PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Banesa afër shkollës, investim i parapëlqyer
2014-09-10 10:37:12 CRI Komenti juaj Printoni

Këtë verë, nga fillimi i korrikut, temperaturat në Pekin kanë shënuar shifra të larta. Por i nxehti nuk ndalon znj. Liu Yi të shkojë nëpër agjencitë ndërmjetëse të pronësisë së paluajtshme.

Sa herë bie zilja e celularit, ajo ngrihet menjëherë nga karrigia dhe niset për në adresën që i thotë ndërmjetësi. Nën shoqërimin e punonjësve dhe pronarëve, znj. Liu ka vizituar dhjetëra banesa. Por, fatkeqësisht, ato që i pëlqejnë janë ose me çmime tepër të larta, ose shiten, kur ajo heziton.

"Jam lodhur dhe shqetësuar shumë, por nuk kam ç'të bëj. Dua të blej një shtëpi afër shkollës, për të mirën e djalit ", tha znj. Liu.

Në Kinë, banesa afër një shkolle të mirë jo vetëm lehtëson fëmijën, por shërben si një garanci për shkollimin cilësor, sepse shkollat fillore pranojnë fëmijët sipas sferës specifike gjeografike që përcaktohen nga administrata arsimore. Ata që banojnë më afër, janë të privilegjuar të pranohen.

Në shumë qytete të Kinës, duke përfshirë Pekinin, Shangain etj., megjithëse janë metropole, për shkaqe historike, shumë institucione që ofrojnë shërbimet më të mira publike si shkollat, spitalet etj., përqendrohen kryesisht në qendër. Vitet e fundit, krahas shtimit të numrit të banorëve në distrikte të reja, shkollat cilësore në qendër duken më tërheqëse për prindërit, duke nxitur konkurrim të hapur dhe të fshehtë. Për të parandaluar korrupsionin e mundshëm në arsim, nga semestri i ri i sivjetshëm, të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në 19 qytetet më të mëdha të Kinës duhet të zbatojnë rregullat e "pranimit të nxënësve sipas sferës së përcaktuar gjeografike".

Por, ky vendim, ndërsa u jep shpresë prindërve që banojnë afër, ngre edhe koston e prindërve si znj. Liu që banon larg sepse tani ata duhet të paguajnë më shumë për blerjen e banesës.

Mirëpo shumë banesa të tilla janë ndërtuar në vitet e 80' të shekullit të kaluar. Në krahasim me shtëpitë në distriktet e reja, ato janë të vjetra dhe me ambiente jo të mira. Megjithatë, prindërit si znj. Liu nuk tërhiqen.

"Rruga e jetës është shumë e gjatë. Si prindër, ne faktikisht mund të bëjmë shumë pak për fëmijët. Por, ende dëshirojmë që tu japim më të mirën brenda mundësive që kemi", tha znj. Liu.

Ndërkohë, sipas të dhënave statistikore, vetëm vitin e kaluar, çmimi i banesave afër shkollave të mira të Pekinit është rritur mesatarisht mbi 35%, , sa 45 mijë juanë(7300$) për një metër katror.

Në krahasim me znj. Liu, z. Zhang Haichuan në Yinchuan, kryeqendër e rajonit autonom Ningxia-Hui, e quajti veten me fat për vendimin që mori para 3 vjetësh. Në vitin 2011, ai bleu një apartament afër shkollës më të mirë fillore vendore dhe vitin tjetër, i biri do të futet në këtë shkollë. "Nuk pendohem për blerjen e kësaj banese me një çmim të lartë. Megjithëse është e vjetër, vlera e saj është rritur këto vite dhe kam besim që çmimi nuk do të ulet në të ardhmen. Pasi të mbarojë shkollën djali, mund ta shes më shtrenjtë , si një investim", tha z. Zhang.

Mendimi i tij është edhe mendimi i shumë prindërve "investues". "Konsensusi" i tyre rezulton në faktet që çmimi i banesave afër shkollës është më i qendrueshëm vitet e fundit në tregun e pronësisë së paluajtshme edhe gjatë krizës financiare globale. Dega në Pekin e kompanisë më të madhe ndërmjetëse e pronësisë së paluajtshme "Linkhome" bëri të ditur kohët e fundit se në gjashtmujorin e parë të sivjetshëm, çmimi i banesave është ulur 6.5%, në kontrast me të cilin, ato afër shkollave më të mira është rritur 0.3%.

Në fakt, banesat afër shkollave të mira janë të parapëlqyera jo vetëm nga prindërit kinezë, por edhe nga familjet në ShBA, Kanada etj. Por në Kinë, edukimi i fëmijëve duket shumë më i rëndësishëm dhe burimet arsimore nuk gjenden në mënyrë të ekuilibruar në krahina të ndryshme,ndaj ekziston konkurrimi i prindërve në këtë drejtim.

Kjo ethe përfshin edhe Tajvanin dhe Hong Kong-un.

Në kryeqendrën e Tajvanit, Taipei, Distrikti Da'an njihet për cilësinë e lartë arsimore. Për të dërguar fëmijët në shkollat vendore, prindërit tajvanezë që janë në gjendje të mirë ekonomike preferojnë të blejnë banesa afër shkollës, që kur lind fëmija. Sepse sipas rregullave, me një banesë afër, fëmijët mund të regjistrohen si banorë të përhershëm të zonës përkatëse. Por, duke vepruar kështu shumë prindër, sektorët arsimorë vendosin prapë rregulla të reja që shkollat vendore mund të pranojnë vetëm fëmijët, që kanë mbushur 5 vjet regjistrim si banorë të distriktit. Prandaj, pasi lindin fëmijë, prindërit nisin kërkimin e banesës së përshtatshme. Sipas të dhënave statistikore, një banesë e re kushton afro 9 mijë juanë(14.5 mijë dollarë amerikanë) për një metër katror.

Shkollat fillore në Hong Kong ndahen në dy lloje, publike dhe private. Me financim dhe administrim qeveritar, shkollat publike janë falas dhe zënë gati 90% të shkollave të përgjithshme. Por, ato kanë edhe rregulla për pranimin e nxënësve.

Nëse një nxënës ka dëshirë të ndjekë shkollën ku mësojnë vëllezërit apo motrat, ose punojnë prindërit, ai mund të pranohet pa pengesë në këtë shkollë. Përveç tyre, kuotat e pranimit do tu jepen fëmijëve që banojnë afër shkollës. Për të fituar kandidaturën, shumë prindër, para fillimit të semestrit të ri, shkojnë në distriktet me shkolla të mira për të blerë ose marrë me qira një banesë vendore. Një metër katror i një banese afër shkollës së mirë në Hong Kong mund të shitet mbi 20 mijë dollarë amerikanë, dhe jepet me qira prej 47 dollarësh amerikanë në muaj. Për shkak të çmim kaq të lartë, shumë prindër, pasi marrin konfirmimin e pranimit të fëmijëve nga shkollat, kthehen prapë në shtëpitë e veta me tu mbaruar kontrata e qirasë.

Banesa afër shkollës së mirë duket si një investim i arsyeshëm. Por ajo ka edhe më shumë kuptim nga ana mendore për prindërit kinezë. Në Kinë njihet një histori e lashtë për nënën e ideologut të madh Meng Zi (Mencius), e cila ndërroi disa herë shtëpi për të gjetur një ambient që favorizonte arsimimin e të birit. Në kohën moderne, prindërit e panumërt kinezë ende po bëjnë çmos për të vazhduar rrugën e nënës së Meng Zi-t. Për të ardhmen e fëmijëve, ata kursejnë, lodhen dhe u dedikojnë tërë jetën.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China