20140512Hotpot2 |
Fëmijët "robër" të teknologjisë
51% e fëmijëve të moshës 6-12 vjeç në qytetet kineze kanë adresë personale në internet. Një sondazh i kryer në 15 qytete të mëdha të Kinës si në Pekin, Shangai, Lanzhou dhe Wuhan, thekson se janë intervistuar 3,306 fëmijë rreth mediave sociale. Çfarë zbuloi sondazhi? 44.5% e këtyre fëmijëve kanë telefon cellular në përdorim, kurse 68% e tyre përdorin tabletët. Madje sipas sondazhit pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve ka deklaruar se kanë përdorur kompjuterin dhe telefonin cellular që në kopësht.
Fëmijët kinezë të moshës 6-12 vjeçare komunikojnë me bashkëmoshatarët e tyre por edhe prindërit apo të afërmit me rrjetet sociale mjaft të përhapura në Kinë si QQ, Weibo dhe WeChat. 84.8 % e fëmijëve të anketuar kanë adresë në rrjetin social QQ , një ndër më popullorët në Kinë, ndërsa 70 % e tyre kanë deklaruar se e përdorin çdo ditë atë. Sipas sondazhit mbi 51 % e fëmijëve të anketuar kanë thënë se rrjeti social QQ përbën mjetin më të rëndësishëm të komunimimit për ta.
Ndërsa 51 % e tyre përdorin rrjetin social Weibo,që njihet si Twitter-kinez, kurse 45.7 % janë përdorues të një lloj facebook-u kinez të quajtur WeChat.
Sipas sondazhit mënyra e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët kinezë të moshës 6-12 vjeç nuk ndryshon nga ajo e të rriturve. Rreth 80 % e tyre kanë thënë se përdorin kompjuterin për të kërkuar informacione të ndryshme çdo ditë, kurse 46.8 % e tyre lexojnë lajme të ndryshme online. Fëmijët ndonëse dukshëm në moshë të vogël kanë thënë për sondazhin se ata përdorin internetin si ndihmë për zgjidhjen e problemeve të tyre të përditëshme.
Fëmijët kinezë e përdorin tabletin, kompjuterin dhe celularin për argëtim. Në sondazh ata kanë thënë se mbi 90 % e tyre përdorin këto mjete për të luajtur online,kurse 42 % e tyre paguajnë çdo muaj për lojëra të ndryshme online.
Sondazhi përfundon me faktin se mbi 30 % e të intervistuarve të moshës 6-12 vjeç e konsiderojnë më të afërt teknologjinë informatike se sa prindërit.
Në leksion pa celular
Universiteti i qytetit Tianjin, në veri të Kinës ka iniciuar një program të titulluar "Ishull i ruajtjes së celularëve".Bëhet fjalë për dorëzimin vullnetar nga ana e studentëve e celularëve të tyre gjatë zhvillimit të orëve të leksioneve. Të gjithë e dinë se sa problematike është mbajtja e telefonit celular në orët e mësimit. Nuk janë të pakta rastet kur nxënësit apo studentët përdorim celularët për të kopjuar, për të parë filma apo dëgjuar muzikë, për të komunikuar me mesazhe apo për të fotografuar. Ndaj në këtë universitet për ti dhënë fund të gjitha këtyre "pengesave" është ndaluar celulari.
Përpara nisjes së orës së leksionit studentet vendosin celularët në disa qeska të veçanta dhe pas përfundimit të leksionit i rimarin ato. Kjo nismë duhet përshëndetur dhe madje përhapur, pasi me siguri do të ndikojë në rritjen e vëmendjes së studentëve në leksion.
Rregulla të reja për birësimin në Kinë
Kina po rishikon praktikat e birësimit të fëmijëve, për të shmangur abuzimet me to, njoftohet në faqen zyrtare të qeverisë chinalaw.gov.cn. Rregullat e reja të hartuara nga Ministria e çeshtjeve civile janë të hapura për sugjerimet e opinionit publik. Ndër këto rregulla të reja parashikohet që nëse njëri nga anëtarët e familjes birësuese diskriminon apo abuzon ndaj fëmijës së birësuar, ose nëse kërkon lekë në emër të rritjes së fëmijës së birësuar, institutet që merren me birësimet do ti heqin kësaj familjeje të drejtën e birësimit.Familjet që kryejnë abuzime të rënda ndaj fëmijës së birësuar do të dërgohen për ndjekje penale.
Në rregulloren e re saktësohet se punonjës të institucioneve që merren me birësimin do të kryejnë vizita të shpeshta pranë familjeve që kanë birësuar fëmijë. Ata do të vlerësojnë kushtet e rritjes dhe edukimit të fëmijës së birësuar,sjelljen e prindërve birësues dhe do të raportojnë për këto pranë instituteve përkatëse.
Deri në 5 qershor qytetarët mund të bëjnë sugjerimet e tyre në websiten qeveritar lidhur me rregulloren e re të birësimit në Kinë. (Eda Merepeza)