20150105Hotpot51 |
Makao është zgjedhur nga agjencia prestigjioze e vlerësimeve turistike Lonely Planet si një nga 10 destinacionet turistike botërore për vitin 2015. Në guidën e kësaj agjencie theksohet se turizmi në Makao sjell për vizitorët tempuj budistë kinezë, trashëgimi të kulturës kineze, portugeze, kuzhinë kineze, portugeze por të ndërthurur me gatimet europiane, afrikane apo indiane. Numri i turistëve që kanë vizituar Makaon në vitin 2013 nga pjesa kontinentale e Kinës arrin në 18 milion, krahasuar me 1.6 milion që ishte në vitin 1999, duke përbërë 60% të numrit të përgjithshëm të turistëve në këtë vend.
Të njohim Makaon
Rajoni i posaçëm administrativ i Makaos është pjesë e Kinës, që ndodhet në brigjet juglindore të saj dhe në perëndim të shtratit të lumit Perla. I kufizuar nga provinca Guangdong Makao ndodhet 60km nga Hong Kongu dhe 145km nga qyteti i Guangzhout.
Në territorin e Makaos prej 30.3 km katrorë përfshihet Gadishulli i Makaos, Taipa dhe ishujt Coloane. Gadishulli i Makaos lidhet me ishullin Taipa nëpërmjet 3 urave. Në këtë zone ndodhen shumë hotele dhe resorte ndërkombëtare me një infrastrukturë që përfshin distriktin Cotai.
Makao ndodhet 60 km në juglindje të Hong-Kongut dhe 145 km distancë nga Kantoni. Vija bregdetare e saj është 41 km , por ka vetëm 310 metra kufi tokësor me Guangdong-un
Fillimisht gadishulli i Makaos ishte një ishull, por shtresa e rërës që e rrethonte, gradualisht u shndërrua në një ngushticë. Punimet kulluese të kryera në shekullin e 17-të e transformuan Makaon në një gadishull . Pika më e lartë e tij është Lartësia e Kolonës prej 170,6 metrash. Me një shtrirje urbane Makao nuk ka fusha, kullota apo pyje.
Historia
Kolonizatorët portugezë mbërritën në Makao në mesin e shekullit 16-të. Ndikime të këtij kolonizimi ruhen edne në arkitekturën e qytetit, në art, fe, tradita, gatim ndonëse në ditët tona në Makao sheh një harmoni të integrimit të traditës kineze me atë perëndimore dhe portugeze. Makao u rikthye si Rajon i posaçëm administrative i Republikës Popullore të Kinës më 20 dhjetor të vitit 1999 që administrohet sipas parimit "Një vend, dy sisteme ". Në vitin 2005 qendra historike e Makaos u përfshi në Listën e Trashëgimisë botërore kulturore të UNESCO-s. Makao është një qendër e rëndësishme botërore e turizmit.
Popullsia
Makao është rajoni me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë, prej 20.497 banorë pët km katrorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2013.
Popullsia e Makaos përbëhet nga 631 mijë banorë. Gjatë 20 viteve të fundit popullsia është rritur 4 %. Sipas rezultateve të censusit të vitit 2011 rezulton se 92.3 % e popullsisë e përbëjnë kinezët, 2.7% filipinasit dhe 0.9 % portugezët. Gjuhët zyrtare të Makaos janë kinezishtja dhe gjuha portugeze, pavarësisht se 94% e popullsisë flet kinezisht kurse 0.7% e saj portugalisht por dhe anglisht e gjuhë të tjera.
Klima
Makao është një territor me klimë subtrobikale kufizuar nga kontinenti aziatik në veri dhe ujrat tropikale në jug. Makao ka një temperature mesatare vjetore prej 22.6ºC. Muaji më i ftohtë është janari ku temperature minimale arrin në 15.1ºC. Makao preket shpesh gjatë vitit nga tajfunët sezoni i të cilëve nis në maj dhe përfundon në tetor, por kulmin e shënon gjatë muajve korrik dhe gusht.
Turizmi është një nga bizneset më fitimprurëse të këtij rajoni, por aty turistët nga e gjithë bota tërhiqen nga çdo element. Mund të kujtojnë këtu jo vetëm klimën e favorshme gjatë gjithë stinëve të vitit, por dhe monumentet e shumta kulturore dhe historike që pasqyrojnë diversitetin kulturor, tempujt, bukuritë natyrore të këtij rajoni të Kinës. Çdo turist dëshiron të shijojë gatime karakteristike në vendet që viziton. E pra në Makao ato janë të shumëllojshme dhe gjenden kudo. Banorët vendës janë shumë të dashur dhe komunikues me turistët. Një e veçantë e Makaos janë lojrat e fatit, për të gjithë ata që janë të pasionuar për to. Një udhëtim në Makao është një eksperiencë e vetme në jetën e çdo njeriu, ndaj shënojeni këtë destinacion në listën tuaj të udhëtimeve të rralla. (Eda Merepeza, Foto: Xinhua)