20140922Hotpot-1 |
Një shprehje thotë se kur një grua është në timon, mund të krijohen probleme.
Vallë nga kjo shprehje janë nisur menaxherët e një qendre tregtare në Dalian të Kinës, kur kanë krijuar vendparkime të veçanta për femrat ?
Vendparkimi para një qendre tregtare në qytetin bregdetar kinez të Dalianit ka ngjallur debate të shumta në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për parkimin e shumëdiskutuar në nivel botëror të femrave. Sa anekdota ekzistojnë anembanë botës për mënyrën se si parkojnë femrat, sa foto qarkullojnë për këtë në rrjetet sociale ? Pikërisht për këtë argument bën fjalë dhe dukuria që do të trajtojmë në Hotpotin e sotëm, bazuar në një shkrim të china.org.cn këto ditë vere.
Në qendrën tregtare "World Metropolis Center" të qytetit Dalian në hapësirat për parkim të automjeteve ka disa dallime. Mes makinave të parkuara të ze syri shkruar në tokë me bojë rozë "Vend i rezervuar për parkim për femrat". Bëhet fjalë për një vend parkimi 30 centimetra më të gjerë se sa vendparkimet e zakonshme. Kjo ka plasur debatin në rrjetet sociale kineze, me opinione pro dhe kundër. Debati ka marrë ngjyra sociale, duke u fokusuar në barazinë gjinore e duke shkuar më tej në modën e vjetëruar të seksizmit dhe fyerjes ndaj femrave, duke i cilësuar ato më të paafta se meshkujt.
Qendra tregtare në një nga bulevardet kryesore të qytetit Dalian dallohet për shërbimet e shumta që ofron për klientët , që nga fast food-et e zakonshme, deri te salla e kinemasë, promocionet e shumta. Kjo qendër frekuentohet kryesisht nga qytetarët e shtresës së mesme. Por menaxherët e qendrës kanë menduar të favorizojnë klientet femra në parkingun jashtë qendrës. Për këtë ata kanë rezervuar 10 vend parkime vetëm për femra ku kanë zgjeruar hapësirën e parkimit të automjetit me 30 cm më shumë se sa për vend parkimet e tjera.
Opinionet në rrjetet sociale
"Mendoj se është shumë e përshtatshme, pasi vend parkimet e tjera janë shumë të ngushta." Ky është mendimi i një qytetareje, sipas të cilës këtu nuk ka dallime tendencioze gjinore, pasi dihet që femrat nuk janë shumë të afta në parkimin e automjetit.
Por, nisur nga ky fakt në mediat sociale të Kinës, shumë përdorues komentojnë se ky veprim është shprehje e seksizmit të menaxherëve të qendrës.
Madje një komentues në rrjete sociale një komentues shkruan se, ky vendim në pamje të parë të jep idenë se po respektohen femrat, por në të vërtetë është fyes ndaj tyre.
Menaxherët e qendrës tregtare, nga ana e tyre e mohojnë këtë kritikë. Ata e shpjegojnë këtë rijësi të tyre si një ndihmë ndaj femrave, të cilat përbëjnë numrin më të madh të klientëve të tyre. Një nga menaxheret është Yang Hongjun, e cila duke qenë vetë femër e mohon kategorikisht faktin se kanë patur për qëllim të fyejnë femra, me krijimin e parkingut të veçantë për to.
Ajo thotë se ky veprim nuk ka lidhje fare me fyerjen. Vendparkimi për femrat që frekuentojnë këtë qendër tregtare janë bërë më të gjera për të ndihmuar ato dhe aspak për ti fyer. Megjithatë disa nga komentuesit e rrjeteve sociale e shohin dhe e konsiderojnë këtë veprim si një nismë e bazuar në stereotipin që femrat nuk janë të zonjat në parkimin e automjetit, madje edhe rrezikojnë të dëmtojnë automjetet e tjera pranë tyre.
Një nga klientët e rregullt të kësaj qendre tregtare, Wu Zhicun, është shprehur se një fakt i tillë është i njohur në mbarë botën, që femrat nuk janë të zonjat në parkimin e automjetit. Madje për ta bërë opinionin e tij sa më të besueshëm ai tregon se sa here që ka vënë në rrezik përplasjeje makinën e tij gjatë parkimit, kjo ka ndodhur për arësye se në makinë tjetër ka qenë në timon një femër. Sipas Wu femrat në timon shohin vetëm përpara dhe i anashkalojnë pasqyrat, gjë që e vështirëson parkimin e saktë të automjetit që ato drejtojnë.
Me humor një tjetër komentues i rrjeteve sociale shkruan se dy gjëra të rrezikshme ka sot në botë, një grua që nget makinën dhe një burrë që gatuan.
Çfarë thonë statistikat?
Ngarja e automjetit në Kinë shpesh here ka probleme, pavarësisht gjinisë së drejtuesit të mjetit. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2012 si pasojë e aksidenteve rrugore në Kinë humbën jetën 60 mijë vetë.
Nisma e qendrës tregtare në Dalian të Kinës nuk është e vetmja e këtij lloji. Mësojmë se dhe në Korenë e Jugut dhe në disa vende europiane ka hapësira të veçanta për parkimin e automjeteve nga femrat.
Vitin e kaluar në rregulloren e drejtimit të mjetit të Pekinit, theksohej ndër të tjera se femrat në timon duhet të evitojnë takat e larta, nuk duhet të përfshihen nga paniku nëse vërejnë se po kryejnë lëvizjen e gabuar në timon.
Madje në një blog të policisë rrugore të Pekinit, theksohet se disa femra drejtuese mjeti nuk e kanë të zhvilluar sensing e orientimit, ndaj atë hezitojnë shumë si duhet të drejtojnë mjetin dhe për këtë krijojnë probleme kur janë në timon. Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2013, në nivel global numrin më të madh të aksidenteve rrugore në shifrat 77% e kanë shkaktuar meshkujt në timon dhe jo femrat.
(Eda Merepeza)