PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina, një mrekulli turistike
2015-01-19 10:39:58 CRI Komenti juaj Printoni

Festivali i Akullit dhe Dëborës Nadam

Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme ishte mikpritës i Festivalit të Akullit dhe Dëborës, që startoi më 23 dhjetor në Rrafshnaltën Hulun Buir. Panairi i Nadamit, tashmë tradicional për këtë rajon të Kinës sjell veprimtari të larmishme për vendësit por dhe turistët e shumtë. Ata kanë rast të ndjekin lojra tradicionale, ceremoninë e madhe të hapjes së veprimtarisë, festivalin e skive, maratonën e dëborës dhe plot argëtime të tjera dimërore.


foto nga Jin Yu/Xinhua

Një nga sportet më tradicionale të rajonit Nadam është gara e kuajve të rracës mongole, të njohur për shpejtësinë dhe rezistencën e tyre ndaj motit të ftohtë. Por Panairi ofron për pjesëmarrësit dhe veprimtari artistike, si koncerte me këngë dhe valle folklorike të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendëshme, gara sportive dhe ekspozita arti.

Përfaqësuesi i Zyrës së Turizmit të këtij Rajoni thotë se në periudhën e dimrit dhe pranverës shumë turistë nga vendi por edhe të huaj vizitojnë këtë zone. Por kulmin sezoni e arrin me Festivalin Nadam dhe organizimin e Panairit, ku turistët ndjekin nga afër sporte argëtuese tradicionale dhe jetën nomade të banorëve.


foto nga Xinhua

 

Çdo sezon dimëror Rrafshnalta Hulun Buir mbulohet nga dëbora dhe ofron argëtim pafund. Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme me organizimin e përvitshëm të festivaleve me karakter artistik, kulturor dhe sportiv promovon vlerat natyrore, kulturore por dhe turistike të zonës.

Sanya –Parajsa tropikale e Kinës

Sanya është një parajsë tropikale e Kinës, që shtrihet në skajin më jugor të provincës Hainan. Me një vijë bregdetare prej 209 km ky qytet ofron shumë mundësi për zhvillimin e turizmit. Sanya është një qendër e rëndësishme e tregtisë me vende të tjera, ndaj shpesh quhet "Porta jugore e Kinës".

Sanya shquhet për zhvillimin e vrullshëm të turizmit dhe resorteve malore, detare, lumore por dhe në brendësi të qytetit.

Një verë e nxehtë dhe tre stinë të tjera të ngrohta e bëjnë këtë qytet tepër të preferuar për turistët vendës dhe të huaj. I gjithë qyteti shtrihet buzë detit dhe të ofron një eksperiencë unike të klimës dhe jetesës në një vend tropikal oqeanik, të pakrahasuar me qytete të tjera të Kinës. Turistët që vijnë këtu për pushime më së shumti zgjedhin stacione si Sanya Bay, Dadonghai dhe Asian Dragon Bay . Ajri i ngrohtë, flladi i detit dhe ajri i pastër e bëjnë Sanyan të admirueshme për çdo vizitor. Për ata që i kanë pasion sportet ujore, ishulli Wuzhizhou është i famshëm për sfidat dhe misterin që u dhuron turistëve.

Kultura kineze e përfaqësuar nga mbi 20 grupe etnike ndër të cilat Han, Li, Miao, Hui është një tjetër vlerë e turizmit në Sanya. Në çdo periudhë të vitit ky rajon turistik i Kinës është plot vizitorë. Ndërsa në veri të vendit temperaturat shënojnë minus gradë, Sanya me ngrohtësinë dhe thesaret e saj bëhet e parezistueshme për turistët në çdo kohë.

Pushime dimërore në çatinë e botës

"Vizito Tibetin në dimër dhe shijo rrezet e diellit", ky ishte titulli i një takimi promovues organizuar në fund të vitit në Pekin, kushtuar turizmit në këtë rajon autonom. Tibeti si një nga stacionet më të vizituara turistike të Kinës tashmë frekuentohet edhe gjatë dimrit. Autoritetet lokale synojnë që kjo trevë e pasur kulturore të jetë në itinerarin turistik në çdo stinë të vitit. Qendrat më të njohura turistike të Tibetit si Pallati Potala janë të hapura për vizitorët në çdo stinë.


foto nga TongLage/CRI

Madje për nxitjen e turizmit dimëror në Tibet çmimi i biletave në këtë destinacion ka ulje, po kështu edhe çmimet e hoteleve apo mjetet e tjera të transportit. Gjatë dimrit, kur festohet dhe Viti i ri tibetian turistët kanë rast të ndjekin nga afër festime të shumta tradicionale, por dhe kulturore dhe artistike.

Tibeti njihet si "Çatia e botës" ose "Toka e Hënës" dhe gjithnjë e më shumë po tërheq turistë gjatë dimrit. Nuk duhet harruar se zhiva në termometër gjatë stinës së dimrit në Tibet shkon shumë nën zero. Ndonëse për shumë turistë Lhasa gjatë dimrit është shumë e ftohtë, disa prej tyre zgjedhin ta vizitojnë pikërisht në këtë stinë, kur panorama e saj është mahnitëse. Nën petkun e bardhë të dëborës në Lhasa nuk përballesh me fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve që e vizitojnë gjatë verës, apo stinëve të tjera të vitit. Një vizitë në Pallatin Potala dhe ngjitja në majë të Tibetit të vjetër u shfaq vizitorëve qiellin më të kthjellët dhe më të bukur, që kanë parë ndonjëherë. Madje nga kjo lartësi të duket se e prek me dorë atë.


foto nga TongLage/CRI

Janë qindra tempuj për tu vizituar në Tibet dhe disa prej tyre pjesë e trashëgimisë botërore shpallur nga UNESCO.

Në zemër të Lhasës së vjetër ndodhet Tempulli Jokhang, një ndër më të rëndësishmit në Tibet. Të ecësh përreth tempullit në të ashtuquajturin Rrethi Bharkor është një eksperiencë e rrallë që e provojnë të gjithë pelegrinët budistë, por edhe turistët. Gjatë ecjes ke rast të blesh suvenire të ofruara nga tregtarët e zonës. Udhëtimi turistik në Rajonin Autonom të Tibetit ofron dhe eskursione në Manastirin Ganden ku njihesh me fshatin tibetian, si dhe në liqenin e magjishëm Yamdrok, në një distance prej dy orësh nga Lhasa.

Gjatë udhëtimit në sezonin dimëror në Tibet, pasi njihesh nga afër me historinë, kulturën, traditën, peizazhet e këtij rajoni të veçantë nuk mund të largohesh, pa ndonjë suvenir. Shitësit në tregjet e Lhasës por edhe në vende të tjera turistike ofrojnë sixhade dhe qilimë tibetianë, piktura në tangka. Me një suvenir të tillë do të ruani në kujtesë këtë udhëtim të magjishëm.


foto nga TongLage/CRI

(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China