20140526kinasot |
Herët në mëngjes, rreth orës 4 apo 5, te hyrja e një shkolle të veçantë të qytetit Wuxi të Kinës lindore mblidhen shpesh një numër i madh të moshuarish. Ata marrin me vete nga një stol të vogël dhe bukë, ndërsa qëndrojnë në një rradhë të gjatë, që duket sikur do të nisin një betejë. "U çova më herët se herën e kaluar. Por kam frikë se as sot nuk do të mund të regjistrohem", flet i mërzitur zoti He, ndërsa sheh rradhën e gjatë të qindra të moshuarve para tij. Kjo është një shkollë për studentët e moshës së tretë. Në krahasim me shkollat e tjera, kurset e hapura këtu janë relativisht të thjeshta dhe ngjajnë me hobet e tyre.
Në orën 8.30, kur nis mësimi, fluksi i "studentëve" vërshon te salla e pritjes për tu regjistruar në klasa të ndryshme. Shumë shpejt, janë zënë të gjitha vendet në "degët" më të pëlqyera si kompjuter, piano, vallëzim, vizatim, gatim i kuzhinave të ndryshme etj. Disa heqin dorë dhe kthehen mbrapsht të dëshpëruar. Por ka nga ata që nuk zgjedhin ndonjë degë të veçantë dhe mjaftohen me një vend të lirë në çdo lloj klase.
Bumi i studentëve të moshës së tretë nuk ndodh vetëm në qytetin Wuxi, por edhe në shumë krahina të vendit. Në regjistrimin e sivjetëm pranveror të qytetit Harbin të Kinës verilindore, përgjegjësi i shkollës për të moshuarit Zheng Yan kujton se ato ditë, i gjithë stafi lodhet shumë me përmbushjen e kërkesave të mijëra studentëve, aq sa nuk kishin fuqi të flisnin pas punës. Një situatë e ngjanshme ndodh edhe në provincat Hubei, Shanxi etj.
Siç na tha përgjegjësi për pranimet në shkollën e moshës së tretë të distriktit Haidian të Pekinit, z. Xiong Zhenchang, studentët/kursantët e shkollës së tij zakonisht "diplomohen" pas 3 apo 6 semestrash, pasi arrijnë një nivel të caktuar. "Por shumë studentë preferojnë të ngelin se sa të diplomohen. Kemi një të moshuar që ka ngelur prej 24 vjetësh dhe refuzon të diplomohet", tha z.Xiong.
Gjyshja Zheng, 75 vjeçe banon në qytetin Harbin. Para 12 vjetësh, filloi "studimet" në shkollën për të moshuarit, por deri tani nuk ka marrë asnjë provim diplome që mund të konfirmojë nivelin e saj "studimor". Gjatë këtyre vjetëve, Zheng ka ndjekur pothuajse të gjitha kurset si muzikë vokale, vallëzim, operë e Pekinit etj. Kjo shkollë është bërë për të një pjesë e pandarë e jetës.
"Sa të rrosh do të mësosh", fjala e urtë në shqip ekziston dhe në gjuhën kineze. Por, jeta e këtyre të moshuarve në shkolla të tilla nuk është njësoj si ajo e të rinjve që diplomohen. Chen Chunmiani, drejtor i shkollës së moshës së tretë të qytetit Wenzhou të Kinës lindore thotë se pjesa dërrmuese e kursantëve ndjekin shkollën thjesht për të kaluar kohën si pensionistë . "Disa studentë kanë qenë specialistë të ndonjë fushe si valltarë apo kuzhinierë profesionistë. Edhe pse ata janë më të zotët se mësuesit tanë, regjistrohen në kurset tona sepse duan të kenë një jetë shoqërore", tha z. Chen.
Gazetarët e revistës "Banyuetan", pas një sondazhi të hollësishëm zbuluan se lulëzimi i jashtëzakonshëm i shkollave për moshën e tretë pasqyron në mënyrë tjetër vetmie të pensionistëve në shoqërinë moderne. Pasi përmbushin nevojat jetike, të moshuarit kërkojnë më shumë komunikim me të tjerët dhe pasurimin e përvojës psikike.
Znj. Fang, mbi 80 vjeç, së bashku me të shoqin ka ndjekur shkollën për gati 20 vjet, pasi doli në pension. "Nëse shkolla nuk na detyron të diplomohemi, do të mbetemi përjetësisht studente. Jemi mirë me shëndet dhe jetojmë çdo ditë me mbështetje shpirtërore", tha znj. Fang.
"Mbështetja shpirtërore" është arsyeja e fshehtë e pothuajse të gjithë kursantëve të moshuar. Pasi dalin në pension, ata ndahen nga jeta shoqërore dhe izolimi afatgjatë mund të shkaktojë probleme fizike apo mendore.
Znj. Zhang Sulian, punonjëse e shkollës së moshës së tretë të qytetit Taiyuan tha se tani televizori është bërë shoqëruesi kryesor i pensionistëve. "Përveç parjes televizor, disa të moshuar kalojnë kohën duke luajtur letra apo Mah-jong. Ata që nuk i kanë qejf lojërat e tavolinës, rrinë në stolat anës trotuarëve duke soditur kalimtarët. Shumë të moshuar kështu shpenzojnë kohën", u shpreh znj. Zhang.
Zhang Yushun, 62 vjeç reagon ndaj fjalëve të znj. Zhang. "Fëmijët i kam shumë larg dhe jetoj vetëm me gruan. Ne të dy, sa herë dalim nga shtëpia nuk kemi ku të shkojmë. Disa herë, rri në rrugë dhe dua të shkëmbej dy fjalë me çdo njeri që kalon pranë meje. Pa më pyetur, dua ti tregoj çdo rrugë që di", tha z. Zhang. Kurse, sipas 61 vjeçarit z. Zhang Zhiyong, tani gjithnjë e më shumë pensionistë jetojnë të vetmuar. Shumë prej tyre nuk kanë hobi të veçanta dhe izolohen nga shoqëria. Ndjekja e shkollës mund ti ndihmojë të ndjekin aktualitetin dhe të komunikojnë me të tjerët.
Të dhënat statistikore të kryera në Pekin vërtetojnë etjen e të moshuarve për një jetë të pasur shoqërore. Sipas këtyre të dhënave pas një analize për 5 vitet e fundit, përveç kërkimit të subvencioneve të duhura ekonomike, të moshuarit kërkojnë më shumë vëmendje nga brezi i ri.
Mirëpo, kërkesat e larta kanë vështirësuar funksionimin e shkollave për të moshuarit.
Përgjegjësi i shkollës në Harbin, Zheng Yan tha se tani në shkollat e saj ka gati 20 mijë studentë, por vetëm 34 klasa. Për të realizuar çdo orë mësimi të gjitha klasat dhe stafi i shkollës punojnë pa ndërprerë me angazhim të plotë. Në krahasim me shkollat e tjera, këto shkolla nuk mund të ndodhen larg qendrës së qytetit se distanca krijon vështirësi për studentët e moshuar. Ndërsa, në qendër të çdo qyteti, me vështirësi gjenden hapësira për ambjente shkollore.
Në vitin 2013, numri i të moshuarve në Kinë i ka kaluar 200 milionë dhe kjo shifër pritet të arrijë në 487 milionë pas 38 vjetësh, duke zënë mbi 1/3 e popullësisë së përgjithshme. Si do të përsoset kalimi i pleqërisë me një jetë të pasur shoqërore? Kjo është një sfidë e qeverisë kineze.