20140609biye |
Kjo verë mbase duket më e nxehtë për ata të diplomuar të shkollave të larta, që ende nuk gjejnë punë se konkurrimi që I prêt është i ashpër.
Sipas një dokumenti të publikuar në mes të majit nga Këshilli i Shtetit i Kinës, numri i studentëve që diplomohen sivjet në shkollat e larta do të arrijë në 7 milionë e 270 mijë, duke shënuar një rekord të ri historik. Ashpërsia e konkurrimit në tregun e punës ka tërhequr vëmendjen e qeverisjes qendrore, e cila u bën thirrje autoriteteve lokale të marrin masa konkrete për të krijuar më shumë vende pune, në të mirën e shfrytëzimit të nivelit të lartë edukativ të punëmarrësve. Qeveritë e niveleve të ndryshme nxiten ti kushtojnë më shumë vemendje zhvillimit të sektorëve të shërbimeve moderne si dizenjim, logjistikë, financë etj.
Në të kaluarën, ata që mbaronin shkollat e larta shiheshin me zili sepse nuk e kishin problem gjetjen e punës. Për shkak të mungesës së intelektualëve me diplomë universitare, qeveria caktonte vendin e tyre të punës. Ndërkohë, në krahasim me punëtorët e thjeshtë, "kuadrot" me diplomë kishin rrogë edhe kushte më të mira jetese. Por, tani, arsimi i lartë është popullarizuar në Kinë, duke sjellë presione afatgjata në tregun e punës.
Gjatë 10 vjetëve të kaluar, numri i të diplomuarve të shkollave të larta është dyfishuar, nga 3.38 milionë deri në 7.27 milionë. Çdo vit në Kinë duhet të punësohen gati 25 milionë njerëz, 15 milionë ndër të cilët janë të rinj. "Studentët që kanë mbaruar arsim të lartë janë burim i rëndësishëm njerëzor. Ndërsa, sivjet, të diplomuarit nga shkollat e larta zënë afro gjysmën e të të rinjve që kërkojnë punë. Kjo tregon se arsimi universitar është përhapur dhe është e pamundur që çdo I diplomuar të gjejë një punë ideale si brezat e mëparshëm", tha z. Mo Rong, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Punës dhe të Sigurimeve Shoqërore pranë Ministrisë së Burimeve Njerëzore të Kinës.
Sipas të dhënave statistikore nga sektorët arsimorë, deri në fund të prillit, vetëm 31.5% e të diplomuarve nga shkollat e larta të Pekinit gjetën punë. Përqindja e punësimit në 11 shkolla ishte vetëm 5%. Kurse, deri më 10 maj në Shangai, 42.8% e të diplomuarve nënshkruan kontratë me punëdhënësit, shifër kjo 1.6% më e ulët se verën e kaluar, kur konkurrimi u cilësua si "rekord në histori".
Nga ana tjetër, ndërmarrjet kanë kërkesa të mëdha për punëtorë të thjeshtë dhe teknikë profesionistë. Në tregun e punës, për 1.8 vende të tilla pune ka vetëm 1 kandidat të kualifikuar.
Z.Zhu Xinqing, përgjegjës i burimeve njerëzore të Korporatës nr.2 të Makinave Metalprerëse të Qytetit Ji'nan të provincës Shandong i tha gazetarit se i mungojnë shumë teknikë, sepse profesionistët po i afrohen moshës së pensionit. "Ne nuk kemi nevojë për më shumë punonjës që merren me studime, por na duhen shumë talente që zotërojnë teknikat konkrete", tha z. Zhu. Kurse sipas z. Xiao Zhiyong, homologu i z. Zhu nga një kompani e montimit të pajisjeve moderne petro-kimike pohoi se rroga e kryeteknikut në firmën e tij është sa e zv.kryemenaxherit dhe tekniku i lartë fiton më shumë se sa menaxheri i mesëm.
Një raport i botuar në gazetën e përditshme "Guangmingribao" të 14 majit zbuloi se të diplomuarit nga kolegji dhe ata që kanë marrë gradën e masterit dhe doktoraturë gjejnë punë më lehtë se sa ata që kanë kryer katër vjet studime. Mirëpo, pjesa kryesore e të diplomuarve të sivjetshëm i përkasin tipit të fundit.
Një situatë e tillë detyron shumë të diplomuar të bëjnë zgjedhje që ndryshojnë nga planifikimi i mëparshëm.
Xu Ye, 22 vjeç i diplomuar vjet për shkenca kompjuterike në një shkollë të lartë të provincës Hu'nan tani është pronar i një restoranti të vogël. "Pas diplomimit nuk gjeta punë që lidhet me degën time universitare, ndaj me financimin e familjes dhe të miqve, nisa biznesin tim. Kjo është një sferë që nuk e njihja më parë. Fatmirësisht tani gjithçka po ecën mirë. Dua të hap edhe një dyqan kompjuterik, sepse fundi i fundit, kam studiuar për katër vjet kompjuter në shkollë", i tha gazetarit Xu, që duket shumë optimist për të ardhmen.
Por në fillim fare, ai nuk ishte aq i lumtur. "Shokët e mi të shkollës mendojnë se kam bërë një zgjedhje të cuditëshme. Jam i ri me një diplomë universitare dhe është normale që të gjej një punë të qëndrueshme në qeveri apo në ndonjë kompani ndërkombëtare, me rrogë të mirë. Përndryshe, duket sikur diplomën e kam marrë kot. Por mendoj se nuk i kam shpërdoruar njohuritë që kam përvetësuar në shkollë. Studimet dhe jeta shkollore më ndihmojnë në zgjerimin e biznesit tim", u shpreh Xu.
Siç mësohet, gjithnjë e më shumë të diplomuar po ndjekin rrugën që devijon nga plani i mëparshëm: shitës mishi, klloun, dado etj. Shumë profesione që duken fare larg titullit "të të diplomuarit universitar" po provohen nga studentët e rinj.
"Në të kaluarën, njerëzit e gjykonin një punë me intensitetin, orarin, vendin e punës, statusin shoqëror etj. Por, çdo profesion ka vlerën e vet. Nëse mund të bësh një punë mjaft mirë, nëpërmjet të cilës pasqyrohet edhe vlera jote, kjo do të thotë se ke gjetur punën ideale. Ndonjëherë, duhet të shpërfillësh gjykimet e të tjerëve", tha Su Yuan, një student që do të diplomohet vitin tjetër.
Ndryshimi i konceptit të studentëve ndoshta ka nevojë për një kohë më të gjatë. Por, para një ndryshimi të tillë, qeveria duhet të bëjë edhe diçka. Kina është një vend në zhvillim , ndaj në këtë periudhë nevojiten shumë teknikë profesionistë, por jo studjues. Ndryshimi duhet të nisë menjëherë nga shkollat e larta.
Për të përballuar këtë gjendje, Ministria e Arsimit e Kinës ka nisur dy reforma. Së pari, provimi i pranimit për shkollat e larta do të ndahet në dy lloje, një për studentët që kanë dëshirë të vazhdojnë studimet shkollore dhe tjetra për ata që kanë më shumë epërsi në përvetësimin e teknikave konkrete. Së dyti, mbi 600 shkolla të larta të nivelit të mesëm do të anëtarësohen në një koalicion të përgatitjes së talenteve profesioniste, me anën e të cilit, pritet që më shumë studentë të marrin kualifikimin e duhur në shkollë,sipas kërkesës së tregut të punës.