Masa strikte për ilaçet
Drejtoria Administrative për Ilaçet në Pekin lëshoi me urgjencë një urdhër, në të cilin theksohet se për të parandaluar që ilaçet Efedrin të shfrytëzohen nga kriminelët për të prodhuar substanca narkotike, blerja e tyre në farmaci do të bëhet me kartë identiteti. çdo herë mund të blihen vetëm deri në pesë copë me paketim të vogël.
Në vitet e fundit, krimet e lidhura me drogën në Kinë kanë pasur një prirje rritjeje. Sipas statistikave, në vitin 2011 në gjykatat kineze mbërritën rreth 70.000 çështje penale që kishin lidhje me drogën, në krahasim me 38.500 në vitin 2007, një rritje prej gati 80%. Nga janari deri në maj të këtij viti, në gjykatat kineze mbërritën më shumë se 20.000 raste të tilla, një rritje prej 1,38%.
Teksa drogat tradicionale si heroina, kanë shënuar rënie, përqindja e metamfetaminës dhe drogave të tjera sintetike po rritet me shpejtësi të madhe dhe në disa zona këto lloj drogërash përdoren më shumë se heroina. Që nga viti i kaluar, në pjesën kontinentale e Kinës ilaçet kundra të ftohtit janë përdorur për prodhimin e drogave sintetike, kryesisht metamfetaminës.
Drejtoria Administrative e Ilaçeve në Pekin tha se do të kërkojë nga farmacitë që përpara se të shesin Efedrin të shohin letërnjoftimet e klientëve dhe në rast se vihen re raste të blerjeve me shumicë, të njoftojnë drejtorinë.
Drejtoria Administrative e Ilaçeve në Pekin saktëson se nëse një farmaci apo kompani është përgjegjëse për shitjet në sasi të mëdha të medikamenteve Efedrin, do të heqin liçencën e prodhimit dhe personat përgjegjës to të ndiqen penalisht.