20140707HotpoT2 |
"Penjing", i njohur si pemët "bonsai" është një traditë kineze e rritjes së pemëve. Kohët e fundit, një koleksion pemësh në miniaturë (pemëza) ose "penjing", me një jetëgjatësi 200 vjeçare u shit gjatë ankandit Sothebys në Hong Kong me një çmim të lartë. Bëhet fjalë për një koleksion prej 16 pemëzash kineze që u paraqitën në një ekspozitë me titull "Arti i bonsait". Kjo ekspozitë solli për vizitorët koleksionin e Philip Hui të bonsait , që i përkiste shekullit të 18-të, i cili paraqiste një natyrë të ndërthurur me artin. I pyetur nga mediat koleksionisti tha se është adhurues i natyrës në përgjithësi, por i pemëve në veçanti. Mënyra e rritjes së pemëzave është mjaft interesante për të dhe adhuron pemët qindravjeçare. Por gjetja e këtyre pemëve realizohet me vështirësi. Vlera e shitjes në ankand e kësaj pemëze, me një jetëgjatësi të lavdërueshme arrin nga 6.500 deri në 130 mijë dollarë.
Një element interesant është edhe emri i pemëzave, penjing. Për këtë koleksionisti Philip Hui shpjegon."Pemëzat quhen nga japonezët bonsai, ndërsa nga kinezët penjing. Përsa i përket fjalës kineze ajo vjen nga "pen" që është një lloj ene dhe "jing" toka. Por sipas Hui-t, edhe fjala japoneze "bonsai" e ka prejardhjen nga kinezishtja e vjetër. Ai thotë se në kinezishten e lashtë termi "penzai" ose "penjing" do të thotë "pemëz". Në lashtësi për kinezët rritja e pemëzave përbënte një art më vete. Koleksionisti Philip Hui e ushtron këtë pasion për mbledhjen dhe kërkimin e "pinjing" prej 20 vjetësh, por i mungon koha për të realizuar planet e tij, ndër të cilët dhe krijimin e një klubi për peinjing.
"Ky është një art i vërtetë. Ndërsa pema ka tendencën e saj të rritjes, ne i krijojmë një tjetër tendencë, pasi mendojmë se kështu do të jetë më artistike".
Në ekspozitën e pemëzave në miniaturë në Nanjing me medaljen e artë u nderua një pinjing i shekullit të 20-të i një peme kumbulle të ëmbël kineze.
Pemëzat kineze ndahen në 3 kategori. Në pemët penjing, peizazhi penjing dhe toka penjing. Kultivimi i pemëzave -penjing ka praktikën e vet të veçantë, e cila nuk ngjan me praktikat e tjera të rritjes së bimëve apo luleve. Pemëzat që të bëhen të tilla i nështrohen një praktike afatgjatë të kultivimit të tyre në kontenierë. Në mjaft ambjente në Kinë, në shtëpi banimi, restorante, sallone pritjeje, qendra tregtare, në objekte shërbimesh por dhe jashtë tyre sheh pemëza të llojeve të ndryshme, që nga bambutë e deri te pemët frutore dhe pemët e mbushura me lule, karakteristike kineze apo aziatike. Ato janë një dekorim, që jo vetëm zbukuron ambjentin ku vendosen, por edhe përcjellin energji pozitive për çdo njeri që i sodit dhe u qëndron pranë.
Metro artistike në Pekin
Autoritetet e metrosë së Pekinit kanë paraqitur propozime të reja për 28 stacionet e saj. Komisioni Komunal për planifikimin urban të Pekinit ka përcaktuar stacionet e linjave 6,7 dhe 14 të metrosë së metropolit kinez, për tu pajisur me vepra arti si skulptura apo piktura.
Janë përzgjedhur dhe temat për veprat e artit, kështu në linjën 7 të metrosë propozohen elemente të kulturës tradicionale dhe moderne, kurse në linjën 6 karakteristika të qarkut Tongzhou.
Qytetarët mund të votojnë online në websiten e autoritetit të metrosë propozimet për veprat e artit me të cilat do të zbukurohen stacionet e metrosë së Pekinit. Kjo mënyrë menaxhimi është një shprehje e bashkëpunimit funksional të organeve shtetëtore dhe komunitetit, ku mendimi qytetar është parësor. (Eda Merepeza)