PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Të mbrohen fëmijët nga duhani
2014-06-03 17:58:45 CRI Komenti juaj Printoni

31 maji është "Dita botërore pa duhan" (No Smoking Day). Tema e sivjetshme është "Rritja e taksave të duhanit për të mbrojtur brezat e ardhshëm". Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendet e zhvilluara, mbi 90% e të sëmurëve me kancer në mushkëri janë duhanpirës. Përveç këtyre, pirja e duhanit është edhe shkaktari kryesor I bronkitit, infarktit të miokardit si dhe shton vdekshmërinë dhe shformimin foshnjor.

Siç mësohet, Kina është vendi që pëson dëmet më të mëdha nga pirja e duhanit. Me popullsinë më të madhe duhanpirëse në botë prej 300 milionë vetësh, çdo vit 1.4 milion njerëz vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Po të mos merren masat konkrete, deri në vitin 2050, numri i të vdekurve nga duhani do të kalojë 3 milionë. Ndërsa, një grup studiuesish të Universitetit amerikan të Kalifornisë ka zbuluar se nëse të miturit pijnë duhan, do të pakësohet lënda gri në trurin e tyre që përgjigjet për vendim-marrjen. Kështu që pasi rriten, ata do të kenë kërkesë më të madhe për duhan dhe do të jetë e vështirë të heqin dorë nga pirja e duhanit.

Kurse, në një raport të publikuar ditët e fundit nga Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve e Kinës, vihet në dukje se në bazë të sondazhit të zhvilluar në 336 qytete të 31 provincave të vendit, adoleshentët kinezë janë ekspozuar në një mjedis të pafavorshëm për

kontrollin e duhanit. Nëse të miturit pijnë duhan, dëmet për sistemin e frymëmarrjes dhe atë kardiovaskular do të jenë edhe më të rënda dhe mbi 80% e tyre do të kenë varësi të përjetshme ndaj duhanit.

Sipas sondazhit, gati 7% e nxënësve në shkollat e mesme të Kinës po përdorin duhan. 10.6% e djemve janë duhanpirës të rregullt. Ndërkohë, mbi 80% e të miturve të intervistuar nuk kanë pasur asnjë pengesë për të blerë cigarë,ndërsa ligji lejon vetëm shitjen e cigareve për të rriturit mbi 18 vjeç. Krahas faktit që vjet, mosha ligjore për blerjen e cigareve është ngritur deri në 21 në Nju Jork , gati 2/3 e nxënësve pjesëmarrës kinezë të sondazhit pohojnë se në dyqanet afër shkollës mund të blejnë shumë lehtë duhan, pasi atje cigaret shiten me copë për adoleshentët, që nuk kanë mjaft para për një paketë.

Gazetarët e radios sonë bënë një vëzhgim para një jave në hyrjen e një shkolle të mesme në distriktin Chaoyang të Pekinit verilindor. Me të dalë nga shkolla, dy djem ndezën cigaret me pa durim. Pasi mësuan se dyqani përballë shkollës shiste cigare me copë, gazetarët shkuan atje për intervistë. Në murin e dyqanit varej një tabelë ku shkruhej ligji për ndalimin e shitjes së duhanit të miturve. Mirëpo, për çdo "klient të ri", pronari shet cigare pa hezitim e pa kontrollin e kartës së identitetit. Sipas sondazhit të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, mbi 25% e nxënësve duhanpirës blejnë cigare me copë. Kurse mbi 2% ka provuar produktet e reja të duhanit.

Por, dyqanet që shkelin ligjin janë vetëm ofrues të duhanit. Pse kaq shumë të rinj kanë interes të pijnë duhan? Kjo ka të bëjë më shumë me ambientin e pafavorshëm që në fillim i bën ata të bëhen "duhanpirës pasivë".

Ministria e Arsimit e Kinës ka nxjerrë prej vitesh rregulloren disiplinore për të ndaluar mësimdhënësit të pijnë duhan para nxënësve. Mirëpo, mbi 14% e nxënësve të intervistuar thonë se çdo ditë shohin mësuesit duke pirë cigare në shkollë. Ndërkohë, mbi 57% e pjesëmarrësve kanë njerin nga prindërit duhanpirës. Gati 70% e të miturve konfirmuan se muajin e kaluar panë në telelvizor apo në ekranin e madh, kryesisht në filma, aktorë që pijnë duhan.

Sipas znj. Xiao Lin, eksperte e kontrollit të duhanit pranë Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve, pamja e pirjes së duhanit në media mund të shtojë tre herë mundësinë që adoleshentët të provojnë duhanin. Nëse idhujt e tyre nga bota e artit pijnë duhan, mundësia që ata të provojnë cigaren do të jetë 16 herë më e lartë. "Duke parë veprimet e mësuesve, prindërve dhe njerëzve të famshëm, fëmijët do të konceptojnë se duhanpirja nuk është një gjë e keqe. Është një gjë që mund të zgjedhin sipas dëshirës pasi rriten. Ky orientim, është shumë i gabuar", tha znj. Xiao.

Nga ana tjetër, kontrolli i duhanit përballet me sfida nga prodhuesit e duhanit. Sipas sondazhit, 75% e të intervistuarve kanë parë material propagandistike për kontrollin e duhanit në 30 ditët e kaluara. Kurse, gati 50% e tyre kanë parë edhe reklamat e kompanive prodhuese të cigareve, 22% e të cilëve nëpërmjet televizionit dhe 14% në median e shkruar. Deri tani, nuk ka ndonjë ligj të saktë që ndalon publicitetin e produkteve të duhanit.

Ndërkohë, vetëm 36% e nxënësve kanë mësuar në shkollë njohuritë për dëmet e duhanit ndaj shëndetit dhe mbi 68% e tyre nuk dinë se nikotina mund të krijojë varësi fizike dhe psikike. Gati 13% e të intervistuarve mendojnë se pirja e duhanit mund ti bëjë më tërheqës. Por megjithëse mbi 72% e duhanpirësve kanë dëshirë dhe kanë provuar të heqin dorë nga duhani, vetëm 11% e arritën këtë , me ndihmën e specialistëve. Për të patur rezultate efektive në frenimin e përhapjes së duhanit mes të miturve, Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve propozon disa masa si:

Ligje të reja dhe zbatim më i mirë i ligjeve aktuale për kontrollin e duhanit në hapsirën publike. Të dënohen me gjoba të rënda pirja e duhanit në shkollë dhe shitja e duhanit për nxënësit, duke ndaluar në mënyrë të gjithanshme publicitetin e produkteve të duhanit dhe organizimin e çdo aktiviteti shoqëror me financimin e prodhuesve të duhanit.

Ngritja e taksave dhe çmimeve të duhanit.

Sipas studimeve , ngritja e çmimit të cigareve mund të nxitë 10% të të rinjve të heqin dorë nga pirja e rregullt e tij.

Përveç kësaj, në raport paraqiten dhe propozime si shtimi i propagandës për dëmet e varësisë së nikotinës, trajnim i mjekëve të shkollave për tu ofruar të rinjve duhanpirës ndihmë për lënien e duhanit.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China