PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Plazhet artificiale në Shangai
2014-08-11 10:11:34 CRI Komenti juaj Printoni

Plazhet artificiale në Shangai

Në këto ditë të nxehta vere po flasim për plazhin, përshkruar me një udhëtim virtual nëpër plazhet artificiale të Kinës. Metrolopi kinez Shangai, një nga qendrat e mëdha financiare botërore shquhet dhe për plazhet e tij artificiale, tepër të frekuentuara gjatë verës, jo vetëm nga vendësit, por dhe nga turistët dhe të huajt që punojnë dhe jetojnë në këtë qytet.

Dino Beach

Është një nga resortet ujore më popullore të metropolit kinez, Shangai dhe kryeson listën e vendeve më të frekuentuara gjatë verës. Ky park ka shumë pishina të ngjashme me plazhet artificiale, të cilat janë ndër më të mëdhatë në mbarë Azinë, që furnizohen me ujë nga lumi që rrjedh pranë qytetit. Plazhi artificial Dino në Shangai mund të frekuentohet edhe gjatë mbrëmjes apo natës, për të gjithë ata që dëshirojnë të dëgjojnë zhurmën e dallgëve të detit nën yje dhe dritën e hënës. Pikërisht kjo gjetje ka bërë që ky plazh të jetë mjaft i pëlqyer nga të rinjtë, por dhe njerëz të moshave të tjera, të cilët pas një dite të lodhshme kalojnë mbrëmjen në ambjentet e këtij resorti.

Sunny Beach (Bihaijinsha)

Ndodhet në jug të Shangait, pikërisht në distriktin Fengxian. Ai është një nga të paktit plazhe në qytet por dhe plazhi më i madh artificial në Kinë. Emri i këtij plazhi në kinezisht është "Bihaijinsha" që do të thotë "det i kaltër dhe rërë e artë". Plazhi ka 650mijë metra kub ujë dhe 80 mijë metra katrorë rërë.

Në këtë plazh vizitorët mund të përdorin triçikla uji, të luajnë volejboll plazhi por edhe surfboard. Sipas organizatorëve frekuentuesve të plazhit u lejohet të marrin ushqime me vete, madhe ata mund të bëjnë edhe barbecue. Për frekuentuesit e plazhit ofrohen shezlone, çadra, lodra për fëmijë e plot argëtime të tjera.

Sanjiagang Waterfront Park

Në veri të aeroportit ndërkombëtar Pudong të Shangait ndodhet një resort ujor me shumë mundësi argëtimi. Në vijën bregdetare prej 1.3 km ndodhen kabina plazhi, në të cilat mund të strehohen për një natë miq apo familje. Jeta artistike dhe muzikore në këtë park ujor është e pasur me koncerte live të grupeve muzikore që zakonisht mbahen gjatë fundjavës. Në këtë plazh zhvillohet dhe festa e birrës, një traditë tashmë disa vjeçare. Nuk mungojnë kurset e surfit me trajnerë mjaft të kualifikuar.

Dakang Indoor Water Resort

Për të gjithë ata amatorë të ujit por jo të rrezeve të diellit, vendi ideal është parku ujor prej 5mijë metrash katrorë, një pishinë gjigande e mbyllur. Ndër aktivitetet më të shpeshta dhe të kërkuara nga plazhistët këtu është zhytja në 4 metra thellësi, ku për amatorët, apo fëmijët ofrohet shërbimi i instruktorëve.

Plazhet artificiale- një gjetje botërore

Plazhet artificiale janë tashmë një dukuri botërore. Dinamika e zhvillimit dhe e jetës ka bërë që në qytete apo edhe shtete që gjeografikisht nuk lagen nga deti, të kenë hapësira publike të ngjashme me të.

Në shumë qytete të botës është eksperimentuar vendosja e rërës në hapësirat urbane, bazuar në projekte të arkitektëve. Gjatë muajve të verës krijimi i plazheve artificiale në qendrat e qyteteve përbën një program sezonal urban. Një shembull për këtë është Paris-Plages, që bazohet në vendosjen përgjatë lumit Senë të një plazhi urban, në vitin 2002, i cili u konsiderua si një projekt i suksesshëm.

Plazhe artificialë gjenden në Nju Jork apo të shumtë janë në Gjermani, të hapur apo të mbyllur, ku frekuentuesit gjatë stinës së verës janë të shumtë. Vera është stina e argëtimit për të gjithë, pasi në këtë periudhë shkollat mbyllen, nxënësit dhe studentët pushojnë, por edhe qytetarët programojnë pushimet. Ndaj ekzistenca e këtyre plazheve ka qëllim jo vetëm tregtar, por edhe social për të gjithë ata që nuk kanë mundësi për të pushuar pranë një plazhi natyror. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China