20141215hotpot |
Të hash vetëm
Edie Zhang është një 26 vjeçare kineze, beqare, me pamje tërheqëse e cila 3 herë në javë shkon në restorant dhe ha vetëm. Zhang punon në një agjenci arti dhe produksioni dhe thotë se shpesh ndjen sikur "zemra e saj është lodhur" ndaj preferon të mos kthehet pas pune në shtëpi. "Nuk dua të flas dhe as të rri me njeri, në disa raste", thotë e reja kineze.
Në shumicën e rasteve në mbrëmje ajo del vonë nga zyra, kur shumica e restoranteve janë mbyllur. Ajo vendos se ku do të darkojë dhe shpesh preferon një vend të qetë ku shërbehet alkool. Ajo nuk e ka problem nëse dikush e sheh me kureshti dhe ndoshta mendon se si ka mundësi që një vajzë e re, e bukur ha vetëm. Por Zhang fokusohet vetëm tek ushqimi, madje ajo tregon se ka raste kur shkëmben ndonjë fjalë me baristin e lokalit.
Të ngrënët në grup gjithmonë ka përbërë një pike kyçe të kulturës kineze, si pjesë e etikës shoqërore. Ndaj të qëndrosh vetëm në tavolinë duke ngrënë nuk shihet me sy të mirë. Por vitet e fundit, si pasojë e urbanizimit shumë qytetarë kryesisht të moshave të reja, jetojnë vetëm dhe detyrimisht hanë vetëm. Për të rinjtë porositja e një porcioni ushqimi dhe më pas konsumimi i tij vetëm nuk përbën asnjë problem.
Media dhe ndikimi i saj
Zhang ashtu si dhe të tjerë të rinj kinezë është fanse e një spektakli japonez mjaft popullor edhe në Kinë, një serial televiziv me titull "Kodoku no Gourmet", ku protagonist është një biznesmen i vetmuar i cili shëtit nëpër të gjithë Japoninë dhe provon gatimet karakteristike.
Një tjetër serial, me titullin "yirenshi" (njeri që ha vetëm) që tregonte një person që hante vetëm u bë mjaft popullor në Kinë në vitin 2012, madje në uebsajtin e njohur youku.com gjysmë milioni kinezë shkarkonin seritë e tij. Në këto seri që zgjatnin 3 minuta paraqitej një burrë dhe një grua kineze, që nuk e kishin profesion gatimin, por ata gatuanin bazuar në receta të shpikura prej tyre dhe preferonin të hanin vetëm.
Producenti i këtij spektakli Cai Yani ka thënë për mediat se serialet televizivë nuk i kushtoheshin aq recetave të gatimit, se sa kulturës së re të të ngrënit vetëm. Këtë kulturë të re ai e cilëson si "mënyrë jetese e personave të vetmuar". Sipas tij shumë njerëz ndoshta mendojnë "do të porosis ushqim me telefon, ose përgatisin shpejt e shpejt noodles. Por seriali televiziv ka për qëllim të përcjellë mesazhin se edhe një person i vetëm mund të hajë mjaft mire, pa asnjë problem.
Ndërsa protagonistja e rubrikës sonë Zhang thotë se i adhuron njerëzit që gatuajnë për vete edhe pse jetojnë vetëm, pasi kështu i kushtojnë rëndësi cilësisë së jetës së tyre.
Kultura botërore e të ngrënit vetëm
Në Amsterdam të Hollandës ndodhet një restorant me emrin "Eenmaal", që ka tërhequr vemendjen e mediave pasi është i pari në botë që ka praktikuar të ngrënit e personave vetëm. Në rrjetet sociale kineze restoranti hollandez konsiderohet si i pari në botë për kulturën e të ngrënit vetëm. Qysh pas hapjes së tij në vitin 2013 restoranti me tavolina vetëm për një person, ka tërhequr vemendjen edhe të mediave ndërkombëtare si një vend mjaft i këndshëm për të qëndruar vetëm. Krijuesja e restorantit, Marina Van Goor, ka thënë për revistën "New Weekly" se ky ambjent shërben si një eksperiment për ata persona që nuk dalin kurrë vetëm darkave, por i zakonshëm për ata që janë mësuar të hanë vetëm. Ajo shpreson që restoranti të mos konsiderohet si vendi i të trishtuarve dhe të shihet negativisht nga publiku. Sipas Marinës, ndikimi i botës virtuale te njerëzit e moshave dhe profesioneve të ndryshme i mban ata gjithë kohës në kontakt me të tjerët, ndaj frekuentimi i këtij restoranti u jep atyre mundësinë të shkëputen nga të tjerët dhe të gëzojnë qëndrimin me veten.
Njerëzit që hanë vetëm nuk janë gjithmonë entuziastë për këtë gjë, madje as nuk e bëjnë për snobizëm. Në shumicën e rasteve ata janë udhëtarë, që lëvizin nga një vend në tjetrin, të tjerë janë persona shumë të zënë me punë që detyrohen të hanë diçka të shpejtë në pushim dhe të kthehen sërish në punë.
Statistikat
Sipas një raporti të Grupit NDP,një firmë këshilluese për tregun, prej shumë kohësh amerikanët në 50 % të ngrënies së darkës apo drekës janë vetëm. 60 % prej tyre kanë thënë se mëngjesin e hanë gjithmonë vetëm,kurse 50% se darkojnë gjithmonë vetëm.
Ndërkohë disa foto të një restoranti në Japoni, që kanë shëtitur në rrjetet sociale të Kinës këtë vit tregojnë këtë ambjent të njohur si "kafeneja kundr-vetmisë". Ky ambjent ofron ngushëllim për ata që hanë vetëm duke u kirjuar mundësi që pranë tryezës të qëndrojnë kafshë prej pellushi.
