20140505uniforma |
Ndryshe nga situata në Shqipëri, ku zakonisht në shkollat private përdoren uniformat shkollore, në Kinë, pothuajse çdo shkollë e mesme ka kostum të veçantë, të cilin nxënësit duhet të veshin kur janë në shkollë.
Por, ditët e fundit, stili i uniformës shkollore po bëhet një ndër temat më të diskutuara në internet në Kinë. Veshjet e gjera sportive jo sipas masës së trupit që mund të përdoren për disa vite, me stil të vjetër jo të modës, por më të përhapura, janë bërë objekt kritikash.
Lidhur me këtë, revista e përjavëshme "Arsimi Modern" bëri një sondazh nëpër shkolla me nxënës, prindër dhe specialistë.
Por si mendojnë nxënësit?
Në një intervistë me nxënësit e shkollës së mesme "You'an'men" të distriktit Fengtai të Pekinit, gazetarët vunë re se megjithëse disa adoleshentë nuk interesoheshin për dizenjimin e uniformës shkollore, ata u ankuan duke thënë se "uniforma ka stil jashtë kohës, e paaftë të përballojë të ftohtin e dimrit apo nxehtësisë së verës, është tepër e gjerë dhe nuk përshtatet në trup" etj. Disa nxënës madje u treguan gazetarëve se kanë bërë ndryshime të uniformës, si përshembull, një vajzë i ka ngushtuar pantallonat, kurse një tjetër ka qendisur pjesën e bardhë të uniformës. Shumë prej tyre nuk kënaqen me veshjet aktuale shkollore. Por ka edhe një pjesë të madhe nxënësish që vlerësojnë pozitivisht uniformën shkollore sepse veshjet sportive janë elastike dhe të rehatshme në çdo rast në shkollë.
Megjithatë, sipas një sondazhi të zhvilluar ditët e fundit në uebsitin më të vizituar nga të rinjtë kinezë "www. QQ.com", mbi 73% e pjesëmarrësve janë të pakënaqur me uniformën shkollore. Mbi 11% u ankuan për masën e papërshtatshme, mbi 14% për mosdallimin e veshjes për vajza dhe djem.
Çfarë komentojnë prindërit?
Uniformat shkollore filluan të përhapeshin në Kinë pas reformës dhe hapjes ndaj botës së jashtme në fund të viteve 70' të shekullit të kaluar. Pas një periudhe mbi 30 vjeçare, uniformat shkollore ende nuk janë aq të përhapura sa në ShBA apo vendet e zhvilluara europiane.
Instituti i Teknologjisë së Modës i Pekinit(Beijing Institute of Fashion Technology) ka kryer një sondazh me prindërit që kanë fëmijë në shkollë të mesme. Sipas sondazhit, prindërit i kushtojnë më shumë rëndësi rehatisë, masës, cilësisë së stofit dhe përshtatjes së ngjyrave. Shumë prej tyre thanë se uniforma duhet të ndihmojë fëmijët në forcimin e vetëbesimit nga pamja.
Sipas sondazhit, gati 90% e të intervistuarve të rritur janë dakord se uniforma e unifikuar duhet të jetë e vetmja veshje që fëmijët përdorin kur janë në shkollë.
Mendimet e tyre mbështeten mbi tre arsye. Së pari, uniforma mund ti bëjë fëmijët të ndihen krenarë si anëtarë të një grupi kolektiv. Së dyti, uniforma mund të përfaqësojë frymën e një shkolle për standardet e kultivimit të sjelljeve të nxënësve, duke mos harruar se në aktivitetet jashtë shkollës, nxënësit me të njejtën uniformë dallohen lehtë. Së treti, uniforma e unifikuar në shkollë e detyron nxënësin të fokusohet te mësimet, jo te krahasimi i veshjeve të veta me ato të shokëve të tjerë. Ata që vijnë nga familje me kushte jo të mira ekonomike nuk do të ndihen të mërzitur në shkollë ku të gjithë vishen njësoj.
Edhe pse prindërit theksojnë rëndësinë e uniformës shkollore, prapë, ata nuk janë shumë të kënaqur për uniformat e fëmijëve. Disa shprehin pakënaqësi se në dimër uniformë është tepër e hollë, kurse në verë duket tepër e trashë. Ndërsa, një rezultat mjaft interesant është se prindërit mendojnë se veshjet sportive sipas masës së trupit të fëmijëve janë alternativa më e mirë për uniformën shkollore. Në mendimet e tyre, rehatia sigurisht zë vendin e parë, por jo dizenjimi sipas modës.
Për të zgjidhur këtë problem të vështirë, disa shkolla kanë nisur eksperimentet: po përgatisin dy veshje shkollore, një sportive, kurse tjetra me dizenjim kostumi.
Sivjet, pas grumbullimit të kërkesave të nxënësve, Shkolla e Mesme Nr.9 e distriktit Shijingshan të Pekinit perëndimor porositi një grup kostumesh të mirëdizenjuara në ngjyrë blu, portokalli dhe jeshile. Mirëpo, megjithëse kostumet u pëlqyen nga nxënësit, zv.drejtorja e shkollës He Yingru tha se përhapja masive nuk duket aq e lehtë. "Nxënësit çdo ditë kanë të paktën 1 orë sport në dy orë të ndara. Prandaj, nuk është e lehtë të ndërrojnë shpesh veshje. Ndërkohë, kushtet ekonomike familjare të nxënësve nuk janë njësoj. Për ato që janë me aftësi të kufizuara ekonomike, nuk duhet të propozojmë uniforma me stof cilësor. Mos harroni se uniforma e qepur sipas masës së nxënësve duhet të ndërrohet shpesh se fëmijët rriten shpejt", tha znj. He.
Kurse, në kritikat për uniformën e gjerë shkollore me stil sportiv, asistentja e drejtorit të Fakultetit të Artit të Dizenjimit të Institutit të Teknologjisë së Modës, Gu Yuanyuan tha se megjithëse tani në vend ka stilizim të mirë dhe stof cilësor, përhapja e uniformave të tilla ka disa pengesa konkrete.
Sipas saj, në Japoni, një uniformë shkollore mund të kushtojë mbi 1000 juanë(mbi 161$) , ndërsa në Kinë një uniformë e tillë cilësore shitet me afro 300 juanë(mbi 48$). Kina është një vend në zhvillim dhe shumë prindër nuk janë në gjendje të përballojnë një veshje kaq të shtrenjtë për fëmijët vetëm për përdorim në shkollë. Përveç këtyre, në vendet e zhvilluara ka dhoma të posaçme të ndërrimit të veshjes për nxënësit në raste të duhura. Kurse shumë pak shkolla kineze kanë kushte të tilla.
Znj. Gu Yuanyuan propozoi që shkollat të marrin më shumë në konsideratë prodhimin e veshjeve shkollore në të ardhmen. Sipas saj, nxënësit e shkollës fillore pëlqejnë më shumë ngjyrat e hapura, kurse gjimnazistëve u pëlqejnë ngjyrat e qeta. Kështu që shkollat mund të porosisin uniformën në ngjyrat e parapëlqyera nga nxënësit e moshave të ndryshme. Njëkohësisht, duhet të trajtohet mirë problemi i rritjes së shpejtë të nxënësve, si përshembull qemeri i pantallonave të prodhohet me llastik ose lidhëse që të përshtaten sipas trupit në rritje të nxënësve.