20150209kineze |
Në Kinën e sotme, të rinjtë kanë më shumë shanse për realizimin e ëndrrave të tyre. Ata bëjnë zgjedhje sipas dëshirës për të provuar vlerat e tyre në shoqëri.
Li Yang dhe kurset për fëmijë
Li Yang u diplomua për të drejtën ndërkombëtare në një universitet të njohur dhe më pas u u punësua në një kompani të madhe ndërkombëtare, për të vijuar më pas karrierën në Fondin Botëror për Natyrën(WWFN). Po të mos ndodhte ndryshimi në jetën e saj, me siguri do të kalonte ditën në zyrat e godinës së lartë të Qendrës Tregtare të Pekinit, ose atje ku organizohen mbledhje të ndryshme ndërkombëtare.
Por tani, ajo jeton në një fshat të provincës Yun'nan të Kinës jugperëndimore, ku është përqëndruar pakica kombëtare Jingpo. Në kurset e organizatës jofitimprurëse "Rongshugen (Rrënjët e Pemës së Fikut Banian)", ajo dhe bashkëshorti holandez Anton Lustig u mësojnë fëmijëve lexim, vizatim, vallëzim, lojëra sportive etj.
Para 3 vjetësh, pasi shiti apartamentin në Pekin, Li Yang e paketoi "të shkuarën " në 37 kuti të mëdha, për ti dërguar në fshatin Yingpan, të rajonit autonom të pakicës kombëtare Jingpo, në një qoshe të largët pyjore në jugperëndim të vendit.
"Zhvendosja këtu është zgjedhja ime dhe e tim shoqi. Kurse krijimi i grupeve mësimdhënëse Rong'shu'gen ndodhi për shkak të shqetësimit tonë për jetën e banorëve të këtushëm ", tha Li Yang.
Në fshatrat malorë të pakicës kombëtare Jingpo ka një peizazh mahnitës, ku jetojnë fëmijë shumë të dashur. Ata janë me dhunti gjuhësore e artistike, por vuajnë mungesat e një realiteti në varfëri, madje dhe të drogës. Për shkak se fshatrat e këtij rajoni ndodhen shumë afër Trekëndshit të Artë, një nga zonat e prekura rëndë nga mbjellja dhe kontrabanda e drogës në botë, një pjesë e konsiderueshme e banorëve janë përdorues të drogës. Ndër 200 nxënës të Li Yang-ut, 1/4 e fëmijëve janë jetimë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën si pasojë e drogës.
"Arsyeja e drogimitështë ndryshimi shumë i shpejtë i mjedisit jetësor. Të rinjtë vendës kanë shkuar për një jetë më të mirë në metropole. Por ata, të joshur nga jeta në qytete vetëm nga telenovelat, pasi dështuan dhe u zhgënjyen nga realiteti, nuk i rezistuan dot joshjes së drogës. Viktima të kësaj gjendje janë fëmijët e pafajshëm", shprehet Li Yang.
Prandaj ajo së bashku me të shoqin krijuan organizatën jofitimprurëse "Rongshugen", "Rrënjët e Pemës së Fikut Banian", një frut karakteristik i zonës. Qëllimi i këtij çifti është që përmes kurseve të kulturës kombëtare, artit dhe gjuhëve kineze dhe angleze, fëmijët të rikrijojnë vetëbesim, të fitojnë aftësinë e gjykimit të pavarur, duke shfrytëzuar krijimtarinë për të gjetur në të ardhmen vlerën e vërtetë të jetës .
[foto nga http://weibo.com/proproots#_rnd1424064690157]
Song Fei, nënë pastiçere
Pas tingullit të furrës elektrike, një tabaka me biskota është gati. Në ëmbëltoren "Mami'mami'hong", puna nis çdo mëngjes në orën 5:50, sepse pas orës 9.00 vijnë njeri pas tjetrit klientët e vegjël, por nuk mungojnë as përdoruesit e internetit me porositë e tyre në website. Askush nuk e kishte menduar se kjo ëmbëltore e hapur 4 muaj më parë nga pronarja pastiçiere Song Fei, një shtëpiake nënë e një vajze 4 vjeçare, do të kishte kaq sukses.
