20140609Hotpot1 |
Yin Xaoxing është një 44 vjeçar, që jeton duke përdorur një karrocë paralitikësh pasi është prekur nga poliomeliti. Me këtë karrocë, që tashmë është një mjet i rëndësishëm i përditshmërisë së tij, Yin ka shëtitur në 31 provinca të Kinës gjatë 24 viteve të fundit. Udhëtimi i këtij Odiseu kinez në karrocë paralitikësh ka përshkuar 76 mijë kilometra.
Yin Xaoxing, ka lindur në vitin 1970 në fshatin Xuzhou të provincës lindore Jiangsu. Ai u prek nga sëmundja e poliomelitit kur ishte 8 muajsh dhe që nga ajo kohë këmbët e tij nuk lëvizin. Shpenzimet e shumta për mjekimin e djalit e detyruan familjen fshatare të hynte në borxhe të mëdha. Prindërit në pamundësi ekonomike menduan ta dërgonin Yin në ndonjë institucion por gjyshja e tij i bindi të mbanin djalin në shtëpi dhe të kujdeseshin për të. Vështirësi të mëdha pati djali i paralizuar për tu arsimuar, pasi në shkollë i thane se nuk mund ta përballonte mësimin si fëmijët e shëndetshëm. Yin studjonte pandërprerë deri sa arriti të përfundonte provimet me rezultate mjaft të mira.
Yin kishte një interes të madh për letërsinë dhe lexonte shumë libra dhe revista që i huazonte nga mësuesit. Me rezultatet e shkëlqyera ai nisi studimet e mesme, por fatkeqësisht nuk mundi të vazhdonte studimet universitare, për shkak të përkeqësimit të shëndetit.
Në moshën 16 vjeçare Yin dëshironte të jetonte vetëm, por prindërit nuk ishin dakord. Ai ishte mjaft shëndetlig dhe peshonte më pak se 40 kg. Me ndihmën e mjekëve ai arriti të përmirësonte shëndetin dhe gjithë kohës lexonte dhe shkruante.
Në moshën 21 vjeçare Yin nuk dëshironte të vazhdonte jetën e tij si një parazit. Fshehurazi huazoi nga një mik 3,000 yuan (ose 480 dollarë) dhe i tha të ëmës se donte të jetonte jetën e tij.
Pasi kishte aplikuar për 86 vende pune të përshtatshme për të, Yin u pranua të punonte për një revistë letrare në provincën Hainan. Gjithmonë kishte ëndërruar të udhëtonte dhe kur ishte i lire me karrocën e tij kishte vizituar disa vende pranë qytetit të tij.
Por itinerari i vërtetë i Yin nisi në 1992 deri në 2009:
Nisi udhëtimin në malin Hengshan në Hunan në vitin 1992;vijoi me rrafshnaltën Qinghai në Tibet në 1993; në vitin 1994 vizitoi Murin e madh kinez dhe malet Hengshan, Huashan dhe Huangshan në 1995; Një vit më pas Yin vizitoi malin Songshan në Henan dhe Taishan në Shandong; Itinerari i tij vazhdoi me vizitën në Makao në vitin 1998; në shkretëtirën Taklimakan në Xinjiang në vitin 1999; më pas vizitoi Lop Nor në Xinjiang në 2004; vijoi me vizitat në Shaanxi, Gansu, Xinjiang dhe Tibet në 2006; Sanya në 2007; dhe Tibet në 2009.
Yin është i pari njeri në karrocë paralitiku që ka kaluar malin me lartësi 5 mijë metra mbi nivelin e detit. Deri në vitin 2009, udhëtimet e Yinit u përqëndruan në qytetet jugperëndimore të Kinës.
Eksperiencat e tij të udhëtimit 20 vjeçar ai i ka memorizuar në librat e tij në prozë, poezi, por dhe në një biografi.Yin është bërë pjesë e veprimtarive të ndryshme sensibilizuese për personat me aftësi të kufizuara në Kinë. Aktualisht ai po planifikon udhëtimin e tij të gjashtë drejt Tibetit. Ky njeri është një shembull kuptimplotë i dëshirës për jetën, vullnetit të pashoq dhe përpjekjeve për të qenë një qytetar i denjë i vendit të tij. (Eda Merepeza)