20140428dushu |
E mërkura e kaluar, 23 prilli ishte Dita Botërore e Leximit. Në Kinë, ku prindërit i kushtojnë shumë vëmendje edukimit të fëmijëve, të rriturit sikur e kanë ulur pasionin ndaj librave. Sipas një sondazhi të publikuar të hënën nga Qendra Studimore e Shtypit, vjet numri mesatar i leximit të librave prej letre ishte vetëm 4.77, shumë më i ulët se 11 në Korenë e Jugut, 20 në Francë, 40 në Japoni dhe 64 në Izrael. Koha mesatare për leximin në ditë është vetëm 13.43 minuta për frymë.
Pse kështu?
Një ndër përgjigjet kryesore është "nuk kam kohë". Znj. Chen, që punon në një firmë shtetërore tha se pasi kthehet nga puna, duhet të kujdeset për fëmijën në shtëpi. "Kam vetëm pak kohë që nuk mjafton për tu përqendruar te leximi i librave", tha ajo e dëshpëruar.
Por, ndër të intervistuarit që ankohen për mungesën e kohës, studiuesit zbuluan se megjithëse po pakësohet koha e kushtuar leximit të librave, po shtohet minutazhi i leximit në internet nëpërmjet celularit. Ndërkohë, shumë përdorues të internetit preferojnë të harxhojnë një ose dy orë për të shfletuar uebsite të panumërta sesa të lexojnë pesë faqe libra. Për këtë fenomen, zonjusha Wang Li, 32 vjeçe u shpreh se kolegët dhe miqtë e saj ndiejnë presione të rënda nga ritmi i shpejtë i punës, kështu që nga lodhja nuk kanë "oreks" për lexim serioz. Si të tjerët edhe ajo e përdor internetin për lojëra elektronike, ose për të parë video.
Kurse znj. Xu Yan u ankua për ngritjen e çmimit të librave. "Më pëlqen shumë leximi. Por tani çmimi i librave është dyfishuar në krahasim me të kaluarën. Tani mund të blej vetëm dy libra në muaj", tha ajo e dëshpëruar. Të marrim veprën e Viktor Hugo-it "Të mjerët" për shembull. Para 10 vjetësh, çmimi ishte vetëm 600 lekë për një kopje. Pas rritjes së vazhdueshme, çmimi i këtij libri i ribotuar arriti deri në 1900 lekë.
Problemi nuk ngelet vetëm te çmimi. Sipas të dhënave statistikore të publikuara në "Librin Blu të Botimit 2012", numri i llojeve të librave të botuar në vitin 2012 në Kinë i kaloi 414 mijë, me më shumë se 7.9 miliardë kopje. Me këtë shifër gjigante, Kina u bë vendi i parë në botë nga vëllimi i librave të botuar. Mirëpo, lexuesit vënë re se ka gjithnjë e më pak libra cilësorë.
Z. Chen Ping, që e konsideron leximin si hobin më të madh është shqetësuar për uljen e cilësisë së librave. "Çfarë po lexoj janë kryesisht vepra klasike. Kam më shumë qejf leximin e varianteve të botuara disa vjet më parë, sepse kam pasur eksperiencë të pakëndshme. Bleva librat mbi të cilët shënohen vlerësimet e larta nga personalitetet e fushës së letrave. Por, në një libër kaq të trashë kishte vetëm pak përmbajtje të vlefshme. Nuk e di çfarë ka më tërheqës përveç një kapaku të dizenjuar bukur", u ankua z. Chen.
Megjithë uljen e leximit të librave letre, kinezët sidomos të rinjtë zgjedhin variantin eletronik si mënyrë të lexuari. Zhao Fei, 19 vjeç u shpreh se me përhapjen e internetit, librat prej letre janë jashtë mode dhe në dëm të mbrojtjes së mjedisit. Ndërkohë, sipas rezultateve të sondazhit për zakonet e leximit të banorëve kinezë, mbi 50% e të rriturve të intervistuar kanë përdorur librat e dixhitalizuar. Mbi 90% e tyre u shprehën se pasi lexojnë variantet elektronike, nuk kanë dëshirë të blejnë një kopje prej letre të librit.
Të gjitha arsyet e sipërpërmendura shkaktojnë pakësimin e leximit të librave prej letre ndër më shumë se 50% e të intervistuarve kinezë. Lidhur me këtë, profesori i sociologjisë pranë Universitetit të Pekinit, Xia Xueluan sqaroi se ndryshimi i zakonit të leximit ka të bëjë më shumë me shpejtimin e ritmit të jetës dhe të punës vitet e fundit. "Në shoqërinë moderne, është e vështirë të menaxhohet bilancimi midis jetës dhe punës sepse njerëzit mezi gjejnë kohë të lirë. Pas një dite të zënë, ata duan vetëm çlodhje, por jo "stërvitje mendore" si marrje e njohurive nga librat", tha z. Xia.
Ndërkohë ai shtoi se si një prirje e kohës sonë, duhet të pohojmë se leximi në internet është edhe një mënyrë e leximit. "Uebsitet janë të shumëngjyrshme me piktura të bukura dhe muzikë. Një atmosferë e tillë favorizon më shumë leximin e shpejtë, ç'ka nuk ndihmon në kultivimin e aftësisë së njerëzve për mendimet e arsyeshme. Megjithëse kjo mënyrë leximi mund të ndikojë në thellësinë e të kuptuarit të përmbajtjeve në libra, qeveria, duhet të nxitë leximin duke marrë masa konkrete, pavarësisht në internet apo në tregun e shitjes së librave", tha sociologu.