PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Qingyanliu, nga fshat i vogël në treg i madh
2014-12-01 10:00:38 CRI Komenti juaj Printoni

Në dimër dritat ndizen që në orën 5 të mbrëmjes në qytetin Yiwu të provincës kineze Zhejiang, ndërsa kur njerëzit kthehen në shtëpi pas një dite pune, vjen koha e artë e shitjeve për banorët e fshatit Qingyanliu pranë Yiwu-së, që janë pronarë të dyqaneve në internet.

Më 19 nëntor kryeministri i Kinës Li Keqiang shkoi pikërisht në Qingyanliu të Yiwu-së, si ndalesa e parë e vizitës së tij në provincën Zhejiang.

Yiwu ka njohur një zhvillim të shpejtë, duke u shndërruar në një qendër shitjeje të të ashtuquajturave "mallra të vogla" dhe duke u kthyer tashmë në një qytet shumë të famshëm në botë për tregtimin e këtyre mallrave. Qingyanliu ndodhet në jug të qytetit Yiwu. Në hyrje të tij ka një portë të madhe me qemer, kurse përballë fshatit shtrihen ara. Me urbanizimin e shpejtë, edhe fshati Qingyanliu është modernizuar, duke filluar biznesin ndërkombëtar nëpërmjet internetit.

Sipas të dhënave zyrtare, në këtë fshat të vogël janë mbledhur më shumë se 15 000 veta nga provincat e ndryshme që merren me tregtinë në internet, dhe këtu ka mbi 2800 dyqane në internet të regjistruara që shesin mbi 3000 lloje mallrash në mbarë botën. Kështu, mund të thuhet se ky është një treg i madh në një fshat të vogël, çka e ka bërë Qingyanliu-n të marrë titullin si "fshati numër një i tregtisë në internet në Kinë". Sivjet deri tani, vëllimi i tregtisë në internet i këtij fshati ka arritur në 4 miliardë juanë.

Kur pa kryeministrin Li të hynte në dyqanin e tij, Tong Zhiqiang-u, i cili po rregullonte mallrat që do të shiste në Tajlandë, u shtang, derisa kryeministri i dha dorën dhe e përshëndeti. "Nuk e besoja se kryeministri do të vinte në dyqanin tonë," thotë Tong-u.

Dyqani i vogël ishte i mbushur plot me mallra, të vëna në mënyrë të rregullt. Z. Li mori një çantë udhëtimi blu, ktheu kokën dhe e pyeti të zotin e dyqanit: "Sa kushton?"

"16 juanë," iu përgjigj Tong thjesht, por me ngrohtësi. Për sa i përket përshtypjes për kryeministrin Li, Tong-u thotë: "Ai ishte dashamirës dhe përshëndeti çdo punëtor."

Kur mësoi që nga ky dyqan i vogël Tong Zhiqiang-u u dërgon çdo ditë mallra tregtarëve nga e gjithë bota, kryeministri Li e përgëzoi duke i thënë: "Shumë mirë!"

Tong Zhiqiang-u e ka nisur tregtinë në vitin 2011, me shitjen e mallrave turistike. Vjet ai arriti një vëllim shitjesh mbi 7 milionë juanë, ndërsa sivjet beson se do t'i kalojë 10 milion juanët.

"Unë jam nga një fshat malor dhe e kam pasur gjithmonë ëndërr të krijoj një biznes. Ardhja e epokës së biznesit elektronik më ka ndihmuar mua dhe shumë të tjerë si unë të realizojmë ëndrrën tonë."

Tong-u u shpreh se çdokush që vjen në Qingyanliu ka ëndrrën e vet, por sigurisht disa fitojnë dhe disa humbasin.

Edhe punëtorët e dyqanit të Tong Zhiqiang-ut ishin shumë të emocionuar kur u takuan me kryeministrin, i cili i inkurajoi ata, duke u thënë se puna është edhe studim dhe se ata vetë duhet të bëhen sipërmarrës të rinj në të ardhmen.

Kur lajmi i vizitës së kryeministrit Li Keqiang në Qingyanliu u përhap në fshat nga Fu Yanwen-i nëpërmjet "Wechat"-it (njëfarë "Whats up"-i kinez), shumë njerëz shprehën pëlqimin e tyre për këtë lajm. Ata janë klientë të dyqanit në internet të veshjeve për fëmijë të Fu Yanwen-it dhe bashkëshortit të saj Yang Yaohui.

Yang Yaohui erdhi në fshatin Qingyanliu pas diplomimit. Ai mori një dhomë me qira, me dëshirën që të realizonte ëndrrën e vet. Por edhe për të, si për shumë sipërmarrës të tjerë, në fillim vëllimi i shitjeve nuk ishte i kënaqshëm.

Vjet Yang-ut dhe Fu-së u lindi foshnja e tyre dhe ata vendosën ta kthejnë dyqanin e tyre në një dyqan tregtimi të veshjeve për prindër dhe fëmijë, duke arritur brenda katër muajsh një sasi shitjesh mujore prej 200 mijë juanësh.

Por, pas asaj që mund të duket si rritje e beftë e shitjeve, qëndron mundi dhe këmbëngulja e çiftit Yang dhe Fu, që thonë se, gjithë ditën, nga ora 9 e mëngjesit deri në mesnatë, janë të ulur përpara kompjuterit. Kur i vizitoi kryeministri Li, të tre pjesëtarët e familjes po bënin fotografi të veshjeve, duke qenë njëherësh modelë dhe fotografë.

Kur pa se edhe foshnja po bënte "punë me kohë të pjesshme" si model, z. Li e mori në krahë dhe tha: "Sa model profesionist që është vogëlushi!"

Duke e kujtuar këtë, Fu Yanwen-i shprehet: "Kur kryeministri e mori djalin tonë dhe e përqafoi, kjo gjë e shkurtoi distancën midis kryeministrit dhe nesh. Z. Li është shumë zemërmirë."

Kurse i shoqi tha: "Megjithëse dyqani është i vogël, pas vizitës dhe përgëzimeve nga kryeministri Li Keqiang, besoj se vëllimi i shitjeve do të rritet patjetër në mënyrë befasuese."

Për sa i përket së ardhmes, mendimi i Yang-ut është shumë konkret: "Do të kemi markën tonë pas një viti dhe do të krijojmë edhe një dyqan tjetër në internet pas tre vjetësh."

Yang Yaohui u shpreh në mënyrë metaforike se fshati Qingyanliu është vendi nga nisin fluturimin ëndrrat e të rinjve, të cilët, kur të arrijnë në një nivel të caktuar, ashtu si dhe shumë sipërmarrës të tjerë të suksesshëm, do të largohen nga Qinyanliu për në një hapësirë më të gjerë.

Në orën gjashtë të mbrëmjes, kryeministri Li iku nga fshati Qingyaliu. Duke e parë tek largohej, Tong Zhiqiang-u mërmëriti: "Doja t'i thosha kryeministrit 'Ruani shëndetin!', por nuk arrita."

Në mbrëmje vonë në fshat nisi shiu, por njerëzit qëndronin ende në rrugë duke biseduar për vizitën e kryeministrit Li, në vend që të ktheheshin nëpër shtëpi. Gjëja që i habiti më shumë ishte që dyqanet e tyre të vogla tërhoqën vëmendjen e kryeministrit të vendit, ndërsa sipërmarrësit e rinj u inkurajuan prej tij, duke i dhënë më shumë forcë fshatin të vogël për të ardhmen.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China