Privatizimi i "Albpetrol", ofertat më 7 shtator
Ofertat e kompanive të interesuara për privatizimin e Albpetrolit do të paraqiten më datë 7 shtator. Ministria e Ekonomisë, ashtu sikurse pritej, ka shtyrë datën e paraqitjes së ofertave duke e lënë këtë pas verës, njëlloj sikurse ka vepruar edhe me privatizime të tjera.
"Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton se data e paraqitjes së ofertave, e specifikuar në Dokumentet Standarde të Tenderit për privatizimin e kompanisë 'Albpetrol' Patos, shtyhet nga 26 korriku 2012, ora 12:00 më 7 shtator 2012, ora 12:00″, thuhej në një njoftim të Ministrisë.
Shtyrja e datës së paraqitjes së ofertave për Albpetrolin nën zë u bë e ditur 10 ditë më parë, dhe kjo, edhe pse e argumentuar se është kërkuar nga kompanitë, më shumë tingëllon si një strategji e qeverisë për ta "kuotuar" shtrenjtë Albpetrolin nën ndikimin e kohës dhe rritjes së numrit të kompanive pjesëmarrëse.
Përfaqësues të Ministrisë ditët e fundit kanë deklaruar se numri i kompanive pjesëmarrëse që kanë shprehur interes për privatizimin e Albpetrolit është rreth 14, ndërkohë që deklarimi i një numri kaq të lartë flet për një pritshmëri të lartë të ardhurash të gjeneruara nga ky privatizim.
Albpetroli mbetet aktualisht "shpresa" e qeverisë për të ardhura të majme, pasi cilësohet si një privatizim strategjik, por kjo mbetet për t'u parë.
Në mbledhjen e zhvilluar me kompanitë e interesuara, zyrtarët dhe ekspertëtë e dikasterit të energjetikës kanë paraqitur një ekspoze të procesit të privatizimit, të drejtat e shtetit dhe të privatit pas shitjes së "Albpetrol", planin e biznesit, investimin, mjedisin e deri tek trajtimi i punonjësve, që do të dalin në asistencë.
Sipas zv/ministrit të ekonomisë, tregtisë dhe energjitikës, Enno Bozdo, rëndësi të veçantë për shitjen e këtij aseti të rëndësishëm publik, përveç ofertës ekonomike, kanë edhe komponentët e tjerë, si plani i biznesit, ristrukturimi dhe çështjet mjedisore.
Bozdo ka siguruar se procesi i privatizimit të kompanisë "Albpetrol" do të jetë transparent dhe i sigurt
Vala e privatizimeve pritet të fillojë në muajin shtator, duke u hapur me Albpetrolin e duke vazhduar më pas, më datë 10, me hidrocentralet Ulzë, Shkopet dhe më datë 13 me hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Këtë valë pritet që ta mbyllë privatizimi i paketës që ka qeveria të Albtelekomi, e lënë për paraqitje ofertash më 10 dhjetor.