20150216Hotpot02 |
Pas mbërritjes në Antarktidë, kinezja Liang Hong veshi fustanin e bardhë të nusërisë ndërsa e kishin rrethuar pinguinët dhe pozoi me të shoqin Zhang Xinyu. Ata janë I pari çift që ka pozuar me kostume dasme në kontinentin e ftohtë. Kjo ndodhi në vitin 2014, kur çifti sapo kishte përfunduar maratonën në disa nga vendet më të rralla të botës. Synimi i tyre nuk ishte të vizitonin Parisin, Milanon apo Nju Jorkun, as ishujt Maldive, apo Bora Bora siç veprojnë zakonisht turistët e etur për të pare "botë me sy".
Ky çift kinez ka vizituar vende që askujt nuk do ti binte ndërmend ta bënte e aq më pak të shpenzonte për të arritur në këto destinacione.
Udhëtimi i tyre ka tërhequr vemendjen e medieve ndërkombëtare, veçanërisht kur u publikuan fotot e tyre në Antarktidën e ngrirë. Interesante ishte kur Zhang e befasoi të shoqen kur i tregoi urimet që kishin shprehur për çiftin liderë të huaj. Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte shkruar disa vargje të cilat kinezja Liang ende i shpreh me kënaqësi: "Eksperienca na bën të kuptojmë se dashuri nuk do të thotë të shohim në sytë e njeri tjetrit, por të shohim në të njejtin drejtim."
Zhang, 38 vjeçar dhe e shoqja Liang, 36 vjeçare me udhëtimet e tyre përqark botës kanë treguar një eksperiencë unike jo vetëm për kinezët por për të gjithë. Një ndër udhëtimet e tyre është ai në Somali , për të vijuar më pas me vizitën në qytetin fantazëm të rrezatimeve Çernobil në Ukrainë, apo në vendin më të ftohtë të botës Oymyakon, në hemisferën veriore, për të shijuar pamjet e mrekullueshme të llavës së vullkanit Marum, një nga vullkanet më aktivë të botës.
Vitin e kaluar çifti realizoi 18,000- milje detare me jaht duke lundruar rreth Oqeanit Paqësor deri poshtë në Antarktidë, përpara se ti drejtoheshin brigjeve të Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut. Ky udhëtim u shoqërua me çaste vërtet të rrezikëshme lidhur me ndryshimet klimatike oqeanike, por asgjë nuk e ndali udhëtimin e tyre.
Destinacioni i ardhshëm i çiftit aventurier kinez në muajt e ardhshëm do të jetë Lindja e Mesme.
Endrra për udhëtime
Me siguri kush mëson për udhëtimet e këtij çifti kinez natyrshëm pyet sa të pasur janë ata, pasi udhëtimet kushtojnë. Të dy bashkëshortët i përkasin familjeve të punëtorëve të sektorit të naftës në Pekin. Ata nisën punën si shitës dhe krijuan biznesin e tyre. Sa më shumë përparonte biznesi aq më shumë ata blinin shtëpi dhe makina, sigurisht duke dale për udhëtime turistike jashtë vendit.
Zhang tregon se në atë periudhë i vetmi qëllim i jetës së tij ishte të fitonte sa më shumë para. Kjo ëndërr ndryshoi në maj të vitit 2008 kur një tërmet i fuqishëm prej 8 ballësh goditi provincën Sichuan në jugperëndim të Kinës, duke shkaktuar 80 mijë viktima.
Atëkohë Zhang dha ndihmesën e tij si vullnetar në zonën e prekur nga tërmeti dhe pa nga afër shumë tragjedi familjare,ndaj mendoi se jeta është e brishtë dhe ai kishte humbur shumë kohë të pavlerë.
"Shpresoj ti jap një kuptim jetës sime. Dua të ndjek zemrën dhe të bëj diçka ndryshe," thotë Zhang.
