PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Qytetarët që duan fshatin
2014-11-03 10:59:57 CRI Komenti juaj Printoni

Ferma "Gjiri i Detit Hënor" në fshatin Gjiuwangzhuang të Pekinit është përfshirë nga atmosfera e vjeljes së perimeve të freskëta si patëllxhan, domate, lakra, misra etj., të cilat të sapokëputura vendosen në arka në makinat e pronarëve qytetarë.

Çdo stinë, madje pothuajse çdo muaj, z. Guo që banon në qendër të qytetit vjen së bashku me familjarët për tu kujdesur për arën e marrë me qira në periferi të Pekinit. "Si shumë qytetarë të tjerë kinezë edhe unë e kam kaluar fëmijërinë në fshat,ndaj jam shumë i lidhur me tokën. Mirëpo nipi dhe djali im,as nuk e kanë idenë për jetën në fshat dhe as vlerën e tokës. Dua që nëpërmjet një përvoje të tillë, ata të gëzojnë edhe rezultatet e punës së tyre. Gjithashtu, ndihem edhe më i sigurt kur ha perimet e prodhuara nga toka jonë pa përdorur asnjë pesticid apo plehra kimike", tha z. Guo.

Në të njëjtën kohë, dhjetëra "fermerë modernë" takohen në Shangai për të shkëmbyer përvojat e tyre në punimin e tokës. Lao Jia, ish-menaxher i suksesshëm në një kompani të madhe ka nisur prej vitesh të punojë tokën dhe sivjet ka marrë me qira 6 hektarë për mbjelljen e orizit në ishullin Chongming, pranë Shangait. Kurse, Guo Zhongyi është një profesor tajvanez në pension, i cili mori me qira një fermë në provincën Hefei të Kinës Jugore për mbjelljen e vaniljes dhe perimeve stinore.

Përse ata po i drejtohen fshatit ?

"Kam qenë shumë i zënë dhe nuk kisha kohë për pushim. Zhvillimi i bujqësisë nuk lidhet vetëm me teknikën, por dhe me lirinë shpirtërore për një jetë të shtruar dhe të qetë. Nëse punon me përpjekje, do të fitosh më shumë sesa parashikon", ka shkruar Lao Jia në ditarin e tij.

Tani, gjithnjë e më shumë qytetarë që banojnë në metropole si Pekin, Shangai, Guangzhou etj., po dalin nga "bota e betonit" dhe zgjedhin punët në bujqësi si një metodë çlodhjeje.

Aktualisht në të gjitha distriktet periferike të Pekinit, dhënia me qira e tokës është bërë edhe një burim tjetër fitimprurës i fshatarëve. Ata ndajnë tokën në parcela me sipërfaqe që variojnë nga 20 deri në 100 metra katrore dhe jepen me një qira në vit sa 320 deri në 1130 dollarë amerikanë. Pronarët e tokës ofrojnë fara, plehra organike, vegla pune etj., për qiramarrësit qytetarë dhe mund të ndihmojnë edhe në kujdesjen e tokës dhe transportimin e perimeve.

Gazetarët e agjencisë kineze të lajmeve Xinhua mësuan se megjithëse vitet e fundit, qiraja e tokës ka shënuar rritje të vazhdueshme, shumë ferma si "Gjiri i Detit i Hënës" ende tërheqin mjaft vizitorë. Fshatarët hapin edhe rasate peshkimi, restorante, bujtina etj., duke përsosur shërbimet për klientët.

Por, përveç çlodhjes fizike dhe shpirtërore, lulëzimi i "kopshteve private" pasqyron edhe kërkesat e mëdha të konsumatorëve kinezë për ushqim organik. Sipas të dhënave statistikore kombëtare, deri në fund të vitit të kaluar, me një vlerë vjetore të tregut prej 20 miliardë juanësh(mbi 3.3 miliardë dollarësh amerikanë), Kina është bërë vendi i katërt më i madh i konsumit të produkteve bujqësore organike.