Ndërsa Crystal Jin një vajzë pekinase që e adhuron të ngrënët vetëm thotë për mediat se në kryeqytetin e Kinës ende nuk ka një restorant të tillë. Por ajo shton se ka disa lokale në Pekin ku mund të hash vetëm dhe të ndjesh kënaqësi.
"Disa ristorante japoneze apo hongkongase janë shumë të përshtatshme për të ngrënë vetëm. Ushqimi shërbehet në porcione të vogla dhe mund të porositësh disa lloje.Por ajo që ka më shumë rëndësi është ambjenti I këtyre restoranteve, që të bën të ndjehesh mire edhe pse vetëm."
"Për stafin e restoranteve por edhe ndonjë grup klientësh, një person që ha vetëm përbën raste disi të veçanta në Kinë, tregon Jin.
Biznesi dhe të ngrënët vetëm
Ka raste kur ushqimi nuk është aq i rëndësishëm se sa ambjenti për klientët e restoranteve që duan të hanë vetëm. Një kërkim në rrjetin më të madh të blerjeve dhe shërbimeve online të Kinës, taobao.com, të ofron shumë rezultate për ata që kërkojnë të gjejnë një vend për të ngrënë vetëm, duke shpalosur ushqime të paketuara që mbërrijnë te porositësi e deri te ristorante të përshtatëshme për të ngrënë vetëm. Bota e biznesit po ndikon gjithnjë e më shumë në përhapjen e kulturës së të ngrënit vetëm. Firma japoneze e elektroshtëpiakeve ka promovuar këtë vit pajisje kuzhine mjaft larg "konceptit " të familjes. Madje kjo kompani ka prodhuar modele të reja tenxheresh për zierje orizi,shtrydhese frutash dhe perimesh e pajisje të tjera vetëm për një person. Sipas ekspertëve numri i personave që jetojnë vetëm po rritet dita-ditës. Ekonomisti japonez Ohmae Kenichi ka deklaruar para 15 vjetësh se me rritjen e moshës mesatare të popullsisë dhe uljen e numrit të lindjeve do të rritet numri i personave që jetojnë vetëm, ndaj duhet menduar për rregullimin e jetesës së tyre.
Shkrimtari dhe autor i shumë artikujve për ushqimin në Kinë, Shen Hongfei në një artikull të botuar në sohu.com thekson se në epokën e re, të ngrënët vetëm shërben për tu shkëputur sadopak nga shoqëria, e cila gjithnjë e më shumë po i largohet familjeve me shumë anëtarë. Sipas tij martesat po bëhen në moshë më të madhe, ndaj kemi shumë njerëz që jetojnë vetëm.
Opinioni i ekspertëve
Sipas një raporti të Komisionit të Planifikimit Kombëtar të Shëndetit dhe Familjes botuar në maj të këtij viti, në 60 vitet e fundit familjet kineze po zvogëlohen gjithnjë e më shumë. Krahasuar me vitin 2000, numri i familjeve të përbëra nga një njeri i vetëm është rritur 150% në qytet dhe 40% në fshat.
Ndër shkaqet e këtij fenomeni Shen Hongfei rendit martesat e vona, rritjen e divorceve, rritjen e jetëgjatësisë, ndryshimin e vlerave të familjes, rritje e numrit të personave që duan të rrinë beqarë, por dhe ndryshimet e mënyrës së jetesës. Sipas raportit, kinezët e shtyjnë moshën e martesës pasi duan të arsimohen, të përballen me konkurrencën në karrierë dhe të realizojnë rritjen intelektuale personale.
Ndërsa sociologu, Feng Gang i Universitetit Zhejiang ka thënë për Metropolitan se ndonëse restorantet me shërbim për një person dhe pajisjet shtëpiake për një person përbëjnë një eksperiment biznesi, krahasimi midis të ngrënit dhe shoqërimit nuk ka ndryshuar dhe nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Sipas tij "shumica e kinezëve edhe mund ta provojnë të ngrënit vetëm disa here, por të ngrënit vetëm nuk është e kundërta e shoqërimit me persona të tjerë. Përkundrazi, të kërkosh një restorant me shërbim vetëm për një person apo të shohësh video gatimi për vete është një mënyrë e pjesmarrjes në shoqëri, thotë sociologu Feng.
Kinezja Jin pranon se shumë prej miqve të saj nuk e konceptojnë dot të ngrënit vetëm dhe madje ndjehen keq nëse askush nuk i fton për të ngrënë.
Por sipas saj gjendja po ndryshon ditë pas dite, madje ajo është e bindur se me kalimin e kohës shumë prej tyre do të ndryshojnë mendim për të ngrënët vetëm.
Këshilla për të ngrënët vetëm
1. Zgjidh vendin e duhur! Është më mire të ulesh pranë dritares pasi kështu ndjehesh komod me veten dhe ambjentin.
2. Për here të parë provo një drekë vetëm.
3. Shmang oraret kur restoranti ka shumë klientë se në të kundërt do të bëhesh objekt i shikimeve dhe diskutimeve të të tjerëve, që janë të shoqëruar në ambjentet e restorantit.
4. Merr me vete një libër apo revistë, të jetë interesante por jo shumë, sa të të shpërqëndrojë nga ushqimi. Përdore për të mbajtur në distance njerëzit, që mund të të bezdisin.
5. Bëje porosinë me guxim,pasi të kesh pare mire menunë.
(Eda Merepeza, Foto: xkb.com)