PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kryediplomati serb në Shqipëri
2012-10-26 21:22:13 CRI komenti juaj Printoni

Kryediplomati serb në Shqipëri

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiç ishte në Shqipëri, në vizitën e parë pas shumë vitesh të një kryediplomati serb.

Ai u takua me homologun shqiptar Edmond Panariti, me të cilin doli në një konferencë për shtyp të martën, ku deklaruan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar, ndërsa theksuan angazhimin për thellimin e bashkëpunimit.

"Marrëdhëniet tona janë përmirësuar në vite, duhet të zhvillohen në mënyrë më dinamike, më të hapur dhe më të sinqertë", tha Panariti.

Ndërsa Mrkiç theksoi se vendet e rajonit duhet të lënë pas problemet e së kaluarës dhe të përqëndrohen te gjërat që i bashkojnë.

"Qeveria e re e Serbisë është e vendosur të ketë lidhje të forta me Shqipërinë dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë, ndonëse e dimë se kemi pika thelbësore që nuk përputhen, por nëse zgjerojmë bashkëpunimin atëherë mendojmë se do të arrijmë të qartësojmë problemet e tjera", tha shefi i diplomacisë serbe.

Edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha bëri thirrje që të kapen shanset e humbura, duke kapërcyer dallimet e së shkuarës dhe hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Gjatë takimit me Berishën, shefi i diplomacisë serbe është shprehur se në këtë vizitë ai sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të qeverisë së re të Beogradit për popullin shqiptar. Berisha e ka siguruar Mrkiçin se qeveria shqiptare ka dhënë gjithmonë mesazhin e qartë të bashkëpunimit dypalësh, dhe se është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive, pasi kjo është në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian.

Dallimet mes dy vendeve - ka theksuar kryeministri Berisha - nuk duhet të bëhen pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.

Në këtë kuadër kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet në të gjitha aspektet. Kështu ndërtimi i autostradës Nish-Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën Qendrore, sipas Berishës, do të krijojnë hapësira të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen.

Por vajtja në Shqipëri e ministrit të jashtëm të Serbisë Ivan Mrkiç është pritur me protesta nga aktivistët e Aleancës Kuq e Zi. Fillimisht të hënën në aeroportin e Tiranës dhe më pas të nesërmen ata u pozicionuan para Ministrisë së Jashtme, teksa shefi i diplomacisë serbe po takohej me homologun shqiptar, Edmond Panariti. Aktivistët mbanin pankarta në mbështetje të Kosovës.

Një tjetër çështje që solli reagime ishte dhe ekzistenca e minoritetit serb në Shqipëri.

Ishte Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), e cila nëpërmjet një deklarate njoftoi se në ditën e parë të vizitës Mrkiç është takuar me përfaqësues të minoritetit serb, ndërsa ngriti shqetësimin e një përpjekje të mundshme nga ana e tij, për të krijuar artificialisht kauzën e një minoriteti serb, i cili ka përmasa modeste, të cilave nuk mund t'u jepet kurrfarë karakteri ndërkombëtar dhe që mund të krijojnë probleme në marrëdhëniet dypalëshe.

I pyetur nga gazetarët nëse ekziston minoriteti serb në Shqipëri, Mrkiç e pohoi një gjë të tillë.

"Lajmi është i saktë. Unë e kam njoftuar që më përpara ministrin Panariti se, ne kemi bërë takime me përfaqësuesit e disa shoqatave, sepse këtu në Shqipëri jeton një pjesë, një minoritet serb. Ata ndjehen qytetarë të Shqipërisë dhe ata janë besnikë të atdheut të tyre. Ata mundohen që të ruajnë trashëgiminë dhe gjithçka që i lidh me shtetin amë. Ne do të bëjmë gjithçka dhe do të japim ndihmë që ata të ndjehen sipas konventave që janë miratuar në Këshillin e Europës dhe në OKB", deklaroi Mrkiç.

Ndërkohë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Tiranë se kur Serbia do të kërkojë falje për genocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë, Mrkiç tha se kjo çështje u duhet lënë historianëve.

"Jam shumë i emocionuar kur përmendet fjala genocid. T'i referohemi sa më pak. T'ua lëmë historianëve këtë, kurse ne si qeveri dhe politikanë të vëmë në plan të parë gjithçka që na takon dhe të mos lënë që të përsëriten gjerat", u shpreh Mrkiç.

Ndërsa homologu i tij, Panariti deklaroi se "çështjet e Kosovës dhe Serbisë konsiderohen si çështje të dy vendeve sovrane".

"Në përfundim të procesit të dialogut, ne do të mirëpresim njohjen e Kosovës nga Serbia. Ky do të ishte një vullnet i shkëputjes nga e kaluara e dhunës, e represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit", tha Panariti. (Ardi Pulaj)

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China