Lëvizjet e bujqësisë organike nisën në radhë të parë në vitet 70' të shekullit të kaluar nga vendet perëndimore. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, njerëzit zbuluan se shumë teknika të reja mund të shfrytëzoheshin në bujqësi. Për shembull, nitrati i amonit me të cilin prodhohen eksplozivët, përdoret dhe si pleh kimik. Kurse, përzierja me elementet organiko-fosforeshente për prodhimin e gazit nerve ka efekt të mirë kundër insekteve të dëmshme.

Krahas industrializmit të bujqësisë, mjedisi natyror pësoi dëme të mëdha, duke shkaktuar edhe zhdukjen e shumë specieve biologjike. Negativ është fakti se insektet po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm kundër pesticideve dhe njerëzit duhet të shtojnë sasinë e tyre, ose të zhvillojnë tjetër lloj pesticidi të fortë. Që nga vitet 70' të shekullit të kaluar, lëvizjet për rikthimin e metodave tradicionale bujqësore u përhapën gjerësisht në Japoni, ShBA, Britani, Francë dhe vende të tjera të Europës Perëndimore.

Kurse në Kinë, krahas shtimit të qytetarëve që duan të punojnë tokën në periferi, disa institucione kanë hedhur edhe hapat e para.

Në distriktin periferik Haidian të Pekinit Veriperëndimor, "Plantacioni Shiaomaoly" është shumë i njohur për përdoruesit pekinas të internetit, të cilët janë edhe blerës të shërbimeve të firmës.

Sipas zonjushës Shi Yan, menaxhere e plantacionit, klientët mund të abonohen për dy paketa shërbimi. Njëra konsiston në blerjen e produkteve bujqësore me kuota të përcaktuara dhe konsumatorët presin në shtëpi furnizimin e përjavshëm me perime. Ndërsa, tjetra do më shumë punë. Me ndihmën e punëtorëve vendës për farëra, plehra organike dhe të teknikave të domosdoshme, klientët mbjellin dhe korrin vetë. Por për shkak të mungesës së përvojës, ata që abonohen për këtë paketë duhet të paguajnë më shumë se ata që vetëm blejnë perime.

Kjo metodë prodhimi bujqësor quhet model CSA(Community Support Agriculture) dhe u krijua për here të parë në Zvicër dhe Japoni. Sipas sistemit, në fillim të çdo sezoni, nëpërmjet nënshkrimit të kontratës, klientët parapaguajnë për sasinë e produkteve që u duhen, kurse fshatarët premtojnë të mos përdorin plehra kimike, as pesticidë. Kështu që, pa shitës ose ndërmjetës, punëtorët e tokës lidhen direkt me konsumatorët. Fshatarët sigurojnë fitimet, qytetarët gëzojnë ushqim të sigurtë, ndërkohë, toka mbrohet nga elementet kimike.


Foto: 刘学懿 / 东方IC

Sipas Shi Yan-it, nëpërmjet metodave tradicionale bujqësore, një sipërfaqe toke prej 30 metra katrore mund të ofrojë mbi 10 kilogramë zarzavate të freskëta në javë, për një familje. Por kjo do të thotë edhe më shumë punë. Në bazë të teknikave moderne, mbjellja e farërave dhe shpërndarja e plehrave kimike e pesticideve janë puna kryesore. Mirëpo tani, punimi i tokës do më shumë punë mekanike si heqje insektesh, shkulje të barërave të egër, përgatitje të plehrave organike në kohë të përcaktuar etj.

Përveç këtyre, në tre vitet e para me metoda tradicionale, toka nuk mund të prodhojë sasi të mëdha perimesh dhe nuk janë aq të bukura si ato që rriten me plehra kimike dhe pesticide. Pas përdorimit të pandërprerë të plehrave organike për tre vjet me radhë, sasia e produkteve mund të krahasohet me atë të arës së punuar me elemente kimike.

Megjithatë, konsumatorët nuk e gjykojnë një libër vetëm nga kopertina. Zonjusha Li Jiajia u shpreh se disa perime duken jo aq cilësore si ato që shiten në supermarket, por janë më të shijshëm. "Domatet dhe kastravecët organikë, mbase nuk janë me ngjyrë aq tërheqëse dhe sipërfaqe aq të lëmuar, por shija e tyre është e mrekullueshme, aroma e pakrahasuar", tha Li Jiajia, konsumatore e Plantacionit Shiaomaoly.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China