20140630PUTAO |
Ai ka qenë në një qytet të vogël të Kinës për 17 herë nga viti 2000 deri në vitin 2009. Përveç mësimdhënies për mbjelljen dhe shartimin e rrushit, ai autorizoi një fabrike vendore të përdorë markën e verës së trashëguar nga familja e tij me një histori qindravjeçare. Ai është Nobert Gyrres, një mik i popullit kinez siç u vlerësua nga kryetari i shtetit Xi Jinping gjatë vizitës së tij marsin e kaluar në Gjermani. Tani, katër vjet pas ndarjes nga jeta të z. Gyrres, nipi i tij Mark Linden po vazhdon punën e pakryer të gjyshit të tij në Kinë.
"Klima dhe toka e këtushme janë të përshtatshme për rritjen cilësore të rrushit. Gjithnjë e më shumë kinezë po njohin të mirat e verës për shëndetin. Banorët në qytetin Zaozhuang janë shumë miqësorë. Ata kanë interes të dëgjojnë sugjerimet e të tjerëve dhe të shkojnë në Gjermani për të mësuar nga afër nga përvoja e atjeshme. Familjet fshatare janë pjesëmarrëse të këtij projekti sepse nuk duam që të ndërtojmë një punishte vere për të pasuruar të pasurit, por për të ndihmuar të varfërit", thotë Mark.
Ai flet për nismën origjinale të gjyshit për përhapjen e teknikave të mbjelljes së rrushit në qytet Zaozhuang, gjatë ceremonisë së dekorimit me "Çmimin e Miqësisë Qilu". "Çmimi i Miqësisë Qilu" është krijuar nga autoritetet e provincës Shandong (ku ndodhet Zaozhuang) për të vlerësuar specialistët e huaj që kanë kontribuuar në zhvillimin ekonomiko-shoqëror vendor.
Mark Lindeni, 39 vjeç është një ekspert i prodhimit të verës. Është hera e tretë që viziton Zaozhuang-un dhe ky është çmimi i parë i tij, por i dyti i familjes. Në vitin 2010, në vizitën e parë të tij në Kinë, Marku mori çmimin në vend të të ndjerit, gjyshit të tij Nobert Gyrres.
Z. Nobert Gyrres gëzon popullaritet si një njohës i verës në Ahr, një ndër zonat kryesore të prodhimit të verës më të mirë në Gjermani. Kur kujton takimin e parë me të, përkthyesja e tij znj. Ning Yanmin,shprehet:
"Ai ishte personi nr.1 në këtë drejtim në Ahr. Bashkëshortja e tij bëri shaka me mua dhe më këshilloi të shikoja si punon ky nun i verës, kur e shoqërova në një mbledhje. Ai u ul në qendër si kreu i të gjithë prodhuesve vendas të verës".
Ky ekspert i dalluar gjerman, ka vizituar 17 herë distriktin Shanting të qytetit të vogël Zaozhuang, duke u mësuar fshatarëve teknikat e rritjes dhe të prodhimin e verës cilësore. Vetëm në vizitën e parë, ai solli nga Gjermania mbi 10 mijë fidane rrushi, madje pagoi 30,000 juanë(gati 5000 $) për tejkalimin e peshës së bagazheve. Distrikti Shanting është një zonë e pazhvilluar me kushte të vështira jetese dhe pune. Megjithatë, me të mbërritur këtu, Noberti u ambientua shumë shpejt me jetën e fshatarëve të zonës. Duke iu kujtuar e kaluara, përkthyesja Ning, flet me adhurim:
"Ai ishte milioner me një shtëpi të rehatshme e të mirëdekoruar në Gjermani. Kur jetonte këtu shpesh ndërpritej energjia elektrike apo uji. Ndonjëherë, ai nuk arrinte dot as të lante dhëmbët".
Përveç vullnetit dhe pasionit për përhapjen e teknikave gjermane të prodhimit të verës, qëllimi i Nobertit ishte të ndihmonte fshatarët të gjejnë punë në vendlindje, të mos e braktisin atë për të punuar në qytetet e mëdha, për të mbajtur familjet e tyre të varfra. Lidhur me këtë, nipi i tij Mark Linden tha:
"Gjyshi mësoi se shumë fshatarë largoheshin për të gjetur punë në qytete të tjera. Ai ishte i mendimit se mund të gjente një mënyrë për të zbutur varfërinë në këtë zonë".
Me ndihmën e Nobertit dhe asistentit të tij në distriktin Shanting u krijua një parcelë e mbjellë me mbi 70 hektarë rrush, një punishte vere me një qilar prej 2000 metrash katrore. Në shtatorin e vitit 2008, vera e kuqe dhe e bardhë të prodhuara nga punishtja e Shanting-ut hynë në treg. Përpjekjet e Nobertit patën rezultate. Mirëpo, kur biznesi ishte në kulm të zhvillimit, Noberti dhe asistenti i tij u larguan nga jeta njëri pas tjetrit, duke i hidhëruar pa masë banorët vendës. Në kujtim të tyre ata ndërtuan një skulpturë bronzi të Nobertit në punishte.
Mark Lindeni është nipi i Nobertit. Që në vogëli, Marku mësoi nga gjyshi teknikat për prodhimin e verës dhe ka marrë çertifikatën profesionale përkatëse. Në vitin 2006, ai mori të drejtën e kontrollit të punishtes së Nobertit në Gjermani. Pas ndërrimit të jetës së gjyshit, Mark Lindeni nuk e dinte se do të lidhej ngushtë me këtë qytet të vogël të Kinës. Por një vizitë para katër vjetësh e bëri të ndryshojë mendjen.
Në gushtin e vitit 2010, Marku së bashku me bashkëshorten mori pjesë në ceremoninë e përurimit të skulpturës prej bronzi të gjyshit në Shanting.
"Kur unë me time shoqe po ecnim në punishte, vumë re se pas largimit nga jeta për dy vjet të gjyshit, ajo nuk kishte një gjendje të mirë përsa i përket mirëmbajtjes. Përkthyesja më tha se fshatarët ishin pikëlluar shumë dhe s'dinin si të ecnin përpara. Kështu i këshillova si të vepronin. Ata në fillim u tronditën dhe pasi mësuan se edhe unë kisha eksperienca në këtë drejtim, nuk lanë pyetje pa më bërë. Pastaj, anullova programet e tjera të vizitës dhe fillova tu jap këshilla teknike", tha Marku.
Tani, Marku është këshilltar i fshatarëve dhe i dorëzoi kooperativës së tyre të drejtën e përdorimit të markës së punishtes familjare në Gjermani. Muajin e kaluar, ai u rikthye në Shanting për trajnimin e punëtorëve me teknikat e rritjes së findaneve, prerjes dhe shartimit. Lidhja e familjes gjermane Gyrres me Shantingun po bëhet gjithnjë e më e ngushtë, ashtu si hardhia e rrushit.