PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Jeta shtegtare e të moshuarve
2014-12-22 16:00:53 CRI Komenti juaj Printoni

Me rritjen e pandërprerë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të nivelit të jetesës së popullit, mënyrat e jetës së banorëve kinezë po ndryshojnë vazhdimisht. Tani, kalimi i muajve të dimrit në jug të vendit, ku është ngrohtë është kthyer në modë për shumë të moshuar kinezë. Njerëzit i quajnë ata "të moshuarit shtegtarë" sepse kur vjen dimri i ftohtë, zhvendosen në Hai'nanin tropikal në jug si zogj shtegtarë.

Kur bie muzgu, oborri i lagjes Uen'quan'gjia'juan(Vatra e Burimit të Ujit të Ngrohtë) në distriktin Lëdong të provincës Hai'nan fillon të mbushet me njerëz. Çdo natë, mbi 10 grupe artistike të krijuara nga të moshuarit shtegtarë këndojnë, vallëzojnë dhe kalojnë bukur mbrëmjen. 60-të 70-të vjeçarët që këndojnë dhe vallëzojnë ofrojnë një atmosferë vërtet të gëzuar dhe të këndshme për çdo spektator.

"Më pëlqen shumë të krijoj një kor me moshatarët e mi, sepse më pëlqejnë këngët në kor. Kur këndoj, sikur më largohen të gjitha shqetësimet, gjë që më ndihmon të jetoj më gjatë. Nuk them se njeriu jeton gjatë nëse këndon, por veprimtaritë artistike mund ta ndihmojnë të rigjallërohet, të mbushet me energji shpirtërore. Me përpjekjet e mia, anëtarët e korit janë aktivë dhe madje optimistë ndaj jetës", thotë 69 vjeçari Liu Zhongqun.

Ai vjen nga Changchun, kryeqendra e provincës Ji'lin të Kinës Verilindore ku temperatura më e ulët në dimër mund të shkojë deri në -36.50C. Kurse në Hai'nan temperatura më e ulët ende është mbi 18 gradë C. Kjo është hera e katërt që ai largohet nga qyteti i tij i ftohtë drejt jugut të vendit. Që kur ishte i vogël, z. Liu e pëlqente shumë muzikën. Ai mund të interpretojë në vegla të ndryshme muzikore dhe ka njohuri të pasura profesionale. Bazuar në praktikën e tij disavjeçare ai mund të drejtojë korin si dirigjent për një koncert. Pasionet e së kaluarës po ndryshojnë jetën e shumë pensionistëve.

Mblidhemi këtu çdo mbrëmje për të shijuar interpretimin e korit të z. Liu. Ai është njeri i mirë dhe na ofron shfaqje të bukura.

Përkushtimi i Liu Zhongqun-it për korin amator nuk ndahet nga mbështetja për fëmijën e tij. Pasi prindërit dolën në pension, vajza e tyre që punon në Institutin e Materialeve Aeronautike i nxiti ti kushtonin më shumë kohë lumturisë së jetës ndaj u bleu prindërve një apartament në lagjen Uen'quan'gjia'juan në Hai'nan.

Z. Zhou Chunguang nga qyteti Shen'yang i Kinës verilindore sapo ka mbushur të 60-at. Është hera e parë që kalon dimrin në Hai'nan. Në krahasim me motin e ftohtë në Shenyang ku temepratura në dimër shkon deri në -20 gradë, mjedisi natyror në Hainan vlerësohet shumë nga ai.

"Është ngrohtë këtu dhe ajri është shumë i pastër. Lagjia jonë është dekoruar bukur dhe ka mjaft gjelbërim. Përveç këtyre, më pëlqen edhe ritmi vendës i jetës. Në lagjen tonë, shumica e banorëve janë pensionistë. Për ne, ritmi i ngadaltë i jetës na krijon qetësi. Kështu, me mjedis të bukur, ajër të pastër, mot të butë dhe ritëm të ngadaltë të jetës, shëndeti ynë është përmirësuar në dukshëm. Sidomos ata që vuajnë nga bronkiti dhe artriti, pas qëndrimit për disa muaj këtu, nuk I ndjejnë më shqetësimet", tha z. Zhou Chunguang.

Siç tha z. Zhou, klima e butë mund të ndikojë në simptomat e reumatizmit, të artritit reumatizmal, të bronkitit, të sëmundjeve kardiovaskulare etj. Si z. Zhou, 85 vjeçarja Zhu Jie që vjen nga Shen'yang tregon se para disa vjetësh vuante nga nekroza e kockës së kurrizit dhe mezi hidhte hapat. Mjekët i këshilluan rregjim shtrati dhe sa më pak lëvizje. Por, ajo nuk donte të kalonte jetën në krevat apo karrige me rrota. Para dy vjetësh, zonja Zhu u zhvendos në Hai'nan. Me disa ushtrime fizike, mjekimet e duhura dhe klimën e butë ajo po shërohet dalëngadalë.

"Në vitin 2012 kur erdha këtu, mora me vete dy paterica. Por tani, mund të eci pa asnjë ndihmë. Madje para dy ditësh shkova për turizëm në mal dhe kam ecur rreth dy orë", tha krenare znj. Zhu.

Para daljes në pension, ajo ishte mësuese e Shkollës së Mesme nr. 27 të qytetit Shenyang. Nisja e jetës së saj "shtegtare" ka të bëjë me bashkëshortin, i cili kishte shërbyer në ushtri në Hai'nan dhe kishte ruajtur kujtime mjaft të bukura për këtë zonë. Pasi dolën në pension, ajo e shoqëroi të shoqin disa herë për të vizituar vendin ku kaloi rininë. Gjatë këtyre vizitave edhe znj. Zhu "u dashurua" me Hai'nanin.

Por, arsyeja që e bëri të marrë vendimin përfundimtar për tu zhvendosur këtu është amaneti i bashkëshortit para largimit nga jeta në vitin 2012.

"Ai më tha 'e dashur grua këtë herë nuk mund të të shoqëroj në Hai'nan. Shko vetë në dimër dhe kthehu në verë. Jemi të moshuar, ndaj mos kurse shumë, por gëzoje jetën. Prandaj nisa jetën shtegtare", tha znj. Zhou.

Vitet e fundit, po shtohen gjithnjë e më shumë të moshuarit shtegtarë që kalojnë dimrin në Hai'nan. Sipas të dhënave statistikore, numri i të moshuarve mund të kalojë 450 mijë. Por, klima nuk është e vetmja arësye që tërheq aq shumë banorë pensionistë. Kushtet e leverdishme të jetës luajnë një rol të rëndësishëm. Kushtet e pushimit janë në qendër të vemendjes së autoriteteve të provincës Hai'nan, e cila investon shumë dhe harton politika për përsosjen e pajisjeve të duhura. Për shembull, për banorët e lagjes Uen'quan'gjia'juan, rrugët janë të shtruara mire dhe ata mund të qarkullojnë me autobus, taksi madje edhe me biçikleta. Në zonën e banimit ka palestra, pishinë, fusha të badmintonit, të tenisit etj.

Pas punës prej dhjetëra vjetësh, pensionistët dëshirojnë një jetë të qetë, por edhe me aktivitete shoqërore. Shumë lagje si Uen'quan'gjia'juan në Hai'nan po ndërtohen, duke u ofruar të moshuarve një jetë të këndëshme.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China