PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shqipëria ndryshon rregullat për patentat
2012-07-20 19:52:43 CRI komenti juaj Printoni

Për shembull, në autoshkollë ata hasin fjalën "kambio", por në test kjo fjalë është "kutia e shpejtësisë". Me të marrë kontakt me Shoqatën e Autoshkollave filloi ngritja e procedurave të punës për ndryshimin e testit.

Së pari u hap gjithë praktikën e ndjekur për hartimin e këtyre pyetjeve, që kishin përfunduar në vitin 2008 dhe janë botuar dhe në libra nga ana e Drejtorisë. Që nga viti 2008 këto pyetje nuk ishin rishikuar. Grupet e punës morën edhe një historik të njerëzve që kanë hartuar këto teste dhe na rezultoi që pyetjet ishin hartuar me grupe të përbashkëta nga Drejtoria dhe Shoqata e Autoshkollave mbi bazë të udhëzimit të firmosur nga ministri i Transporteve. Rishikimi ishte i nevojshëm pasi ka kaluar kohë dhe, nga ana tjetër, po implementohen standarde dhe direktiva të BE-së, çka kërkojnë një përshtatje teknike të tyre. U ngrit grupi i posaçëm dhe u njoftua Shoqata për një takim të përbashkët, ku së bashku me një relacion përmbledhës, u është dorëzuar përfaqësuesve kopjet e CD-ve të të gjitha testeve të rishikuara.

Shkurtimi ishte nga 856 pyetje që ishin, në 745 pyetje, pra gati 111 pyetje të rishikuara. Një kopje e këtij dokumentacioni i ka shkuar MPPT-së, sepse dhe aty ka drejtori teknike që mund të japë objeksionet e veta.

Lidhur me testin përfundimtar pritet që çdo autoshkollë do të pajiset me të kundrejt një kostoje. Është vërejtur një fenomen që shumë autosholla kanë teste të ndryshme, që i kanë bërë persona me licencë mbi bazën e librit ekzistues. Pjesa teknike ndryshon, por kur një kursant ulet në një autoshkollë apo në një tjetër ka ndryshim dhe vërehet që edhe gjatë testit një ndryshim i vogël lë shumë mbresa dhe i krijon çoroditje. Pritet të bëhet kështu unifikimi i testeve. Me t'u miratuar, do të vendoset një tarifë që çdo autoshkollë, me dëshirë, ta ketë këtë test.

Kostoja do të jetë minimale, por, mbi të gjitha, do të jetë shumë e sigurt që kursanti do të gjejë të njëjtin standard. Një pjesë tjetër ku do të punohet në të ardhmen është edhe rregullimi i pikëzimit të studentëve. Kjo kërkon reformë, pasi Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka numrin më të madh të lejuar të gabimeve në testin e marrjes së lejes së drejtimit, me 25 për qind gabime. Në vendet e tjera janë 10 për qind, 9 për qind ose 8 për qind. Në 40 pyetje ka 4 gabime. Kurse Shqipëria në 40 pyetje ka 10 gabime. Kjo është një kërkesë e bërë edhe nga autoshkollat për uljen e gabimeve.

Pasi të përfundohet pjesa e përpunimit të testeve paralelisht ka nisur rishikimi i rregullores së funksionimit për regjistrimin e kursantëve në autoshkolla. Rregullorja nuk është se ka ndonjë ndryshim thelbësor, sepse në të vërtetë në të janë të përcaktuar hapat proceduralë dhe të standardeve në zbatimin e direktivave të BE-së në fushën e transporteve. Kryesisht, Shoqata e Autoshkollave insiston tek ulja e procedurave burokratike. Pra, nëse për marrjen e autorizimit për të ushtruar kursin praktik duhet të kalojë dokumentacioni në tri zyra, a ka mundësi që ky dokumentacion të kalojë në vetëm një zyrë. Kjo kërkon ndryshime edhe të rregulloreve të brendshme të punës dhe detyrave funksionale të vendeve të punës që kanë punonjësit.

Ka dy procese që ndodhin në Shqipëri. Një është ajo e rishikimit të bazës ligjore, por më i rëndësishëm është rishikimi i gjithë procedurës, nga ajo manuale me dorë, në elektronike. Kjo është pjesa më e vështirë, sepse jo vetëm që kërkon ndryshime bashkëkohore, por kërkon edhe përmirësim të strukturës së personelit. Nga ana tjetër, lidhur me kërkesën e heqjes së tarifës 20 mijë lekë që kanë kërkuar autoshkollat, ajo i është paraqitur Ministrisë së Transporteve sepse çdo tarifë është kompetencë e saj. Është bërë një raport i hollësishëm për heqjen e kësaj tarife, por në arkiva nuk ka të trashëguar arsyen pse është vendosur si tarifë. Lidhur me problemet që ka sektori i autoshkollave, ka pak që u përkasin aktorëve të jashtëm, por pjesa dërrmuese u përkasin aktorëve të brendshëm të vetë autoshkollave.

Ndërkohë qytetarët që do të aplikojnë për leje drejtimi së shpejti nuk do të hasin me burokracitë e tanishme. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor sqaron se aplikimi do të jetë me formular, por firma dhe shenjat e gishtave do të jenë dixhitale. Çdo e dhënë apo dokumentacion që nevojitet për lejen e drejtimit do të dërgohet në mënyrë elektronike nga drejtoria te linja e prodhimit dhe qytetarit leja do t'i dërgohet me postë ose tek autoshkolla ku ka bërë kursin, ose te drejtoria ku ka aplikuar.

Pas krijimit të regjistrit online të automjeteve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor është duke punuar për krijimin e e regjistrit kombëtar online me emrat e atyre që kanë një leje drejtimi.

