Këtë javë para Festës së Pranverës, le të shohim se cilat tema kanë tërhequr më shumë vëmendjen.
Së pari, le të flasim për rritjen e urbanizimit. Popullsia kineze në qytet e tejkaloi atë në fshat.
Së dyti, në Kinë përdoruesit e internetit i kalojnë 500 milionët.
Së treti, do të flasim për uljen e vlerësimit mbi nivelin e kredisë të disa vendeve të Eurozonës.
Për herë të parë popullsia në qytet e tejkaloi atë në fshat. Sipas statistikave të publikuara të martën nga Agjencia Shtetërore e Statistikave e Kinës, deri në fund të vitit 2011, popullsia kineze në qytet arriti në 690.79 milionë, kurse ajo në fshat ishte 656.56 milionë. Ky është një monument në procesin e urbanizimit të Kinës.
Për një kohë të gjatë, popullsia në fshat zinte shumicën e popullsisë kineze. Për shembull në vitet '60 të shekullit të kaluar, popullsia në fshat zinte 80% të popullsisë së përgjithshme. Pas fillimit të reformës e të hapjes me botën e jashtme, është shpejtuar procesi i urbanizimit në Kinë dhe është thyer gradualisht pengesa midis qytetit e fshatit. Si rezultat, shumë popullsi fshatare ka lëvizur në qytet duke ulur vazhdimisht përqindjen e popullsisë fshatare në popullsinë e përgjithshme.
Tejkalimi i popullsisë në fshat nga popullsia në qytet është një pikënisje e re që do të sjellë ndryshime të thella në prodhimin, punësimin e jetën e kinezëve dhe njëkohësisht do të sjellë shumë probleme të reja.
Disa media thonë se urbanizimi i Kinës është ende një proces i gjatë, i cili duhet të përsoset më tej me rritjen dhe zgjerimin e infrastrukturës së nevojshme në qytete.
Pasi folëm për temën e popullsisë dhe rritjen e urbanizimit në Kinë, le t'i kushtojmë vëmendje internetit.
Sipas statistikave, deri në fund të vitit 2011, përdoruesit e internetit në Kinë i kanë kaluar 500 milionët. Njëkohësisht disa specialistë vunë në dukje se megjithëse po zhvillohet shumë shpejt, interneti në Kinë përballet me shumë sfida.
Numri i përdoruesve të internetit në Kinë është shumë i madh, por përhapja e tyre nuk është e barabartë. Përdoruesit e internetit janë kryesisht banorë të qyteteve kryesore, të rinj dhe njerëz që marrin arsimin e lartë, kurse në krahinat perëndimore dhe ndër të moshuarit e njerëzit e nivelit të ulët kulturor e arsimor, përqindja e përdoruesve të internetit është e ulët.
Prandaj në të ardhmen, autoritetet përkatëse kërkojnë të shpejtojnë ndërtimin e rrjetit të internetit dhe të ulin shpenzimet e përdorimit të tij, për të nxitur përhapjen.
Në vitin 2011, zhvillimi i shpejtë i mikroblogut tregoi zhvillimin dukshëm të internetit në Kinë. Tani mikroblogu është bërë një kanal për marrjen e informacioneve e për mbikëqyrjen demokratike.
Deri në fund të vitit 2011, përdoruesit e mikroblogut në Kinë arritën në 250 milionët, ky numër u shtu 3 herë në krahasim me vitin 2010. Në të ardhmen, rregullimi i administrimit të mikroblogut do të jetë një temë e re.
Në vitin 2011, edhe biznesi elektronik i Kinës u zhvillua shumë shpejt dhe konsumatorët kinezë që blejnë mallra në internet arritën në 194 milionët. Por në krahasim me vendet e zhvilluara, tregu kinez i biznesit elektronik ka ende hapësirë të madhe rritjeje. Njëkohësisht me zhvillimin e biznesit elektronik, janë shtuar shumë ankesat dhe të metat e sigurisë në internet. Prandaj krijimi i mjedisit të mirë të internetit për përdoruesit do të jetë një detyrë e vështirë.
Këtë javë, një temë tjetër që tërhoqi vëmendje ishte dhe kriza europiane e borxheve në Europë. Ndër 17 vendet e Eurozonës, vetëm Gjermania, Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda vazhdojnë të ruajnë kategorinë më të lartë AAA të shlyerjes së borxhit. Ndërkohë Agjencia e Vlerësimeve Standard&Poor's uli vlerësimin për 9 vendet e Eurozonës më 13 janar.
Për vendimin e Standard & Poor's ka pasur shumë reagime nga zyrtarë të BE-së. Zëdhënësi i Ministrisë holandeze të Financave u shpreh se "kjo tregon rëndësinë e një reforme strukturore në Eurozonë". Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se ky vendim tregon se BE-ja ka një rrugë të gjatë përpara për të rikthyer besimin e investitorëve.
Krahas këtyre, edhe kryeministri francez Fransua Fijon u shpreh se megjithëse niveli i kredisë i Francës është ulur dhe ai i Gjermanisë vazhdon në kategorinë AAA, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të ndryshojnë. Ai shtoi se të dyja vendet do të punojnë së bashku për nxitjen e integritetit financiar dhe reformën strukturore ekonomike në Eurozonë, për të përballuar krizën e tanishme.
Specialistë thonë se tani detyra e parë është realizimi sa më shpejt i masave për forcimin e disiplinës financiare në Eurozonë duke rivendosjen e qëndrueshmërisë në tregje.
Të dashur dëgjues, dëgjuat "Dy për shtatë", rubrikën me ngjarjet kryesore të javës mirë u dëgjofshim herën tjetër. (Fani)