20140526Hotpot1 |
"Nëna pseudo-single" ishte titulli i një artikulli të botuar në rrjetin social kinez wechat. Pikërisht ky artikull e futi në mendime 41 vjeçarin An Na, i cili me sa duket gjeti shumë të përbashkëta me opinionet e artikullshkrueses. Po çfarë shkruante ajo ?
"Çdo ditë e jetës sime jam tepër e zënë me tim shoq, me vjehrrën, me fëmijët dhe punët e shtëpisë. Të gjitha këto po më marrin frymën, shkruhej në artikullin e një nëne nga Tajvani, e cila e quante veten "nëna pseudo-single", pasi i shoqi, pra i ati i fëmijëve të saj gjatë gjithë kohës ishte tepër i zënë dhe nuk shpenzonte kohë në familje, apo për familjen.
"Kur lindi vajza ime e parë, gjendja ishte pak a shumë e njejtë me të artikullshkrueses", tregon An. I shoqi i saj inxhinier ishte 3 javë në muaj jashtë shtëpisë për punë dhe e shoqja merrej me rritjen e dy vajzave të tyre të moshë 7 dhe 10 muajshe, si edhe me punët e tjera në shtëpi."
Më tej në rrëfimin e saj në wechat kjo nënë ka treguar se i shoqi është ai që sjell rrogën në shtëpi, por ai jep pak energji dhe emocione për familjen,madje mungon shumë në përditshmërinë e saj. Sa herë që i shoqi ndodhej në shtëpi dhe bashkëshortja i kërkonte të luante me vajzën e tyre të vogël ai i përgjigjej se ishte shumë i lodhur. Ndërkohë i shoqi ndodhej i shtrirë në divan, duke parë televizor, kurse e shoqja merrej me punë shtëpie.
Kjo dukuri takohet shpesh në familje të ndryshme të botës.
Sipas themeluesit të organizatës "How to family club" në Pekin, Hai Wenying që merret me këshillime për prindërit "Shumë prej baballarëve nuk arrijnë ta kuptojnë se e lenë pas dore familjen. Për këtë arsye i quajmë "Babai i padukshëm". Ata janë të bindur se po punojnë për të sjellë rrogën në shtëpi dhe për të mbështetur mirërritjen e fëmijëve". Madje sipas Hait shumë baballarë janë të bindur se nënat janë ato që duhet të merren me ushqimin,edukimin dhe rritjen e fëmijëve.
Në familjet kineze me një fëmijë, mungesën e babait në familje, e mbulojnë gjyshërit, që në shumicën e rasteve ndihmojnë në rritjen e fëmijës. Në këtë rast gjyshërit luajnë rolin që duhet të luajë realisht babai në familje.
"Të qenit i zënë me profesionin e tyre në shumë raste ëshë një justifikim i burrave, që e përdorin për të lënë detyrimet familjare të zgjidhen nga bashkëshortja" thotë 49 vjeçari Chang Shitao, zëvendëspresident i një website kinez për mësimin e gjuhës angleze. E bija e tij sapo është diplomuar në Universitetin e Harvardit dhe ai thotë se kur ajo ishte ende e vogël, megjithë punën e përditshme ai ndihmonte bashkëshorten në kryerjen e detyrave shtëpiake si dhe të rritjes dhe edukimit të vajzës së tyre.
Ekspertët këshillojnë nënat e reja të nxitin bashkëshortët në rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve si dhe në edukimin e tyre.
Por sipas Chang janë vetë nënat në shumë raste që shmangin pjesmarrjen e bashkëshortit në punët e shtëpisë apo rritjen e fëmijës. Ato i marrin përsipër këto detyra dhe nuk i përfshijnë bashkëshortët në realizimin e tyre. Sipas xinhuanet.com me rastin e 11 majit, Ditës ndërkombëtare të Nënës, 28 nëna kineze shpallën një ditë grevë ndaj punëve të shtëpisë.
Me këtë nismë ato shpresojnë të sensibilizojnë bashkëshortët por dhe anëtarët e tjerë të familjes për marrjen e më shumë përgjegjësive në punët e shtëpisë si dhe në rritjen e edukimin e fëmijëve.(Eda Merepeza)