Kjo, sipas kreut të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari, është në vijim të asaj që do të zbatohet në vitin 2013, kur hyn në fuqi edhe sistemi me pikë i patentës. Sipas Pinarit, regjistri aktual shfaq një sërë të metash, pasi nuk është pastruar dhe, mbi të gjitha, mënyra e regjistrimit është e tillë që aq kategori lejesh drejtimi që zotëron një individ, aq herë figuron në regjistër.

"Kryesor është ndërtimi i regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Ne kemi një handikap sot te regjistri aktual, sepse është i bazuar te numri i lejeve të drejtimit dhe jo mbi qytetarët dhe sa patenta ka ai. Pra, në rast se një qytetar ka shtatë kategori, ai figuron 7 herë në këtë regjistër, kur në fakt duhet të figurojë një herë me 7 patentat që ka. Ky është një sistem i trashëguar para vitit 2000. Do të bëhet ky regjistër, do të konsultohen këto të dhëna me ato të regjistrit të gjendjes civile për ta pastruar atë nga personat që kanë ndërruar jetë, që deri më sot nuk është bërë asnjëherë. Aktualisht ky regjistër ka 1 milion e 130 mijë qytetarë", shprehet Pinari.

Ai thekson se regjistri online merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se nga viti tjetër qytetarët do të mund ta aksesojnë për të parë gjendjen e tyre të pikëve. Ky është një sistem që do të zbatohet që nga mesi i vitit tjetër dhe që për drejtuesit e pakujdesshëm të automjeteve do të sjellë penalizime, të cilat kufizojnë mundësitë e të bërit gabime. Shkeljet e rregullave të qarkullimit sipas sistemit me pikë do të reflektohen menjëherë tek emri i qytetarit, i cili nëse humbet kufirin minimal të pikëve të lejuara, mund të rrezikojë edhe heqjen e lejes së drejtimit.

"Brenda muajit qershor të vitit 2013 ne duhet patjetër të implementojmë lejen e drejtimit me pikë. Natyrisht që të bëhet leja e drejtimit me pikë do të kërkojë një sërë procesesh shumë të hollësishme, që sikurse ju shpjegova, lidhet me ngritjen e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Në këtë regjistër do të aksesojë Policia, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe të gjitha institucionet e tjera, por edhe vetë qytetarët për të kontrolluar gjendjen e tyre të pikëve", shprehet Pinari.

Nga ana tjetër ai shpjegon se brenda janarit të vitit 2013, një tjetër kërkesë që duhet të implementohet është ajo e ekuivalentimit të lejes së drejtimit shqiptare me atë të BE-së.

Gjithçka, sikurse shpjegohet nga kreu i DPSHTRR-, lidhet me përafrimin që ka pësuar legjislacioni sipas direktivave, por edhe në funksion të lehtësimit të proceseve për qytetarët. Mes të tjerash, lidhur me uljen e burokracive. Sipas Pinarit, pritet që shumë shpejt të përfundojë edhe projekti i portalit online të financuar nga KE, që do të mundësojë që qytetarët të aplikojnë online për rinovim lejeje, marrje lejeje drejtimi të re apo çdo lloj kërkese shtesë.

Ndërkohë Parku i Automjeteve në vend është rinuar pas vendosjes së ligjit që dekurajonte përdorimin e makinave tejet të vjetra, të cilat taksohen më shumë për shkak të ndotjes. Të dhënat tregojnë se ka pasur një bum në importin e makinave të përdorura, por me një vjetërsi që mesatarisht është mbi 5 vjet përdorim dhe nën 10 vjet përdorim.

Çdo mjet që është mbi 3.5 tonë, i kategorizuar për transport mallrash, mjetet që bëjnë transport udhëtarësh, autobusë apo furgonë, të gjithë do të pajisen me kartën e tahografit. Kjo kartë, në fakt, do të jetë e veçantë për mjetin dhe e veçantë për drejtuesin e tij. Është ky një nga projektet e fundit që po implementohet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, i cili sërish është një kërkesë e BE-së në funksion të përmirësimit të transportit.

Drejtori i DPSHTRR, Arben Pinari, sqaron se aktualisht i gjithë procesi po ecën sipas parashikimeve dhe pikave të përcaktuara në planin e punës.

"Implementimi i projektit që lidhet me karta e tahografit për mjetin dhe drejtuesit po ecën mirë. Ne jemi në hapat e fundit për implementimin dhe ngritjen e ofiçinave të tahografit. Kemi përfunduar tenderin dhe kemi të përfunduar ndërtimin e ofiçinave në Fier dhe Durrës. Kemi lidhur kontratën me fituesin për furnizimin me kartat e takohrafit, që janë pajisje fjala e fundit. Do të bëhet instalimi dhe firma që do ta bëjë këtë është vetë fituesi, i cili do të kujdeset edhe për specializimin e stafit tonë. Vendosja e kartave të tahografit do të bëhet për një kategori të caktuar mjetesh, që janë: ato mjete që kalojnë mbi 3.5 tonë për transport mallrash, mjetet që bëjnë transportin e udhëtarëve, siç janë autobusët e mjetet 8+1, por edhe ato mjete të cilat kanë një kusht tjetër ligjor, që është të kalojnë mbi 50 kilometra rrezen e lëvizjes nga qendra e tyre", sqaron Pinari.

Përmes vendosjes së kartës së tahografit mund të bëhet një kontroll më i mirë i orëve të punës së drejtuesve të mjeteve. Kjo shmang tejkalimin e orëve të lejuara, që në raste të veçanta mund të përfundojnë në aksidente për shkak të lodhjes.


1 2 3 4
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China