Kinë – Rusi, manovrat ushtarake detare
Më 27 prill, përfunduan në qytetin bregdetar të Kinës Qingdao manovrat e përbashkëta ushtarake Kinë-Rusi "Bashkimi në det 2012". Këto manovra janë të parat midis forcave detare të dy vendeve.
Gjatë këtyre manovrave gjashtëditore, me objektivat e mbrojtjes së përbashkët dhe luftimit për mbrojtjen e vijës detare, të dyja palët zhvilluan operacione të shoqërimit të anijeve e të mbrojtjes së përbashkët kundër goditjes ajrore, kundër nëndetësve e kundër rrëmbimit të anijeve, si edhe veprime të përbashkëta të shpëtimit, të furnizimit e të goditjes me municion manovër kundër objektivave mbi e nën det dhe në ajër.
Siç mësohet, në këto manovra morën pjesë mbi 4000 ushtarakë kinezë dhe pesë destrojerë, ndërsa pala ruse ka dërguar shtatë anije ushtarake të tipave të ndryshëm.
Kjo është hera e parë që dy vendet realizojnë një stërvitje të tillë, ndonëse ka patur 4 bashkëpunime të mëparshme ushtarake që nga viti 2005.
Stërvitja përfshin një total prej 16 anijesh dhe 2 nëndetësesh të marinës kineze si dhe 4 luftanije nga flota ruse.
Eksperti kinez i ushtrisë Yin Zhuo u shpreh se stërvitjet janë një bashkëpunim konkret i teknologjive ushtarake.
"Një stërvitje anti-nëndetëse është një nga aspektet më konfidenciale për forcat e armatosura të çdo vendi. Stërvitja Kinë-Rusi në këtë fushë nënkupton
shkëmbimin e përvojës mes dy vendeve."
Turneu i Wen Jiabaos në Evropë
Më 26 prill kryeministri kinez Wen Jiabao mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Forumin e dytë Ekonomiko-Tregtar midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që u mbajt në kryeqytetin e Polonisë Varshavë. Ndër të tjera z. Wen vuri në dukje se, në kushtet kur rimëkëmbja e ekonomisë botërore ka baza të dobëta, Kina dhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore duhet të përballojnë së bashku sfidat, gjë që përputhet me interesat themelore të të dy palëve.
Kryeministri Wen propozoi që Kina dhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore të shtojnë në mënyrë të ndërsjellë hapjen e tregut dhe të bëjnë përpjekje që deri në vitin 2015 vëllimi i tregtisë ndërmjet tyre të arrijë në 100 miliardë dollarë.
Numri një i qeverisë kineze vuri në dukje gjithashtu se të dyja palët duhet të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë tregtinë, investimet, infrastrukturën, turizmin etj. Kina do të formojë Sekretariatin e Bashkëpunimit me vendet e Evropës Qendrore e Lindore, i cili do të përgjigjet për kontaktet, bashkërendimin dhe nxitjen e vënies në jetë të konsensusit të arritur ndërmjet të dyja palëve.
Në Forumin Ekonomik të Nivelit të Lartë të Qeverive të Europës Qendrore dhe Lindore me palën kineze, që zhvillohet në Varshavë të Polonisë, merr pjesë edhe zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
Aktiviteti organizohet nën kujdesin e kryeministrit kinez, Wen Jiabao dhe homologut të tij polak, Donald Tusk. Ky takim shoqërohet edhe me një forum për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Prandaj, sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në përbërje të delegacionit që shoqëron Haxhinasto në këtë aktivitet, marrin pjesë dhe përfaqësues të biznesit shqiptar.
Republika Popullore e Kinës është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, përfundon njoftimi për shtyp i MPJ-së në Tiranë.
Gjatë punimeve të forumit ekonomik midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës, që mbajt në Varshavë, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim me kryeministrin e Kinës, Wen Jiabao, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, me fokus në rritjen e konkretizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, njoftoi Ministria e Jashtme në Tiranë.
Haxhinasto nënvizoi se duhet të gjenden rrugët se si projektet e sotme, të kthehen në realitet në një kohë sa me të shkurtër.
"Tashmë, ka mjaft kompani kineze që janë të interesuara për tregun shqiptar, por kërkojmë që interesi dhe investimet kineze të rriten më tej në fusha të tilla si: energjia e pastër, burimet minerare, turizmi, etj.", tha Haxhinasto. Ndër projektet konkrete u përmenden hidrocentrali i Skiavicës, zona industriale, portet, etj.
Gjithashtu, sipas tij, është shumë i rëndësishëm hartimi i platformave konkrete për bashkëpunimin në fushën e arsimit, duke veçuar shkëmbimet studentore, institucionet për mësimin e gjuhës kineze, etj.
Kryeministri kinez Wen Jiabao u shpreh se është parësore që bashkëpunimi ekonomik të zhvillohet më tej në fusha të tilla si: infrastruktura, hidrocentralet, portet, apo zonat industriale. Në drejtim të bashkëpunimit në fushën e arsimit, ai tha se vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për përhapjen e kulturës dhe gjuhës kineze dhe hapjen e Institutit "Konfuci" në Shqipëri.
"Ne po punojme që të rritet edhe numri studentëve shqiptarë që të studiojnë në Kinë, apo kinezëve që të vijnë në Shqipëri", tha Wen.
Haxhinasto dhe Wen janë të mendimit se tashmë është koha që shkëmbimet turistike të rriten shpejt.
Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto gjithashtu pati një takim edhe me shefin e diplomacisë kineze, Yang Jiechi, ku u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve. Yang e ftoi Haxhinaston për një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës.
Vizita e Li Keqiangut në Evropë
Në paraditen e 26 prillit zv.kryeministri i Kinës Li Keqiang nisi turneun e vet të vizitave në Rusi, Hungari, Belgjikë dhe selinë e BE-së.
Tani Rusia ndodhet në fazën e kalimit të pushtetit. Presidenti i sapozgjedhur Vladimir Putin do ta marrë detyrën në fillim të majit. Në këto kushte, zv.kryeministri Li Keqiang bën vizitën e parë në Rusi në katër vjet të qenies së tij në këtë detyrë.
Lidhur me këtë, eksperti për çështjet ruse i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Jiang Yi shprehet:
"Mund të themi se vizita bëhet në rrethana të veçanta, kur në Rusi po ndryshon lideri. Si të mbahen marrëdhëniet e partneritetit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve në dhjetë vjetët në vijim, si të forcohet bashkëpunimi i gjithanshëm dhe të ruhet qëndrueshmëria e kësaj prirjeje, këto do të mësohen gjatë vizitës e takimeve të niveleve të ndryshme të Li Keqiang-ut në Rusi. Kina do të vazhdojë të njëjtin kurs si në të kaluarën dhe do të përpiqet për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve."
Nxitja e bashkëpunimit konkret është një pikë tjetër e rëndësishme e vizitës së numrit të dytë të qeverisë kineze. Zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Kinës kanë bërë të ditur që udhëheqësit dhe organet përkatëse të të dy vendeve do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e investimeve, të përpunimit të thellë, të prodhimit të përbashkët dhe të teknologjisë së lartë.
Krahas çështjeve dypalëshe, Kina dhe Rusia vitet e fundit kanë përshpejtuar ritmet e bashkërendimit edhe në probleme ndërkombëtare, si zgjidhja e krizës siriane dhe shtimi i zërit të vendeve në zhvillim lidhur me reformën e sistemit financiar ndërkombëtar. Bashkëpunimi i efektshëm kino-rus tregon nivelin e lartë dhe veçantinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.