20140519Hotpot1 |
Në gjuhën kazake "baerluke" do të thotë bollëk, pasuri.Por popullsia nomade që jeton rrëzë maleve Baerluke-në kufirin mes Kinës dhe Kazakistanit, në Rajonin Autonom të Xinjiangut ka patur gjithmonë mungesë të mjekëve."Banorët e Baerlukes kanë nevojë për mua", kështu mendoi mjekja Mei Lian, që prej 20 vjetësh ka punuar në këtë rajon.Si shpërblim i përkushtimit të saj në punë, 47 vjeçarja u emërua në vitin 2012 zëvendësdrejtore e spitalit të Xinjiangut, në afërsi të zonës Yumin.Edhe pse tashmë në një detyrë të rëndësishme ajo kurrë nuk i harroi pacientët e saj malësorë dhe me këmbëngulje vazhdoi të shkonte në këto zona të thella.
"Misioni im si mjeke është të shpëtoj jetë njerëzish dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë," thotë e vendosur Mei. Prindërit e Meit kishin ardhur të punonin në zonën e Xinjinagut e pikërisht në Baerluke në vitin 1962, ndërsa vetë ajo u lind në vitin 1967. Si pasojë e mungesës së ndihmës mjekësore vëllai i Meit kishte vdekur në moshën 3 vjeçare,ndërsa prindërit po e dërgonin në spitalin më të afërt. Atëkohë shumë fëmijë të vegjël të fqinjëve të Meit kishin humbur jetën si pasojë e mostrajtimit mjekësor në kohën e duhur. Pikërisht këto dhimbje shpirtërore e kishin orientuar Mein drejt profesionit të mjekut.
Ajo nisi të lexonte hershëm libra mjekësorë dhe ndoqi me korrespondencë kurse të mjekësisë tradicionale kineze. Pas përgatitjes së saj në njohuritë mjekësore, Mei u bë ndihmës-infermiere në një klinikë të zonës në vitin 1987. Ajo shërbeu për 20 familje barinjsh kazakë,por për shkak të terrenit malor dhe kushteve të vështira të motit, Mei shkonte për ndihmë mjekësore me kalë. Kishte raste kur udhëtimi i Meit mbi kalë të zgjaste edhe 4 orë deri në shtëpinë e pacientit që duhet të vizitonte.
"Nuk isha kalorëse e mire dhe kishte raste që rrëzohesha,kujton Mei. Por kurrë nuk u ktheva nga rruga, sepse e dija që pacientët më prisnin. Isha ndihma e vetme e tyre." Puna plot përkushtim e Meit rriti reputacionin e saj në të gjithë zonën malore. Në një periudhë 20 vjeçare ajo u kishte dhënë ndihmë mjekësore mijëra pacientëve, ndonëse disa prej tyre kishin vështirësi ekonomike dhe nuk paguanin dot. Mei u huazonte nga lekët e saj për të blerë medikamente apo për të kryer analiza mjekësore.
Në detyrën e zëvendës-drejtores së spitalit të zonës deri në vitin 2012, Mei përballej me vështirësi të tjera.
"Megjithëse pajisjet mjekësore në spitalin tone janë moderne, pak mjekë mund ti përdorin ato. Ne nuk kryejmë dot ndërhyrje kirurgjikale, thotë Mei.
Ajo shqetësohet se shumë mjekë të rinj për shkak të zonës rurale malore, rrogave të ulta, nuk dëshirojnë të punojnë në këtë spital. Sipas saj problemi më i madh në këto zona është se mjekët e rinj preferojnë të shpërngulen me punë në qytete dhe nuk dëshirojnë të punojnë në këto zona. Por Mei nuk dorëzohet, ndaj ajo ka nisur të aplikojë metoda menaxheriale për të nxitur mjekët dhe infermieret të punojnë në këtë spital të largët malor. Një nga këto masa është pagesa e mbipunës nga 12 juanë në ditë për infermieret dhe 35 juanë në ditë për mjekët. Sipas Meit kjo masë nxitëse ndikon në rritjen e pagesës mujore të personelit mjekësor me 500-600 juanë në muaj, që janë të barabarta me rreth 100 dollarë.
Zhou Mengmeng, 24vjeçar i diplomuar për mjekësi në Shandong, ka nisur punën në spital në gusht. Ai tregon se banorët e zonës janë njerëz të thjeshtë, por shumë të dashur. Ai vlerëson përvojën e çmuar të Meit për mjekët e rinj.
"Baerluke ka nevojë për punën time, ndaj dëshiroj që para se të kem dale në pension këtu të jetë krijuar një ekip i vërtetë mjekësor, i aftë të përballojë kërkesat e banorëve të zonës së thellë malore për shërbim cilësor mjekësor,thotë Mei.
Misioni human i mjekut sjell shpesh personazhe si Mei, e cila ka patur gjithmonë prioritet të punës së saj, pacientët. Një jetë e lidhur me sakrifica në emër të humanizmit, ky është shembulli që sjell mjekja kineze Mei dhe përditshmëria e saj, në dukje e thjeshtë, por sa madhështore në rezultate. (Eda Merepeza)