Quhet Zhao Bo dhe është nga provinca e Qingdaos. Ai është një sipërmarrës i suksesshëm, një milioner, dhe ka një ëndërr: t'i shndërrojë zonat rurale të Qingdaos në fshatra modernë me arsim të përparuar, kujdes shëndetësor dhe strehim. Për të realizuar këtë ëndërr, ai la biznesin e eksportit, kur të ardhurat e tij vjetore arrinin në 100 milionë dollarë, dhe u kthye në fshatin e vet të lindjes, me një ëndërr: të sillte pasuri dhe modernizim në fshatin dikur të prapambetur. Pas këtyre viteve pune të vështirë, a e ka realizuar ai ëndrrën e vet? Le të shohim.
Në rrugën "Donghai" në Qingdao ka një dyqan që shet mish të një lloji të veçantë derri të zi, të quajtur "lichahei" në kinezishte, që gjendet vetëm në Qingdao. Edhe pse çmimet janë deri pesë herë më të shtrenjta se normalja, rreth 120-200 juanë për kilogram, dyqani është gjithmonë i mbushur dingas me klientë.
Derrat e zinj lichahei ia ndryshuan jetën Zhao Bo-së. Ata janë një specie e rrallë e zbutur. Biznesi i mbarështimit të derrit në Qingdao ishte në prag të zhdukjes në vitet '80 të shekullit të kaluar, për shkak të importimit të derrave që kishin një rritje të shpejtë. Në vitin 2007 Zhao Bo, djalë i kësaj krahine, u ftua nga Zyra vendore e Zooteknisë për t'u kthyer e për të ndihmuar në shpëtimin e derrit të zi lichahei. Zhao e pranoi sfidën. Me përpjekjet e tij, mishi i derrit të zi u kthye sërish në treg dhe u bë mjaft i pëlqyer.
Por ëndrra e Zhao nuk u ndal aty. Ai donte të përmirësonte standardin e jetesës së bashkëfshatarëve të vet. Prandaj, kur iu ofrua mundësia për të qenë kryeplak i fshatit, ai sërish nuk e hodhi poshtë ofertën:
"Unë kam lindur në këtë fshat. Kam lidhje të forta shpirtërore me jetën rurale. Mendoj se industrializimi dhe urbanizimi nuk janë domosdoshmërisht pjesë e procesit të modernizimit. Duke gjykuar nga kushtet e fshatit tim, mendoj se, përmes standardizimit bujqësor dhe prodhimit në shkallë të gjerë, ne sërish mund të kemi modernizim. "
Hapi i tij i parë ishte ngritja e një komiteti që do të merrej me çështjet e fshatit e që do të përbëhej nga banorët e tij. Të gjitha gjërat lidhur me biznesin e fshatit do të diskutoheshin këtu:
"Ky komitet bashkon njerëzit me ide. Ata diskutojnë dhe debatojnë për çështjet e ndryshme. Dhe gjatë rrjedhës së diskutimit publik, janë marrë shumë vendime të mençura."
Zhao paraqiti në fshat planin e suksesshëm të biznesit të mbarështimit të derrit të zi. Ai u siguroi derrat dhe teknologjinë falas fshatarëve që donin të merrnin pjesë në këtë projekt. Kjo i pasuroi shumë fermerë të vegjël të fshatit, duke përfshirë edhe Zhao Bosheng-un, të ardhurat vjetore të të cilit arritën në mbi 100 000 juanë.
Pas këtij suksesi, Zhao ishte nismëtar i ndërtimit të një ferme perimesh të standardizuara. Zhao gjithashtu arriti të gjente kanale shitjesh të drejtpërdrejta në shkollat dhe universitetet e provincës Shandong.
Familja e Zhao Lianjie-së tani ka tre serra perimesh. Zhao Lianjie e la punën e krahut në qytet dhe u kthye në shtëpi për të ndihmuar:
"Ne i shmangëm ndërmjetësit dhe vendosëm lidhje të drejtpërdrejta me universitetet. Kjo bën që çmimet e prodhimeve të fermës sonë të jenë më të larta."
Tani Zhao Bo dhe bashkëfshatarët e tij po zhvillojnë turizmin në fshat, që përfshin ndër të tjera dhe vjeljen e frutave dhe blerjen e perimeve. Zhao ka në plan t'i rrisë të ardhurat vjetore të fshatarëve në mbi 100 mijë juanë:
"Mendoj se na duhen edhe tre vjet të tjerë për ta arritur këtë. Ne duhet ta zgjerojmë më tej biznesin e rritjes së derrit dhe të nxitim qiramarrjen e tokës bujqësore, për të realizuar zhvillimin në shkallë të gjerë të bujqësisë, me qëllim që të ardhurat e fermerëve të përmirësohen ndjeshëm."
Të moshuarit e fshatit vendosën të lëshojnë me qira tokën e tyre, në mënyrë që të rinjtë të merren me bujqësi. Ata nga ana tjetër marrin 300 juanë qira në muaj. Zhao Bo gjithashtu arriti të mbledhë fonde për të paguar pensionet e të moshuarve. Po ashtu, janë ndërtuar banesa të reja ekonomike për fshatarët me të ardhura të ulëta. Zhuang Dianzhong është shumë i lumtur me shtëpinë e tij të re:
"Ashtu si ata që jetojnë në apartamente të mira në qytete, edhe ne mund të gëzojmë atë nivel të lartë jetese në qytezën tonë. Ne kemi ngrohje qendrore, ujë të ngrohtë dhe kuzhinë moderne. Gjithë duhet të bëjmë është të hyjmë në këto apartamente të bukura menjëherë. "
Pas dy vjet përpjekjesh, fshati ka pësuar ndryshime të mëdha. Cilësia e jetesës ka rritje dhe njerëzit janë më të pasur dhe më të lumtur. Plani i ardhshëm i Zhao Bosë është që të sjellë arsimin në fshatin e tij, si pjesë e ëndrrës së tij për fshatin e ri.