20141208Hotpot1 |
"Jam 33 vjeç por nuk kam patur asnjëherë lidhje intime me një vajzë, sepse jam tip i ndrojtur". Këtë e thotë Huang Gang i diplomuar në një universitet prestigjios për biznes dhe ekonomi, banor i Pekinit,që ka një punë të mire dhe një apartament.
Ndrojtja e tij ndaj femrave është psikologjike. Në qershor të këtij viti pas një këshillimi me një psikoterapeut ai u diagnostikua me "philophobia "- frikë për tu dashuruar.
Psikoterapeuti Chen Zhilin shpjegon se "philophobia" është çrregullim i gjendjes së ankthit dhe shfaqet kur personi ka frikë të mbajë një qëndrim romantik, pasi përjeton frikën e dështimit të lidhjes. Psikologu ka trajtuar 33 vjeçarin Huang Guang dhe tregon se ky çrregullim në shumicën e rasteve krijohet për shkak të presionit të familjes te individi i cili nuk ka një partnere, ose mund të jetë pasojë e një lidhjeje romantike traumatike. Sipas psikologut Chen në Kinë ka një numër të konsiderueshëm të rinjsh të prekur nga philophobia. Ai e argumenton këtë me faktin se 1 ndër 3 vetë të moshës 20-35 vjeç vuajnë nga çrregullime të ankthit.
Duke iu referuar një raporti British Medical Journal (BMJ) botuar në 2010, Chen thekson se 30 % e britanikëve të moshës 20 -35% vuajnë nga philophobia.
"Numri i personave me këtë çrregullim në Kinë mund të jetë edhe më i madh, pasi kinezët janë më konservatorë ndaj marrëdhënieve romantike, krahasuar me të huajt," thotë Chen. Ai shton se gjatë 8 viteve të fundit ka trajtuar rreth 300 pacientë me këtë çrregullim.
Simptomat e philophobisë
Në rastin e kinezit Huang philophobia shfaqet me një numër simptomash fizike dhe psikologjike. Disa prej tyre janë rrahjet e shpeshta të zemrës apo djersitja e duarve kur takon një femër. Atë e zë paniku sa here prindërit, miqtë apo të afërmit i kërkojnë shpjegime për lidhjet intime. Duke qenë një natyrë e turpshme dhe e mbyllur, ai shpesh here ka tentuar të braktisë punën madje dhe të largohet nga shtëpia.
Chen e lidh rastin e philophobisë së Huangut me faktin se sa here ai nis të shoqërohet me ndonjë vajzë, mendon se kjo lidhje mund të dështojë.
"Gjatë rritjes, prindërit më kanë nxitur të përqëndrohem te mësimet dhe më ndalonin të shoqërohesha apo te lidhesha me vajzat," thotë Huang. "Kur mbusha 25 vjeç dhe mbarova detyrimet shkollore prindërit nisën menjëherë të më propozonin vajza për ti njohur. Kur unë dilja me një vajzë nervozohesha, nuk dija për çfarë të flisja apo të sillesha me të. "
Shkaqet e philophobisë
Sun Hao, është këshillues për marrëdhëniet intime dhe thekson se raste si Huangu ka në Kinë. Sipas tij në edukimin tradicional të fëmijëve, prindërit fokusohen te arsimimi i tyre dhe as nuk flasin me ta për jetën intime. Për këtë arsye Sun mendon se shumë të rinj kanë problem në sjelljen me seksin e kundërt. Ai madje shton se një tjetër shkak për rastet e philophobisë në Kinë është dhe presioni ekonomik ndaj njerëzve. Madje sipas tij shumë të rinj, të kompleksuar nga mungesa e të ardhurave të larta, e një apartamenti të vetin i bën ata të mos ndërmarrin iniciativa për njohje, shoqërim apo lidhje me vajzat.
Philophobia trajtohet nga psikologët duke ndjekur seanca terapie. Psikoterapeuti Chen thotë se fillimisht pacientët këshillohen të ndërmarrin hapa të vegjël, si dalja për darkë me një vajzë, ose biseda me interes të përbashkët.
Në këtë mënyrë sipas psikologut të rinjtë kanë mundësi të njohin njeri-tjetrin dhe të miqësohen.
Historia e 33 vjeçarit Huang pati një fund të lumtur. Pas 6 muaj terapi me psikologun Chen, ai fitoi më shumë besim në vetvete. 4 muajt e fundit ai pasi njohu një vajzë nisi të dale me të dhe ta njohë nga afër. Ajo është një infermiere 20 vjeçare që e pëlqen Huangun dhe ata tashmë po përjetojnë një histori të bukur dashurie.
Beqarët e Kinës
Më 11 nëntor Kina kremtoi "Ditën e beqarëve" që në fakt është kthyer në një ditë blerjesh online, apo takimesh mes miqsh në restorante, qendra tregtare apo dhe party. Beqarët në Kinë njihen si "guanggun jie". Kinezët, kryesisht brezi i vjetër nuk kanë raport të mire me beqarët. Madje për ta nëse një i ri apo e re mbi 28 vjeç ka mbetur beqar, e quajnë "shengnan" ose "shengnu" që do të thotë "djalë apo vajzë e mbetur". Ky epitet është me kuptim negative.
Por mos mendoni se është e lehtë për 180 milion beqarët e Kinës të gjejnë njeriun e duhur për të kaluar jetën. Sipas një vëzhgimi të kryer nga mediat lokale, 50 % e beqarëve kinezë thonë se kanë mbetur pa martuar pasi nuk kanë një jetë shoqërore, ndërsa rreth 30% e tyre thonë se e kanë të vështirë të gjejnë njeriun e duhur. Mentaliteti i shoqërisë kineze po ndryshon falë hapjes me botën dhe zhvillimit ekonomik. Tashmë për shumë prindër kinezë nuk përbën problem nëse djali apo vajza nuk kanë krijuar ende familje, rëndësi ka të jenë të realizuar në jetë. (Eda Merepeza)