20140519Hotpot2 |
Mbretëresha e Danimarkës vlerëson Kinën
Gjatë vizitës që kreu në Kinë në fund të prillit Mbretëresha Margrethe e Dytë e Danimarkës dhe bashkëshorti i saj Princi Henrik, në një konferencë për shtyp në hotelin "Peninsula",në Shangai mbretëresha shprehu befasinë ndaj ndryshimeve të jashtëzakonshme të Kinës. Ajo e kishte vizituar Kinën 35 vjet më parë dhe tha se atëkohë Putong ngjante si një fermë, kurse tani është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme financiare të vendit.Sipas saj vitet e fundit është rritur ndjeshëm bashkëpunimi mes Kinës dhe Danimarkës në fusha të ndryshme të jetës. Ajo bëri thirrje për thellim të këtij bashkëpunimi dhe zgjerim të rij në fusha të ndryshme.
Condoleezza Rice mes studentëve kinezë
Ish sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice, ishte e pranishme si profesore nderi e Universitetit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike të Hunanit, në një forum të organizuar në fund të prillit në Pekin. Gjatë fjalës së mbajtur para studentëve dhe profesorëve të këtij universiteti, zonja Rice foli për eksperiencën e saj në forumin me temë "Rëndësia e arsimimit".
Krahas misionit të saj si profesore, zonja Rice diskutoi me studentët e Universitetit të Hunanit për ndikimin e arsimimit të nivelit të lartë në ndërkombëtarizimin e sfidave. Rice është e para sekretare shteti femër nga komuniteti afro-amerikan. Ajo ka punuar si pedagoge e shkencave politike pranë Universitetit të Standfordit në vitet 1993-1999.
Dija nuk ka moshë
Wu Tianxiong është një bletërritës 92 vjeçar nga Hefei dhe është studenti më i moshuar i provincës, pasi ndjek kurset universitare dy herë në javë.Pavarësisht moshës së thyer ai i ndjek me shumë dëshirë kurset bashkë me studentët e tjerë.
Sipas china.org.cn Wu u pranua të ndiqte kurset para dy vitesh në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë. Ai frekuenton bibliotekën e Universitetit një herë në tre ditë. Wu ka dhënë një ndihmesë të madhe në rritjen e kafshëve pranë Fakultetit të Shkencave.Ai ka shumë njohur përsa i përket rritjes së bletëve.Pas studimeve afro 30 vjeçare të rreth 50 mijë bletëve të rritura prej tij, Wu thotë se helmi i bletëve mund të përdoret për kurimin e disa sëmundjeve.Një shembull i denjë për librin e rekordeve Guinness është 92 vjeçari kinez Wu, që na tregon se dija nuk ka moshë.
Dizenjim modern i banjove publike
Banjot publike, si pjesë e çdo qyteti nuk mbeten jashtë vemendjes së urbanistëve. Realizimi i tyre estetik, por njëherësh dhe të dobishme e me privatësi të siguruar për qytetarët,kërkon punë. Një pjesë e tyre ndodhen në parqe,ndaj arkitektët mendojnë se ato duhet të përshtaten me arkitekturën e parqeve.Sipas dizenjuesit Xu Tiantian, "banjot publike kanë elementët e domosdoshëm si ruajtjen e privatësisë, ventilimin, ndriçimin, por u mungon përshtatja me mjedisin". Ndërsa sipas profesorit Kong Hanbing, nga Kolegji i administrates publike të Universitetit të Zhejiang në pjesën më të madhe të qyteteve kineze po përmirësohen jo vetëm shërbimet sanitare, por dhe dizenjimi i banjove publike. Sipas tij numri më i madh i këtyre shërbimeve ndaj komunitetit u rrit gjatë përgatitjeve për Lojrat Olimpike të Pekinit në 2008, si dhe u përmirësua paraqitja e tyre.
Në Pekin vitin e kaluar numri i banjove publike ishte mbi 12 mijë nga 2.200 që ishte në vitin 2005.Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se 65% e popullsisë së Kinës përdor lehtësitë sanitare që nga viti 2011 dhe kjo përqindje rritet nga viti në vit.(Eda Merepeza)