II. Bashkohen dy kompanitë më të mëdha kineze të videove në internet
Më 12 mars, u shpall bashkimi i dy kompanive më të madha kineze të videove në internet, "Youku.com" dhe "Tudou". Kompania e re, që do të vijë nga bashkimi, do të quhet "Youku Tudou Incorporated". Lajmi tronditi uebsajtet e videove, madje edhe gjithë botën e internetit në Kinë.
Gjatë 10 vjetëve të fundit në Kinë ka pasur një zhvillim të vrullshëm të uebsajteve që ofrojnë shërbime me video. Si pionier kinez i uebsajteve me video, "Youku" dhe "Tudou" u ofrojnë përdoruesve shërbimet në ngarkimin, shikimin, shpërndarjen dhe shkarkimin të videove të shkurtra. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2011 të dyja kompanitë zunë dy vendet e para në tregun kinez të videove. Kështu, bashkimi i dy kompanive konsiderohet si bashkimi më i madh në fushën e internetit të Kinës.
Njoftohet se procesi i bashkimit të dy kompanive rivale do të përfundojë në tremujorin e tretë të vitit, kur "Tudou" do të tërhiqet nga tregu amerikan i aksioneve NASDAQ, ndërsa "Youku" do të vazhdojë të jetë në Bursën e Letrave me Vlerë të Nju-Jorkut. Të dyja kompanitë do të ruajnë markën e vetë dhe platformën e pavarur.
Opinioni kinez dhe ai i huaj tregojnë vëmendje të madhe për shkakun e bashkimit të të dy kompanive si dhe ndikimet që do të ushtrojë në degën kineze të videove.
Kryekomentuesi i Grupit të Mediave Financiare të Kinës "China Buziness News", Ma Hongman, vuri në dukje se bashkimi i dy kompanive bazohet në kërkesën e biznesit. Nga gjendja e funksionimit të dy kompanive, megjithëse u shtuan pandërprerë të ardhurat, humbjet ishin gjithashtu të mëdha. Kjo gjendje u shkaktua nga kostoja e madhe në blerjen e të drejtave të autorit. Kjo kosto do të ulet në përmasë të madhe pas bashkimit të dy kompanive.
Kryeredaktori i revistës kineze "China internet week", Jiang Qiping u shpreh se konkurrenca në degën e videove në Kinë ka qenë shumë e lartë vitet e fundit. Shumë kompani hynë në këtë degë dhe bënë ndërtim dhe konsumim të përsëritur. Një "kompani e madhe" e bashkuar është rezultati i konkurrencës në treg, që do të jetë në favor të zhvillimit të degës dhe gjithashtu, do të shpejtojë shkallëzimin e degës në nivelin më të lartë. Për ato kompani të cilat nuk përfshihen në tri vendet e para, rrugëzgjidhja e tyre është ose shitja ose shndërrimi në degë të tjera.
Kolumnisti i revistës "Forbes", Josh Noble shkroi në artikullin e tij se pavarësisht nga rezultati i keq gjatë vitit të kaluar, investuesit tregojnë prapëseprapë shpresë nga bashkimi i dy kompanive. Megjithëse bashkimi nuk do t'i sjellë fitime atypëraty, kjo kompani kineze e videove në internet, të paktën, do të bëhet një kompani e fuqishme dhe do të ketë rast për fuqizimin.
Specialisti vuri në dukje se kompania e re, "Youku Tudou Incorporated" do të bëhet drejtues i degës së videove në internet. Në të njëjtën kohë, si një nga kompanitë më të mëdha të internetit në tregun kinez, ajo do të japë kontribut edhe për shkallëzimin e industrisë së videove dhe për ngritjen e efektivitetit ekonomik.