PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Rritja e çmimit të karburantit; pakësohen bujqit dhe dënimi për vjedhjen në Pallatin e Dimrit
2012-03-23 17:14:52 CRI komenti juaj Printoni

Gjatë kësaj jave, u rrit përsëri çmimi i karburantit në Kinë. Një ton benzinë dhe naftë u rritën me 600 juanë. Kështu çmimi i karburantit në Kinë shënoi një rekord të ri të lartë dhe kjo do të ketë ndikim të thellë në shumë drejtime në Kinë.

Nën ndikimin e krizës bërthamore të Iranit etj., kohët e fundit, është rritur shumë çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar duke shënuar rekordin e ri këtë vit. Prandaj rritja e kësaj here e çmimit të karburantit në Kinë shkaktohet kryesisht nga rritja e çmimit ndërkombëtar. Autoritetet kineze u shprehën se rritja e çmimit të karburantit do të pengojë rritjen e tepërt të konsumit të naftës duke nxitur kursimin e energjisë.

Pas rritjes së çmimit të karburantit, shoferë të taksive u shprehën se shpenzimet mujore të lëndëve djegëse do të shtohen të paktën me 300 juanë. Të njëjtin mendim ndanin edhe shumë pronarë të veturave private. Për të ruajtur qëndrueshmërinë e çmimit të mallrave, autoritetet thanë se këtë herë nuk do të rritet çmimi i transportit publik dhe shoferët e taksive do të marrin subvencione nga qeveria.

Ekspertët janë të mendimit se rritja e çmimit të karburantit do të ndryshojë mënyrën e udhëtimit të qytetarëve. Disa prej tyre do të pakësojnë përdorimin e makinave private duke zgjedhur mjetet publike të udhëtimit si metronë apo autobuzët.

Rritja e kësaj here e çmimit të karburantit ka shkaktuar diskutime të qarqeve të ndryshme për reformimin e sistemit të caktimit të çmimit të karburantit në Kinë. Ka zëra që thonë se sistemi i tanishëm i caktimit të çmimit të karburantit në Kinë mbetet gjithmonë prapa ndryshimit të çmimit ndërkombëtar të naftës dhe se caktimi i çmimit të karburantit duhet të ketë parasysh më shumë interesat e konsumatorëve.

Me thirrjet për reformimin e sistemit të caktimit të çmimit të karburantit, organet kineze u shprehën se duhet të reformohet sistemi i tanishëm me qëllim që çmimi të reflektojë më mirë ndryshimin e kërkesë-ofertës në treg.

Specialistët u shprehën se tashmë Kina ka hyrë në periudhën e çmimit të lartë të karburantit dhe vendi duhet të marrë masa për të kursyer energjinë, duke shfrytëzuar më shumë energji të reja. (Fani/ Ardi Pulaj)

Ditët e fundit, 15 akademikë të Akademisë së Shkencave dhe të Akademisë së Inxhinierisë të Kinës i propozuan së bashku qeverisë qendrore të zgjidhë siç duhet problemin e tërheqjes së personave të ndryshëm nga sektori bujqësor.

Me zhvillimin e shpejtë të industrisë dhe të urbanizimit, krahu i punës në fshat, veçanërisht të rinjtë largohen nga fshati dhe përfshihen në sektorët jobujqësorë dhe fshatarët që merren ende me prodhimin bujqësor janë kryesisht gra, të moshuar e fëmijë.

Sipas statistikave, në disa krahina qendrore e perëndimore, të moshuarit 50 deri 70 vjeç zënë 80% të banorëve vendës. Në krahinat e zhvilluara, fshatarët e rinj nën 30 vjeç zënë vetëm 6% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në këto zona rurale.

Analistët vënë në dukje se kjo dukuri ka lindur për shkak se të ardhurat e punësimit në qytet janë më të mëdha se të ardhurat nga mbjellja e drithërave dhe të rinjtë në fshat nuk kanë ndonjë interes për prodhimin bujqësor. Specialistët janë të mendimit se si vendi me popullsi më të madhe në botë, mungesa e fshatarëve në Kinë është bërë një kërcënim për sigurinë ushqimore të shtetit. Pas 10 deri 20 vjetësh, ky problem do të jetë më serioz dhe ka mundësi të ketë ndikim negativ mbi botën.

Këtë herë, 15 akademikë propozuan se për të zgjidhur këtë problem, qeveria qendrore duhet të marrë masa të ndryshme si për shembull, përgatitjen e bujqve profesionistë, dhënien e subvencioneve për personat që merren aktivisht me prodhimin bujqësor, hartimin e politikave të favorshme për ata që merren me prodhimin bujqësor, shtimin e të ardhurave të fshatarëve, etj.

Specialistët shtojnë se ky problem do të ndikojë negativisht mbi zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kinës dhe se zgjidhjes së këtij problemi i nevojiten jo vetëm masat e qeverisë, por edhe bashkëpunimi mes qarqeve të ndryshme shoqërore. (Fani/ Ardi Pulaj)

Këtë javë një ngjarje tjetër që tërhoqi vëmendjen e opinionit në Kinë ishte dhe dhënia e dënimit për rastin e vjedhjes në Pallatin e Dimrit. Shi Baikui që vodhi 9 objekte të ekspozitës u dënua me 13 vjet burg.

Pallati i Dimrit është pallati perandorak i dy dinastive Ming e Çing të Kinës nga viti 1368 deri në vitin 1912. Në Pallatin e Dimrit që konsiderohet si pallati i parë ndër 5 pallatet më të mëdha botërore, koleksionohen mbi 1 milion relike dhe mbi 500 mijë libra të lashtë. Por shumica e pajisjeve të mbrojtjes së sigurimit u ndërtuan në vitet 90' të shekullit të kaluar dhe gjithsesi janë me teknologji të prapambetur për kohën e sotme. Më 8 maj të vitit 2011, Shi Baikui shmangu lehtësisht masat e sigurisë dhe vodhi reliket. Duke i shtuar edhe probleme të tjera, pas vjedhjes Pallati i Dimrit pati kritika të ashpra nga media.

Çështja e vjedhjes në Pallatin e Dimrit tërhoqi vëmendjen e shoqërisë kineze që bëri thirrje për mbrojtjen e relikeve. Në fakt, vitet e fundit, janë shtuar rastet e vjedhjeve në muzeume dhe kjo tregon se reliket e koleksionuara janë bërë objektiv i vjedhësve. Një funksionar i Pallatit të Dimrit u shpreh se ky pallat do të rrisë në mënyrë të gjithanshme nivelin e mbrojtjes dhe sigurimit dhe do të përsosë sistemin e kontrollit me mjetet e teknologjisë së lartë për të shmangur përsëritjen e rasteve të vjedhjeve.

Njëkohësisht këtë vit, Ministria e Sigurisë Publike e Kinës do të ushtrojë në 17 provinca aksione të posaçme për goditjen e personave të përfshirë në vjedhjen e relikeve. Krahas këtyre, specialistët vunë në dukje se duhet të rishikohet edhe "Ligji i relikeve" për të mbrojtur në mënyrë reale trashëgimitë kulturore të vendit. (Fani/ Ardi Pulaj)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China