20141020Hotpot1 |
Shoferët me qira
Çdo natë grupe njerëzish dalin nga klubet e natës, restorantet, baret me karaoke nëpër rrugët e Shangait.
Por pasi ke kaluar një natë duke pirë në një lokal me shoqërinë, apo pas një dasme plot pije dhe argëtim, nuk është e këshillueshme të ngasësh makinën vetë deri në shtëpi.
Kjo kërkesë e re ka krijuar një mundësi të re punësimi të shoferëve të Shangait, por dhe në disa qytete të tjera të Kinës. Janë mijëra shoferë, të cilët pjesë të Shoqatës së Transportit Rrugor të Shangait, ofrojnë shërbime për ngarjen e automjeteve të klientëve deri në destinacion.
Në Shangai funksionojnë rreth 100 kompani të shoferëve me qira, të cilët i dërgojnë shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre, ata klientë që preferojnë të mos ngasin makinën, pas darkave me pije. Për këto 100 kompani punojnë 10 mijë shoferë.
Njeri prej tyre është 28 vjeçari Chen Aoliang, i cili shkon tek klienti pasi merr mesazh nga kompania nëpërmjet smartphon-it. Ai e takon klientin në destinacionin ku ka përfunduar darkën në restorant. Pasi klienti nënshkruan kontratën shoferi Chen kontrollon gjendjen e mjetit dhe niset për në destinacionin e kërkuar nga klienti. Kur destinacioni është banesa e klientit, shoferi me qira i kthen atij çelsat e makinës dhe i jep faturën. Në këtë rast klienti mund të paguajë me lekë në dorë (cash) ose online nëpërmjet smartphon-it。
Njoftohet se agjencia ka patur edhe raste shkeljesh nga ana e shoferëve me qira, të cilat janë raportuar dhe në mediat lokale. Ka patur raste kur këta shoferë u kanë kërkuar klientëve pagesa të pajustifikuara, apo kanë dëmtuar makinën e klientit. Sipas "Shanhai Morning Post" në dhjetor të vitit 2010 policia arrestoi një shofer me qira të njërës prej agjencive, pasi u gjend i pirë ndërsa dërgonte klientin në banesë.
Standarde të reja
Në korrik të këtij viti një shërbim profesionist i komitetit të Shoqatës së Transportit Rrugor ka nisur vendosjen e standardeve për pajisjen e shoferëve me qira me çertifikata . Ndër standardet e përcaktuara nga Shoqata është mosha e shoferit, përvoja e punës, shkeljet që ka patur në trafik, dëshmi penaliteti, të gjitha këto të verifikuara para pajisjes së shoferëve me çertifikatat përkatëse. Të dhënat e shoferëve hidhen në data base të kompanive dhe në rast të shkeljeve të kontratës apo aksidenteve të ndryshme shoferi lokalizohet menjëherë. Drejtuesi i mjetit që të pajiset me çertifikatë duhet të ketë të paktën 3 vjet eksperiencë pune, të mos ketë shënuar shkelje të kodit rrugor në tre vitet e fundit dhe të jenë të moshës 24-60 vjeç. Feng Yuanming është kryetar i Komitetit të drejtimit profesional të automjetit dhe thekson se kompania aktualisht ka 20 kompani të tjera anëtare të cilat janë pjesë e kësaj shoqate. Kompanitë e regjistruara duhet të kenë një kapital prej të paktën 30 mijë yuan (ose 4.886 $) dhe 10 të punësuar.
Chen Aoliang punon për kompaninë Shanghai An Driving Service Co që ka rreth 3.300 shoferë në këtë metropol kinez. Rreth 1 mijë shoferë të kësaj kompanie deri tani janë pajisur me çertifikatë. Ning Shuwang është manaxher i përgjithshëm dhe thotë se vetë klientët kur kërkojnë shërbimin tonë kërkojnë dhe një shofer të çertifikuar. Kompania ka nisur veprimtarinë e saj në korrik të 2012 si fillim si një kompani IT por e ndryshoi shpejt drejtimin e saj. Aktualisht ajo përbën kompaninë e dytë më të madhe të shërbimeve me shoferë në Shangai dhe e treta më e madhe në Kinë.
Manaxheri i përgjithshëm thotë se shoferët e kësaj kompanie kanë një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj klientëve. Sipas tij, 20-30% e shoferëve të kompanisë Master Ans punojnë me kohë të pjesshme,ndërsa të tjerët me kohë të plotë. Shoferët që punojnë me kohë të plotë 6 netë në javë paguhen me 8 mijë deri në 9 mijë juan në muaj (rreth 1300 $). Shoferët e këtyre kompanive paguhen shumë më tepër se ata të shërbimit taksi.
Klientët që përdorin këtë shërbim mjafton të hyjnë online në faqen e kompanisë dhe aty gjejnë shoferët me më shumë vlerësime si dhe ata që ndodhen më afër vendit ku ata kërkojnë shërbimin. Kompania nga ana e saj me anë të vlerësimeve të klientëve online eliminon shoferët me vlerësime të ulta. Kompanitë e shërbimit me shoferë me qira punojnë me sistemin GPS që ka zëvendësuar metodën tradicionale të negocimit të çmimit. Sipas manaxherit të përgjithshëm Ning, në raste aksidentesh të makinës së klientit gjatë shërbimit, kompania rimburson 2 milion yuan sigurim. Përsa i përket bakshishit, kompania e lejon për shoferët e saj, por kjo nuk është e detyrueshme.
Pjesa më e këndëshme e punës së këtyre shoferëve kinezë me qira është se në shumë raste gjatë punës së tyre ata ngasin makina të shtrenjta si Ferrari, Porche dhe kjo ndikon emocionalisht tek ata.(Eda Merepeza)