20140616Hotpot1 |
Zonja Ren Chunqing ka një vajzë të vetme, e cila studjon në Japoni dhe prej 2 vjetësh sfidojnë largësinë duke biseduar në skype. 51 vjeçarja nga provinca Shanxi tregon muajin e parë të largimit të vajzës e vuajti shumë mungesën e saj por dhe ishte e shqetësuar për mbarëvajtjen e jetës së vajzës në vend të huaj.
Vajza e saj Guo Jiao që nga tetori i 2012 kryen studimet për doktoraturë në biologji pranë Universitetit të Tokjos. Sipas Ren e bija është shumë e pavarur dhe shqetësimi i saj ishte i pabazuar.Zonja Ren e vizitoi të bijën në kryeqytetin japonez ku qëndroi një muaj, por atje u mërzit pasi nuk njihte gjuhën dhe pjesën më të madhe të kohës qëndronte vetëm.
Pas kthimit nga Japonia, Ren vendosi të zinte kohën e saj me veprimtari të ndryshme. Ajo shpesh këndonte dhe kërcente me një grup miqsh, merrej me fotografi madje dhe shkonte për turizëm me të shoqin brenda apo jashtë Kinës.
Foleja bosh
Zonja Ren është një nga prindërit e familjeve "me fole bosh", siç quhen në Kinë familjet ku fëmija studjon apo punon jashtë vendit. Numri i studentëve kinezë jashtë vendit ka arritur në 413,900 në vitin 2013, duke shënuar një rritje prej 3.58% krahasuar me një vit më pare, theksojnë të dhëna të Qendrës për studentët jashtë vendit pranë Ministrisë kineze të arsimit. Sipas të dhënave pritet që këtë vit akademik numri i sduentëve kinezë jashtë vendit të arrijë në 500 mijë.
Sun Hongmo, drejtor i Qendrës së shkëmbimit të studimeve universitare me jashtë, thekson se ka shënuar rritje dhe numri i studentëve në shkollat e arsimit të mesëm jashtë vendit. Vitin e kaluar rreth 45 % e studentëve kinezë jashtë vendit ishin të përfshirë në programet e studimit për master dhe PhD në universitetet e SHBA-së, kurse 40% ndiqnin studimet e mesme në shkollat amerikane thotë Sun.Në këtë mënyrë numri i familjeve kineze "me fole bosh" pritet të rritet.
Ndihmë për prindërit e vetmuar
Edukatorë dhe psikologë këshillojnë prindërit e vetmuar pas ikjes së fëmijëve të tyre jashtë vendit për studime. Ata këshillojnë që prindërit duhet të shkëputin vemendjen nga fëmija që ndodhet larg dhe të nisin një mënyrë të re jetese.
Jia Rongtao, një këshillues familjare, njëherësh drejtor i Grupit këshillimor edukativ Rongtao sugjeron që prindërit e vetmuar të merren me veprimtari artistike si piktura, kaligrafia, të luajnë në piano, të këndojnë, duke pasuruar kështu jetën e tyre të përditëshme dhe duke larguar vetminë. Sipas sociologut prindërit që janë në pension dhe kanë fëmijët jashtë vendit për studime, duhet të gjejnë motive për të mos ndjerë vetminë. Ata këshillojnë që prindërit në këto raste të rinisin veprimtari kulturore , studimore apo sportive që i kanë lënë pas dore kur kanë qenë në punë dhe kur merreshin me rritjen e fëmijës, pasi nuk kishin kohë për hobby-t e tyre. Ka ardhur koha, këshillojnë psikologët që prindërit e vetmuar të zëvëndësojnë mungesën e përkujdesjes për fëmijët me pasionet e tyre. Ata mund të shëtisin, të merren me veprimtari në dobi të komunitetit, të ushtrojnë veprimtari fizike apo sportive dhe të gjitha këto do të largojnë mendimin që u sjell trishtim, atë të mallit dhe shqetësimit për fëmijën e tyre të vetëm, që ndodhet larg.
Respekt dhe mbështetje
Xu Yan, profesor i psikologjisë pranë Universitetit të Pekinit, thotë se prindërit duhet të kujdesen në mënyrë të moderuar, pa ndërhyrë në jetën e fëmijëve. Sipas tij prindërit duhet të lejojnë fëmijët të bëjnë zgjedhjet e tyre dhe të mos ndërhyjnë në to, veçanërisht kur ata jetojnë dhe studjojnë jashtë vendit. Veçanërisht ai këshillin prindërit e një fëmijëve të vetëm, të cilët në shumicën e rasteve bëhen posesivë ndaj fëmijëve edhe kur janë të rritur. Janë të shumta rastet kur prindërit duan të drejtojnë jetën e fëmijëve të tyre edhe kur ata kanë krijuar familje, apo kur jetojnë të pavarur.
Ai sugjeron që prindërit të respektojnë dhe të mbështesin fëmijët, por ata mund ti këshillojnë në rast nevoje, duke i lënë fëmijët të rriten të pavarur. (Eda Merepeza)