20150105Hotpot52 |
Zhang Jixuan, është një djalë 4 vjeçar nga Pekini të cilin e ëma Wang Feng në muajin mars të vitit të kaluar e regjistroi në një kopësht amerikan në Pasadena, të shtetit të Kalifornisë. Qëllimi i nënës së vogëlushit ishte që djali i saj të mësonte gjuhën angleze të cilën kishte nisur ta studjonte që në Pekin, por duke qenë në kopësht me fëmijë amerikanë me siguri do ta përmirësonte. Zonja Wang preferonte të niste edukimi i djalit të saj që në moshë parashkollore, ndaj me një vizë turistike amerikane 6 mujore ajo nisi këtë aventurë të shkurtër me qëllim edukimin e djalit të saj në SHBA. Për kopshtin Montessori ajo pagoi 1100 dollarë në muaj.
Para se të nisej në SHBA zonja Wang duke qenë e preokupuar se i biri Zhang do të niste së shpejti shkollën fillore, kishte nisur të kërkonte një kopësht të mire për të në Pekin. Pas disa kërkimesh ajo arriti në përfundimin se kopshtet private në Pekin janë shumë të shtrenjtë dhe ajo kishte dyshime për aftësinë edukuese të tyre.
Ajo tregon se kishte gjetur një kopësht në Pekin me çmim mujor 5,000 yuan ( ose 812.98 dollarë), por shumë të njohur nuk kishin përshtypje të mira për kualifikimin e edukatoreve. Ndaj duke krahasuar këto çmime me ato të kopshteve amerikane, zonja Wang vendosi të ndërmerrte këtë nismë për të kryer një periudhë 6 mujore eksperimentale me të birin 4 vjeçar në Kaliforni.
Statistikat
Zonja Wang është një nga prindërit e shumtë në Kinë të cilët synojnë apo kanë realizuar arsimimin e fëmijëve jashtë vendit. Në vitin 2013, numri i fëmijëve kinezë që kanë frekuentuar kopshtet, apo arsimin parashkollor dhe fillor jashtë vendit është sa 1/4 e numrit prej 413,900 studentësh kinezë jashtë vendit, bën të ditur Akademia e Shkencave Sociale të Kinës.
Mendimi i ekspertëve
Feng Zengjun, professor pranë Universitetit Sun Yat-Sen është i mendimit se metoda e mësimdhënies në kopshte, arsimin parashkollor apo fillor në Kinë ka disa mangësi, ndaj e mirëkupton rendjen e prindërve me mundësi ekonomike, për të arsimuar jashtë vendit fëmijët e tyre. Sipas profesorit Feng sistemi arsimor perëndimor në kopshte e zhvillon mësimin me fëmijët në formën e një loje. Por sipas tij, fëmijët ndërsa luajnë mësojnë shumë gjëra të panjohura dhe u lihet hapësirë për të marrë vendime vetë apo për të krijuar. Kjo sipas tij bën diferencën midis metodës arsimore të Kinës në nivelin parashkollor dhe asaj të vendeve perëndimore.
Ndërkohë Chen Zhilin, psikolog i në arsimimin e fëmijëve dhe çeshtje familjare thotë se rendja e prindërve kinezë drejt kopshteve apo shkollave të huaja është e gabuar në formimin e fëmijëve. Sipas tij fëmijët ndjekin verbërisht dëshirën e prindërve, pa u pyetur nëse u pëlqen të përballen me këtë përvojë të re dhe të rëndësishme të jetës së tyre. Ai shton se prindërit duhet të vlerësojnë anët pozitive dhe avantazhet që ka për fëmijët e tyre shkollimi në vendlindje.
Por nëse i referohemi vendimit të zonjës Wang për ta shkolluar për 6 muaj në SHBA djalin e saj 4 vjeçar, shumë prindër kanë kritika për të. Disa prej tyre janë të mendimit se nuk ka kuptim që fëmija të kalojë një përvojë të tillë të shkurtër mësimore dhe pastaj të ndjekë mësimet në atdhe. Madje disa prindër janë të mendimit se për një fëmijë është e vështirë të komunikojë në një ambjent të huaj dhe në një gjuhë të huaj sado mire ai ta njohë atë gjuhë. Të tjerë mendojnë se fëmija kur kthehet përsëri në Kinë për të vazhduar studimet në një shkollë vendëse do të përballet me një tjetër problem të përshtatjes.
Gjithsesi vogëlushi 4 vjeçar Zhang kaloi një përvojë të re në një kopësht amerikan, duke plotësuar një synim të nënës së tij. Por kjo përvojë e shkurtër jete nuk mund të ndikojë në edukimin e tij, pasi është ende i vogël. Këshilla e psikologëve, specialistëve të arsimit për prindërit është që të mos i trajtojnë fëmijët si pronë e tyre, duke eksperimentuar me ta çdo ide që u lind. Edhe pse në moshë të vogël fëmijët duhen pyetur nëse dëshirojnë apo e përballojnë dot atë eksperiencë të re jete që u propozon prindi. Kështu fëmija do të mësohet me respektimin e mendimit, të pavarësisë dhe tolerancës. Këto mësime atij ja edukojnë prindërit dhe kur rritet i reflekton në shoqëri, pjesë e së cilës jemi të gjithë. (Eda Merepeza)