20140929Hotpot2 |
Tregu arsimor në Kinë ka shënuar rritje dekadën e fundit. Madje rritje të konsiderueshme ka shënuar dhe numri i studentëve të huaj që marrin diploma kineze. Nuk bëhet fjalë vetëm për studentë të huaj që mësojnë gjuhën kineze në qytete të ndryshme të këtij vendi të madh, por diplomohen dhe për mjekësi tradicionale kineze, drejtësi dhe degë të tjera. Studentët e huaj konkurrojnë në tregun e arsimit të lartë në Kinë dhe pritet që deri në vitin 2020 ky vend të ketë tregun më të madh të arsimit të lartë në kontinentin aziatik.
Foto nga www.globletimes.cn
Statistika zyrtare
Rritja e numrit të studentëve të huaj në Kinë ka ndikuar dhe në rritjen e tregut të punës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit të Kinës në vitin 2013 në këtë vend numri i studentëve të huaj nga 200 vende të botës arriti 365 mijë. Ata ndjekin studimet në 746 Universitete dhe Institute Kërkimore dhe Shkencore në mbarë Kinën, duke shënuar një rritje të numrit prej 8.6% krahasuar me vitin 2012.
Në vitin 2013, 147,890 studentë të huaj frekuentuan universitetet e Kinës, duke përbërë 41% të numrit të përgjithshëm të tyre. Sipas zëvendësdrejtorit të Institutit të Kërkimeve për zhvillimin e arsimit "Shekulli 21", Xiong Bingqi, krahasuar me të kaluarën është rritur numri I studentëve nga vendet perëndimore që diplomohen në Kinë. Në vitin 2013, ishte domethënëse rritja e numrit të studentëve nga Afrika, Europa dhe Oqeania për studime në Kinë, duke shënuar rritje përkatësisht prej 23%, 13 % dhe 8%.
Statistika ndërkombëtare për studentët e huaj
Nisur nga kërkesa në rritje për burime njerëzore, shumë të rinj në mbarë botën zgjedhin të studjojnë në vende të ndryshme. Sipas statistikave të UNESCO-s, në vitin 1990 numri i këtyre studentëve ishte 1.3 milion,ndërsa në vitin 2011 kjo shifër arriti në 4.3 milionnë mbarë botën. Destinacionet tradicionale për studime në Azinë Lindore dhe Paqësor kanë qenë Australia dhe Japonia , që dekadën e fundit po përballen me konkurrencën e forte të Kinës në këtë fushë. Ndërkohë që sipas të njejtave statistika Kina ka numrin më të madh të studentëve që arsimohen në universitetet jashtë vendit, aktualisht po bëhet vetë ajo një destinacion për stundetët e huaj. Kina renditet në vendin e 9-të në listen e vendeve të preferuara nga studentët e huaj, ndërsa në tre vendet e para renditen SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.
Një student amerikan në Pekin
Foto nga 陈登余 / 东方IC 书法
Në gusht të këtij viti, 24 vjeçari amerikan, Chris Campbell mbërriti në Pekin, i emocionuar për fillimin e një faze të re të jetës së tij si student i huaj. Pas përgatitjes së dokumentacionit për studimet në Kinë Chris e di mire se këtu e pret një punë e pandërprerë dhe madje e lodhshme studentore, pasi duhet të marrë pjesë 6 orë në ditë në kurse dhe të përgatitet rreth 4-5 orë në ditë.
Duke folur për Global Times, i riu amerikan nga një qytet i vogël i Karolinës së Jugut, rrëfen se i lindi dëshira pas studimeve universitare në vendin e tij, të kryente studimet për master në drejtësi pranë universitetit të njohur kinez, Tsinghua. Chris do të studjojë ligjet e Kinës. Ai është i mendimit se në vendin e tij ato nuk janë shumë të njohura dhe me shumë dëshirë ka mbërritur në Pekin për të realizuar synimin e tij.
Përse të studjosh në Kinë?
Kësaj pyetje, i riu amerikan Campbell që ka zgjedhur Universitetin prestigjioz Tsinghua të Pekinit për të studjuar drejtësinë kineze i është përgjigjur se " Pa njohje ligjesh nuk Ka biznes. Dhe nuk ka biznes pa Kinën"
Sipas tij që të kesh sukses në biznes duhet të bashkëpunosh me Kinën. Madje që të kesh sukses në vazhdimësi në biznes duhet të përfshish në të një partner si Kina. Qëllimi i Chris është që pas diplomës kineze për ligjet e këtij vendi ai të punojë për ndonjë firmë konsulence ligjore amerikane, duke shpresuar që studimet e tij të shërbejnë. Chris mendon se ka shumë mundësi bashkëpunimi me Kinën, përfitime ekonomike si dhe krijim njohjeje.
Përpara se të vendoste të kryente këto studime, ai bëri një kërkim lidhur me juristët amerikanë që kishin studjuar në Kinë. Ai gjeti shembuj të juristëve amerikanë që kanë gjetur punë të mira në kompani të ndryshme, paguhen mjaft mire, përveç faktit që është shumë e vështirë në SHBA që një i ri i sapodiplomuar për drejtësi të gjejë punë. Madje student Chris tregon për median kineze se duke kryer masterin për drejtësi në Kinë ai ka kursyer 10 mijë dollar, nëse do ta kishte kryer atë në vendin e tij.
Një tjetër student është Thierry Titcheu, 26 vjeçar nga Kameruni, i cili pas studimeve për Shencë dhe Teknologji në vendin e tij, ka ardhur në Kinë për të studjuar inxhinieri kompjuterike në Hefei, të provincës Anhui Province. Pas 6 vjet studimesh ai po kryen programin master pranë Universitetit Tsinghua ku në korrik pret të diplomohet. Pasi ka studjuar mire gjuhën kineze dhe me diploma të një Universiteti të njohur në Kinë, ky i ri nga Kameruni shpreson të punësohet në ndonjë kompani të këtij vendi, ku preferohen punonjësit e huaj.
Për shumë studentë si amerikani Chris Campbell apo kamerunasi Titcheu studimet universitare apo pasuniversitare nuk janë të mjaftueshme. Ata mësojnë gjuhën kineze dhe kërkojnë punë në kompanitë kineze,duke rritur kështu përgatitjen e tyre profesionale për një të ardhme sa më cilësore në tregun ndërkombëtar të punës.
Sfidat për studentët
Foto nga CFP
Ministria e Arsimit e Kinës ka shpallur sfidën që ky vend të arrijë deri në vitin 2020 të jetë destinacioni më i madh në Azi për studentët e huaj. Ndërkohë mësohet se numri i studentëve kinezë jashtë vendit ka shënuar një rritje me rreth 20% çdo vit akademik.
Natyrshëm shtrohet pyetja se universitetet kineze për të cilat ka kërkesa të mëdha nga të rinjtë vendës dhe mezi i përmbushin ato, atëhere si do të tërheqin studentët e huaj? Në 2013 33 mijë studentëve të huaj iu akordua bursë studimi nga shteti kinez, shifër kjo që përbën 9.35% të numrit të studentëve të huaj në Kinë.
Në Kinë po punohet për rritjen e nivelit cilësor të arsimimit, modernizimin e tij, në një hap me standartet ndërkombëtare, për të konkuruar denjësisht me univeristetet prestigjioze në botë.(Eda Merepeza)