20140630Hotpot2 |
Futbolli-kryefjala e ditës
Kampionati botëror i futbollit është në kulmin e tij por tifozët e shumtë nga njera ndeshje në tjetrën mes emocioneve të garës sportive, konsumimit të alkoolit mund të dëmtojnë rëndë shëndetin. Madje dhe të vdesin...
Humbja e ndeshjeve ka qenë mjaft e dëmshme për shëndetin e disa prej tifozëve të futbollit në vende të ndryshme të botës. Një studim i botuar nga British Medical Journal nënvizon rrezikun e infarktit të miokardit në rritje të 25 % të tifozëve anglezë kur ekipi britanik humbi ndeshjen me Argjentinën në kampionatin botëror të vitit 1998. Një tjetër studim tregon se 60% e vdekjeve gjatë Kampionatit botëror të futbollit të vitit 2002 u shkaktuan nga stresi që shoqëroi tifozët gjatë ndeshjeve.
Çfarë ndodh me tifozët kinezë të futbollit?
Kina nuk është kualifikuar për në Botërorin e Brazilit 2014, por janë të shumtë tifozët kinezë të këtij sporti popullor, që këto ditë ndjekin me shumë interes ndeshjet.
"Chongqing Evening News", i cituar nga mediat kineze raportonte më 21 qershor se një grua shtatzanë, e emocionuar nga goditja spektakolare e futbollistit gjerman Thomas Muller u rrëzua nga divani ku shihte ndeshjen dhe për pak rrezikoi jetën e foshnjes në bark.
Televizioni i Shangait raporton se një tifoz 30 vjeçar humbi jetën më 15 qershor pasi kishte qëndruar rreth 3 netë pa gjumë duke ndjekur ndeshjet e futbollit në Brazil.
Mjeku këshillon tifozët e futbollit
Lidhur me këto ngjarje të rralla në përditshmërinë tonë, doktor Gilbert Shia, i qendrës mjekësore ndërkombëtare Medicgo, në distriktin Chaoyang të Pekinit, thotë se rreziku i vdekjes në rradhët e tifozëve emotivë bëhet i dukshëm gjatë kampionateve botërore.
Ai këshillon se personat që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, diabeti dhe veçanërisht nga sëmundje të zemrës duhet të jenë shumë të kujdesshëm.
Doktor Shia thotë se janë dy faktorë kryesorë që shkaktojnë një numër të madh pacientësh në sallat e urgjencës së spitaleve, ndërsa në Brazil luhen ndeshjet e Botërorit. Sipas tij së pari janë emocionet e forta dhe së dyti rregjimi jo i rregullt i ndjekjes së ndeshjeve. Me regjim, mjeku ka parasysh të ushqyerit e gabuar dhe mungesën e gjumit.
"Disa nga pacientët kanë spazma zorrësh, dhimbje barku dhe humbje të lëngjeve nga të vjellat. Por këto shkaktohen nga stresi i fortë. Personat që vuajnë nga hipertensioni, apo patologjitë e zemrës duhet të mos kalojnë gjendje të tilla stresi, ndërsa ndjekin ndeshjet e futbollit", thotë mjeku Shia.
Ndjekja e ndeshjeve në orët e vona të natës për tifozët aziatikë me një orar të ndryshëm nga Brazili, sipas mjekëve është shkaktar i stresit të shtuar për shkak të pagjumësisë, konsumimit të alkoolit në orët e vona , apo të ushqimeve të ndryshme gjatë ndjekjes së ndeshjeve të futbollit.
Nëse skuadra juaj e zemrës humbet, emocionet tuaja të mërzitjes manifestohen me simpoma të tilla si diarrea, stresi, lodhja por edhe nëse skuadra e zemrës fiton, stresi i përjetuar, përsëri dëmton shëndetin e tifozëve.
"Lumturia dhe gëzimi si pasojë e fitores së ndeshjeve mund të dëmtojnë nivelin e epinefrinës si dhe kushte të tjera fizike. Gëzimi është një emocion pozitiv, por zhvillohet në të njejtën mënyrë si dhe emocionet negative të zhgënjimit apo të mërzitjes" shpjegon doktor Shia.
A këshillon sportdashësit që të mos teprojnë konsumimin e pijeve alkolike gjatë ndjekjes së ndeshjeve, ashtu si dhe u këshillon tifozëve që e ndjekin sportin në ambjente restorantesh apo baresh, të ruajnë gjakftohtësinë që të mos konfliktohen me tifozë të ekipeve rivale.
Lidhur me sportdashësit nga Kina të cilët për shkak të ndryshimit të orës detyrohen të rrinë zgjuar deri në orët e vona të pas mesnatës për të parë live ndeshjet, doktor Shia këshillon se nëse vuajnë nga hipertensioni apo sëmundjet e zemrës dhe të diabetit, ata nuk duhet të qëndrojnë në orë të vona për të përjetuar emocionet e ndeshjeve, siç bëjnë njerëzit e shëndetshëm.
Pra mjekët këshillojnë të ndjekim Kampionatin Botëror të Futbollit me entuziazëm, por pa dëmtuar shëndetin tonë. (Eda Merepeza)