rastin e vitit të ri bënin të ashtuquajturat sakrifica në tempujt e fshatrave të tyre. Ata ekspozonin të mirat bujqësore apo blegtorale. Por më pas kjo traditë u përhap dhe në tregjet e qyteteve kineze, ku përveç tregtimit të prodhimeve të ndryshme artizanale ka dhe shfaqje artistike për të shtuar atmosferën e festës më të madhe të kinezëve, Festës së Pranverës, siç njihet viti i ri kinez.
Panairet e tempujve janë zhvilluar kryesisht gjatë sundimit të dinastive Ming dhe Qing në periudhën (1368-1911), por kjo traditë u ndërpre pas vitit 1949.
Panairi i pare i tempullit në vend pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje u zhvillua në vitin 1985, në Tempullin e Tokës të njohur si (Ditan Park) në Pekin. Një festë karnavalesh u zhvillua në parkun e këtij tempulli, por edhe në parkun tjetër të madh pekinas Tiantan, në Tempullin e Qiellit, duke u kultivuar tradita e lashtë dhe duke u evokuar zakonet e periudhës së sundimit perandorak.
Viti 2015 shënon dhe Javën e 11-të Kulturore në Parkun Tiantan (Tempulli i Qielli) në Pekin. Nga data 19 -23 qershor në parkun madhështor të Tempullit të Qiellit u zhvilluan shfaqje me kostume të epokës perandorake, aktorë të veshur si perandorë, ushtarë, zyrtarë por dhe shumë kërcimtarë me veshje popullore si dhe grupe muzikore që interpretuan live për publikun që i ndoqi ato.
Pekini tashmë është kthyer në shtëpinë e dytë për shumë të huaj që punojnë dhe jetojnë këtu. Pikërisht në Parkun Shijingshan Amusement Park, organizatorët zhvilluan një panair Tempulli sipas "stilit të huaj" , ku janë përfshirë elemente të traditës kineze të ndërthurura me ato perëndimore. Panairi u organizua i ngjashëm me paradat e karnavaleve në vendet perëndimore si dhe krahas shfaqjeve të shumta të pranishmit ndoqën shjfaqjet në një kinema 4 dimensionale. Në shfaqjet e ndjekura me interes nga publiku i moshave të ndryshme i kryeqytetit në parkun Shijingshan kishte valle gazmore japoneze, valle koreane me daulle, kërcim latin, këngë ruse, shfaqje të animuara për fëmijët.
Festa e Pranverës është mjaft argëtuese dhe e pëlqyer për fëmijët anembanë Kinës. Prindërit i veshin fëmijët e tyre me rroba të reja dhe duke mbajtur lodra të ndryshme në duar, ata vizitojnë panairet e tempujve ku shohin nga afër traditën e letrave në forma të ndryshme, të fishekzjarreve, koncertet për fëmijë dhe shumë veprimtari të tjera, pa harruar ushqimet tradicionale që tregtohen me këtë rast.
Festimet e shumta gjatë javës së Festës së pranverës për të qenë sa më të suksesshme dhe pa problem janë mbështetur nga autoritetet vendore, duke monitoruar trafikun, ambjentet e mbipopulluara festive, metronë dhe kudo ku festohet në natyrë.
Me rastin e vitit të ri kinez shumë vizitorë nga qytete të tjera të vendit kanë ardhur të festojnë në Pekin ndaj dhe menaxhimi i ambjenteve publike është realizuar me kujdes nga autoritetet vendore dhe ato të ruajtjes së rendit publik. Wang Yanyong, drejtor i zhvillimit të turizmit dhe planifikimit pranë Universitetit Jiaotong të Pekinit thekson se panairet e tempujve mbeten një nga elementet e pëlqyer për shumë kinezë, gjatë Festës së Pranverës. "Tematika e panaireve të tempujve ndryshon nga viti në vit por gjithësesi argëtimi nuk mungon asnjëherë," thekson Wang.
Panairet e tempujve janë një traditë e lashtë por e ruajtur deri në ditët tona në Kinë, ashtu si tradita e ushqimit karakteristik "dumpling" apo i njohur si ravioli kinez që shtrohet në tryezën e vitit të ri në çdo familje kineze. (Eda Merepeza, Foto: China Daily)