"Megjithëse isha e kënaqur me jetën time, duke u kujdesur për familjen, ndjeja trishtim nga ndarja me shoqërinë ", thotë Song Fei, kur e pyesin për arsyen e nisjes së biznesit. Vajza e saj, që i do shumë ëmbëlsirat ishte shkaku i hapjes së ëmbëltores së Song Fei-së. Pas një bisede para katër muajsh me të bijën, ajo u bind të ndryshonte jetën e saj . "I thashë se njeriu duhet të ketë guxim të realizojë ëndrrat. Kur vajza më pyeti çfarë ëndërroj vendosa të ndryshoj", thotë Song, duke qeshur.
Shumë shpejt, ajo mori me qira një dyqan, bleu pajisje, lëndë të para,madje bëri dhe regjistrimin në website. Pas përpjekjeve të shumta, brenda 3 muajsh, ëmbëltorja pret gjithnjë e më shumë klientë. Në të kaluarën për të plotësuar kërkesën e së bijës, ajo kishte mësuar më parë përgatitjen e ëmbëlsirave. Prandaj, lidhur me biznesin Song Feit i erdhi ndërmend menjëherë një ëmbëltore për fëmijët. Sipas saj, të vegjëlve u pëlqejnë ëmbëlsirat, por nëse ata mund të marrin pjesë në gatimin e tyre së bashku me prindërit, kjo do ta bënte më të gëzueshëm këtë proces. Ëmbëltorja e zonjës Song nuk është vetëm një vend ku shiten ëmbëlsira të ndryshme, por një platformë ku prindërit mund të ndajnë kohën e çmuar me fëmijët e tyre.
Tani çdo fundjavë, shumë prindër vijnë me fëmijët te Song Fei. Nën drejtimin dhe udhëzimin e saj, ata përgatisin kek. Që nga përgatitja e brumit, rrahja e vezëve apo shtimi i sheqerit, përgatitja e kremit, vendosja dhe nxjerrja nga furra e kekut, fëmijët dhe prindërit mund të kalojnë një kohë të këndëshme dhe të mësojnë një mjeshtëri të re.
Kang Weiçi, mollëshitës në internet
"Sikur jam në ëndërr dhe mezi e besoj se çfarë kam arritur !". Kështu shprehet Kang Weiçi për suksesin e tij në shitjen e mollëve në internet. Brenda një viti, ky djalë i ri 23 vjeçar ka shitur miliona kilogramë mollë nëpërmjet dyqanit të tij kibernetik në Taobao, platforma më e madhe për bizneset private në Kinë.
Kang Weiçi e ka vendlindje Xin'he, një fshat i vogël në qytetin Long'nan të provincës Gan'su të Kinës veriperëndimore. Në sajë të kushteve ideale gjeografike dhe klimatike, mollët e këtushme janë shumë cilësore. Mirëpo, kjo nuk dihej nga të gjithë për shkak të largësisë së madhe të këtij fshati .
"Në vitin 2012, pasi mbarova shërbimin ushtarak në qytetin Quanzhou të provincës Fujian(në zonën bregdetare në lindje të Kinës), punova atje për një kohë të shkurtër në dërgesat e postës së shpejtë. Tregtia aq e zhvilluar në internet më la shumë mbresa. Prandaj, pas kthimit në vendlindje në fund të vitit 2013, i thashë babait se duhet të shisnim mollët tona në internet", thotë Kang. Në fillim, i ati, i cili merret me biznesin e frutave nuk i kushtoi vemendje idesë së të birit. Por ai ndryshoi thellësisht mendim më vonë.
Më 26 mars të vitit 2014, Kang Weiçi hapi dyqanin e tij në Taobao. Në fund të gushtit u krye porosia e parë dhe që nga tetori, stina e korrjes së mollëve, vëllimi i tregtar u rrit në mënyrë të vrullshme. Kur i ati, i mësuar të shesë mallra për konsumatorët, lexoi 4 milionë juanë(645 mijë$) vlerë shitje në llogarinë bankare të dyqanit online të Kang Weiçi-së admiroi për herë të parë këtë gjetje të të birit.
"Në krishtlindjet e kaluara, çdo ditë kreva mbi 2000 porosi, duke shitur mbi 10 mijë kilogramë mollë në ditë. Tani, përveç Hong Kong-ut, Makao-s dhe Tajvanit, kam klientë në çdo provincë të vendit ", shprehet krenar Kang Weiçi.