Drejt botës së madhe
Pasi kishte parë filmin "Black Hawk Down", Zhang menjëherë mendoi se një vend interesant për tu vizituar ishte Somalia. Ndërsa Çernobilin e zgjodhi thjesht nga kureshtia se si ishte ky qytet i braktisur, por edhe për të mposhtur disi frikën e tij nga rrezatimet.
Udhëtimi me anije drejt Antarktidës ishte një ësndërr e madhe e Zhang i cili donte që martesa e tij të bëhej pikërisht në këtë vend, ku askush nuk kishte celebruar një martesë. I janë dashur 5 vjet këtij çifti për të nisur aventurën e udhëtimeve. Si fillim Zhang mësou të notonte, të zhytej lundronte me një anije, të përdorte mjete të ndryshme ndër të cilat dhe një helicopter. Atij i pëlqejnë shumë jahtet dhe për këtë ka marrë pjesë në shumë ekspozita të tyre anembanë botës. Zhang ka shpenzuar 6 muaj në bibliotekë duke studjuar oqeanet, klimën dhe mbijetesën në këto vende.
Për të blerë pajisje të avancuara për ekspeditpën e tij Zhang i ka kërkuar leje Departamentit amerikan të shtetit. Ndonëse miratimi i lejes zgjati në kohë Zhang nuk e humbi besimin. Për të vizituar shpellën Mayan, një nga trashëgimitë botërore, Zhan iu drejtua disa niveleve të qeverisë meksikane deri sa mori miratimin .
Kur nisi udhëtimet e tij si Guliveri, prindërit e Zhangut nuk ishin dakord me të birin. Por ai nuk u pengua nga mospëlqimi i prindërve, duke ndjekur ëndrrën e tij.
Në shumë takime gjatë udhëtimeve çifti kinez nuk i ka shpëtuar stereotipit se "janë kinezë të pasur me para në dorë" . Janë keqkuptuar në disa raste siç ishte ai i një kapiteni australian anijeje, i cili kishte vënë bast se çifti kinez nuk do të arrinte në Antarktidë.
Por edhe shumë kinezë e kanë paragjykuar udhëtimin e çiftit në ngushticën Bering, madje një ekspert i marinës kineze pati thënë se ata do të mund të rrezikonin jetën nga ky udhëtim.
Asnjë lloj pengese nuk e ka ndalur çiftin të hyjë në historinë e udhëtimeve të famshme botërore. Në 2012, ata ishin çifti i pare kinez që ngriti një kamping në Rrethin Arktik ku temperature është - 71.2 gradë Celsius; Zhang Xinyu është kinezi i pare që ka eksploruar vullkanin Marum. Në vitin 2014, ata u bënë çifti i pare që u martua në Antarktidë.
Udhëtimi i tyre ka patur dhe vështirësi komunikimi pasi çifti flet pak anglisht, ndaj në shumicën e rasteve kanë përdorur gjestet. Ata shpesh kanë marrë si guida në udhëtimet e tyre vendësit, siç ishte rasti i indigjenëve në vullkanin Marum. Kudo ku ka udhëtuar çifti ka respektuar traditat e vendësve. Udhëtimet e çiftit kinez kanë zgjatur 3 vjet dhe ata janë hasur edhe me vështirësi të shumta.
Në udhëtimin drejt vullkanit Marum shiu acid shkatërroi pajisjet e tyre të komunikimit. Ndërsa në 2013 anija me të cilën udhëtonin u përfshi nga një stuhi e fuqishme detare. Shpesh Liang të cilën e zinte deti ka vuajtur gjatë udhëtimit por ajo asnjëherë nuk i ka kërkuar të shoqit ta ndërprisnin atë. Kurrë asnjeri nga bashkëshortët nuk ka menduar të udhëtojë i vetëm dhe kështu ata kanë patur fatin të ndajnë së bashku emocionet e udhëtimeve të jashtëzakonshme. (Eda Merepeza)