Fillojnë punimet e Kongresit të 19-të Kombëtar të PPK-së

2017-10-18 09:04:42 CRI Komenti juaj Printoni

Në raportin e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping theksoi se duhet të sigurohet shkëputja e fshatarëve kinezë nga varfëria në vitin 2020. Për të realizuar këtë objektiv, Partia Komuniste e Kinës do ta nxisë partinë, shtetin dhe të gjithë shoqërinë të mbështesin të varfërit, të zbatojnë sistemin e punës nën drejtimin e qeverisë qendrore dhe të forcohet përgjegjësia e udhëheqësve përkatës.

Kina duhet të ndërtojë një sistem shëndetësor bazë gjithëpërfshirës dhe një sistem sigurimi shëndetësor sipas kushteve të vendit, theksoi të mërkurën presidenti kinez Xi Jinping, duke mbajtur raportin para Kongresit të 19-të.

Ai theksoi gjithashtu forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor dhe anulimin e sistemit të mëparshëm të shitjes së barnave nga spitalet.

Si bëri thirrje për përmirësimin e sistemit të furnizimit dhe të sigurisë së barnave dhe forcimin e punës për parandalimin e sëmundjeve të rënda.

Sekretari i përgjithshëm theksoi gjithashtu forcimin e politikave ekonomike e shoqërore për përballimin e sfidës së plakjes së popullsisë.

Kina do të shpejtojë formimin e kuadrit ligjor dhe të politikave që nxitin prodhimin dhe konsumin e gjelbër e me karbon të ulët, tha të mërkurën sekretari i përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping.

Vendi do të zhvillojë një sistem financiar që do të mbështesë projektet e gjelbra dhe forcojë parandalimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, theksoi Xi.

Ai u zotua se Kina do të marrë pjesë aktivisht në sistemin global të mbrojtjes së mjedisit dhe do të zbatojë projekte të mëdha në këtë fushë.

Raporti i sekretarit të përgjithshëm thekson gjithashtu forcimin e punës së institucioneve të administrimit të burimeve natyrore dhe të mbikëqyrjes së mjedisit.

Sipas parashikimeve të raportit, deri në vitin 2035, mjedisi ekologjik do të ketë një përmirësim të dukshëm, duke përmbushur objektivin e ndërtimit të një Kine të bukur.

Në raportin e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës vihet në dukje se trupat kineze duhet të përshtaten me prirjen e zhvillimit ushtarak botëror dhe me kërkesat e sigurisë shtetërore për të realizuar në vitin 2020 mekanizimin dhe informatizimin duke ngritur ndjeshëm aftësinë strategjike të trupave. Duhet të nxitet modernizimi i teorisë ushtarake, i organizimit të trupave, i ushtarakëve dhe i armëve me qëllim që në vitin 2035, të realizohet në përgjithësi modernizimi i mbrojtjes kombëtare e i trupave dhe të krijohet një ushtri e klasit të parë botëror.

"Një shtet, dy sisteme" është parimi më i mirë për ruajtjen e zhvillimit dhe të stabilitetit afatgjatë të Hong Kongut dhe Makaos, tha të mërkurën presidenti Xi Jinping në raportin e Kongresit të 19-të.

"Qeveria qendrore mbështet qeveritë e rajoneve të posaçme administrative që të zbatojnë detyrat e tyre sipas ligjit dhe të ndërmarrin veprime aktive për përmirësimin e nivelit të jetesës së popullit," tha Xi në raportin e tij.

Sekretari i përgjithshëm bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e procesit demokratik për të ruajtur stabilitetin shoqëror, mbrojtur kushtetutën, sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vendit.

Xi premtoi politika dhe masa lehtësuese për hyrjen e qytetarëve të Hong Kongut dhe Makaos në krahinat e brendshme të vendit.

Në raport theksohet parimi "qeverisja e Hong Kongut nga hongkongasit" dhe "qeverisja e Makaos nga qytetarët e Makaos".

Xi Jinping theksoi të mërkurën se Partia Komuniste e Kinës (PKK) ka vendosmërinë, besimin dhe aftësinë për të mposhtur përpjekjet separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" të çdo forme.

PKK-ja është e vendosur në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës dhe kurrë nuk do të lejojë që tragjedia historike e ndarjes kombëtare të përsëritet, tha Xi ndërsa komunikoi një raport në sesionin e hapjes të Kongresit Kombëtar të 19-të të PKK-së.

"Ne kurrë nuk do të lejojmë asnjë individ, organizatë apo parti politike, në asnjë moment apo formë, të ndajë ndonjë pjesë të territorit nga atdheu," tha ai.

"Njohja e fakteve historike siç është Konsensusi i vitit 1992 se të dy palët i përkasin një Kine hap rrugën për zhvillimin e dialogut dhe adresimin e shqetësimeve të popujve që jetojnë në të dy anët e ngushticës. Në këtë mënyrë asnjë parti politike apo grup në Tajvan nuk do të kenë vështirësi për të pasur shkëmbime me pjesën kontinentale," tha ai.

Konsensusi i vitit 1992 mishëron parimin e 'Një Kine' dhe përcakton thelbin e marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës.

Popujt e dy palëve janë të inkurajuar të punojnë së bashku për të promovuar kulturën kineze.

Në fjalimin e hapjes së Kongresit 19-të Kombëtar të PKK-së Xi Jinping tha se Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni ose të zgjerohet "pavarësisht fazës së zhvillimit që ajo arrin."

Ai shtoi se Kina nuk do të ndjekë asnjëherë rrugën e zhvillimit në kurriz të interesave të të tjerëve apo që zhvillimi i Kinës të përbëjë kërcënim për ndonjë vend tjetër.

Xi shtoi se Kina ndjek një politikë kombëtare mbrojtëse dhe mbetet e vendosur në ndjekjen e një politike të jashtme të pavarur të paqes. Por, shtoi ai, Kina kurrë nuk do të heqë dorë nga të drejtat dhe interesat e saj legjitime.

Xi tha se Kina ka zhvilluar në mënyrë aktive partneritete globale dhe ndan më shumë interesa të përbashkëta me vendet e tjera.

"Ne përpiqemi të mbështesim drejtësinë ndërkombëtare dhe të kundërshtojmë veprimet që imponojnë vullnetin e njërit ndaj tjetrit ose ndërhyrjen në punët e brendshme të të tjerëve, si dhe praktikën e të fortit që ngacmon të dobtin", tha ai.


1 2 3 4
Mrekulli
Lajmet Kryesore