20140811Hotpot1 |
Ku e bëjnë plazhin pekinasit?
Në këto ditë të nxehta vere kryefjala e bisedave të të gjithëve janë pushimet, ku po i kalojmë ato dhe si po i kalojmë. Shumë familje, të rinj me shoqërinë, çifte kanë lënë shtëpinë dhe i janë drejtuar plazheve edhe këtu në Kinë. Kinezët zënë numrin më të madh të turistëve në botë, por ata kryesisht vizitojnë vende të ndryshme evropiane, si Parisi, Roma, Milano, Madridi por dhe ishuj të famshëm dhe vende të shquara për historinë apo kulturën e tyre. Kina ka plazhe të famshme kryesisht në jug të saj dhe shquhet për ishujt, që frekuentohen verës nga vendës por dhe turistë të huaj. Por nëse flasim për kryeqytetin e saj Pekinin, natyrshëm lind pyetja ku e bëjnë plazhin banorët e tij?
Pekini nuk ndodhet buzë detit, ku puhiza e freskët largon të nxehtin dhe ku të kridhesh në ujë është një kënaqësi verore. Në temperatura, që shpesh arrijnë 40 gradë celsius një pjesë e banorëve të Pekinit, që nuk kanë mundësi të shkojnë në plazh, e gjejnë atë në metropolin ku jetojnë.
Plazhi në Parkun Chaoyang
Vitet e fundit plazhe artificiale të realizuara me pishina gjigande apo lehtësi të tjera argëtuese ujore kanë rrethuar kryeqytetin, në Parkun Chaoyang, Parkun Tuanjiehu, ku pamja që të ofrojnë nuk ndryshon nga plazhi i vërtetë.
Të vizitosh parkun Chaoyang do të thotë të pushosh në një plazh artificial, ku mund të ndërtosh kala prej rëre, të të përcëllojë dielli lëkurën dhe të freskohesh në ujin e pishinës gjigande.
Ata që e gëzojnë më shumë këtë plazh artificial të Pekinit janë fëmijët, për të cilët ka lojëra të shumëllojshmë si brenda pishinës, ashtu edhe jashtë saj. Kuptohet që plazhi privat më së shumti frekuentohet nga familjarë dhe koha e frekuentimit të tij është njëditore.
Shumë nga prindërit e pëlqejnë këtë ambjent dhe e frekuentojnë gjatë fundjavës, kur nuk punojnë. Ata mendojnë se për argëtimin e fëmijëve gjatë verës ky vend është ideal, pasi frekuentohet brenda ditës, ndërkohë që fëmijët zënë shumë miq moshatarë të tyre me të cilët argëtohen pa masë. Për prindërit kjo është një mundësi e mirë edhe për kalitjen fizike të fëmijëve të tyre të cilët gjatë ditëve të nxehta, kur prindërit punojnë , detyrohen të rrinë në kopësht apo në shtëpi me gjyshërit. Argëtimi i vetëm i tyre mbetet televizori apo video lojrat.
Parku Chaoyang shndërrohet në plazh për banorët e kryeqytetit të Kinës që nga viti 2009 dhe që atëhere ai është i hapur çdo verë për vizitorët e shumtë. Pas Lojrave Olimpike të Pekinit të vitit 2008 resorti i beach volley-t u shndërrua në një plazh artificial, pikërisht në vitin 2009, duke zënë një sipërfaqe prej 2 ha.
Në këtë ambjent organizohet dhe Festivali i plazhit nga Televizioni i Pekinit. "Kryeorganizatori i Festivalit të Plazhit në parkun Chaoyang, Yang Zhi thotë se rëra është e njejta e përdorur gjatë Lojrave Olimpike dhe është transportuar nga provinca Hainan. Pas mbërritjes në park rëra është përpunuar, duke u bërë mjaft e përshtatshme për plazhistët.
Plazhi në Parkun Tuanjiehu
Ky park ndodhet gjithashtu në distriktin Chaoyang të Pekinit dhe në brendësi të tij është përshtatur një kompleks ujor, i ngjashëm me plazhin. Pishina në këtë park është më e vogël se në parkun Chaoyang, por ajo ka dallgë, shumë të ngjashme me ato të detit. Sigurisht që në këto dallgë nuk mund të bëhet surf, por gjithsesi për frekuentuesit e plazhit ato japin një ndjesi të vërtetë. Ky plazh artificial frekuentohet kryesisht nga të rinjtë, por dhe familjarë dhe si në çdo plazh të botës ata që i gëzohen më shumë plazhit janë fëmijët. Për këta të fundit nuk mungon argëtimi, lojrat e ndryshme, por edhe hapësirat për pushim, ushqim dhe shërbime të tjera publike,aq të nevojshme për frekuentuesit e plazhit.
Plazhi artificial në Tianjin
Për ata që duan të udhëtojnë jashtë Pekinit, qyteti fqinj i Tianjinit ka plazhin e tij të quajtur Dongjianggang, edhe ky një plazh artificial i ndërtuar në afërsi të vijës bregdetare të rajonit Tianjin. Distanca me trenin e shpejtë nga Pekini në Tianjin është pothuajse e njejtë me distancën Tiranë-Durrës.
Ky plazh përmban 200 mijë ton "rërë të artë" të cilësisë së lartë të transportuar këtu nga provinca Fujian, por nuk mungojnë shkëmbinjtë detarë të sjellë nga Qinhuangdao, i provincës Hebei, që të japin përshtypjen e një bregdeti të vërtetë. Gjatë sezonit veror, i cili nis që në maj e përfundon në tetor edhe ky plazh frekuentohet nga banorët e Tianjinit, të rinjtë, familjarët që kalojnë ditën, apo fund-javën sipas preferencave dhe mundësive të tyre.
Plazhi artificial një kulturë e re urbane
Kjo kulturë e re urbane e plazheve artificiale, ndonëse nuk mungon rëra, shezllonët, topat shumëngjyrësh të plazhit, çadrat, uji, shkëmbinjtë, për disa duhet si diçka e sajuar dhe qesharake. Në rrjetet sociale ka opinione pro dhe kundër plazheve artificiale. Ka shumë që kundërshtojnë plazhet artificiale, pasi në imazhin e tyre plazhi i vërtetë as nuk mund të krahasohet me to.
Por ka të tjerë që i cilësojnë si të përshtatshme për familjet, ku prindërit punojnë gjatë verës dhe u mbetet për të pushuar me familjen në fundjavë. Madje ka edhe të rinj që duke patur pushime verore, i frekuentojnë plazhet artificiale për të kaluar disa orë të këndëshme me miqtë e mikeshat e tyre, larg vapës dhe ambjenteve të mbyllura të qyteteve.
Pavarësisht mendimeve pro dhe kundër kur vijnë muajt e nxehtë të verës, këto plazhe artificiale presin mijëra pushues ditorë nga kryeqyteti i Kinës, Pekini. Pjesa më e madhe e turistëve të këtyre plazheve janë fëmijët, familjarët dhe të rinjtë. Në dinamikën e jetës së përditëshme për ata që nuk kanë planifikuar pushime verore, frekuentimi i një plazhi të tillë është mundësia e vetme. (Eda Merepeza)