PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shqipëria ndryshon rregullat për patentat
2012-07-20 19:52:43 CRI komenti juaj Printoni

Shqipëria ndryshon rregullat për patentat

Implementimi i disa ligjeve të përshtatura sipas direktivave të BE-së ka futur në fushën e transportit kërkesa të reja teknike, të cilat duhet të pasqyrohen edhe në testet e marrjes së lejes së drejtimit të automjetit.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, në shërbim të kësaj kërkese, por edhe të unifikimit të testeve për të aplikuar një standard për secilën autoshkollë, ndërmori së fundi rishikimin dhe përmirësimin e pyetjeve të testit për marrjen e lejes së drejtimit. Test i është dorëzuar Shoqatës së Autoshkollave për konsultim dhe për të marrë opinionin e saj. Përgjithësisht, ndryshimi është fokusuar në aspektin teknik dhe në përshtatjen e terminologjisë së huaj me atë shqipe standarde për të shmangur konfuzionin te kursantët. Nga ana tjetër, rishikimi i testit rezultoi me reduktim të pyetjeve, ku nga 856 që ishin aktualisht, janë 745, pra 11 pyetje më pak. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor është duke punuar edhe në një sërë projektesh paralele shumë të rëndësishme, thotë kreu i kësaj drejtorie, Arben Pinari në një intervistë për gazetën "Panorama".

Sipas tij, në muajin shkurt pati një peticion nga ana e Shoqatës së Autoshkollave, dega Tiranë, ku kërkohej për disa arsye të rishikohej kuadri ligjor i funksionimit të autoshkollave. Në muajin dhjetor u bënë ndryshimet në Kodin Rrugor dhe më datë 27 dhjetor hynë në fuqi, ku ndryshimi më i rëndësishëm ishte ai i futjes së patentës me pikë, pra që çdo qytetar do të aksesojë faqen e tij përmes internetit dhe do të shohë sa është gjendja e pikëve dhe mënyrat e penalizmit për shkeljet e rregullave të qarkullimit u bënë pak më të ashpra. Shoqata e Autoshkollave bëri një peticion ku paraqiste një sërë kërkesash, si: heqja e një tarife prej 20 mijë lekësh që ishte për licencimin, të rishikohej tarifa për rishikimin e komoditetit të mjetit, pra sa i përshtatshëm është komoditeti i mjetit për t'u përdorur për autoshkollë, si dhe kërkonin përmirësimin e legjislacionit të aktivitetit autoshkollë në bazë të normave të Komunitetit Europian. Këto ndryshime ishin bërë në dhjetor. Një tjetër kërkesë lidhej me përmirësimin e rregullores numër 9, që është një rregullore për përmirësimin e procedurave të regjistrimit të kursantëve, tarifat dhe mënyrën e procedurës administrative.

Tarifa e kursantëve është element i tregut të lirë dhe raportit të konkurrencës që autoshkollat kanë mes tyre. Tarifat shtetërore që detyrohet të paguajë kursanti janë të përcaktuara, ndërsa ato të autoshkollave jo. Këto të fundit tarifohen mbi bazën e aktivitetit që bëjnë, pranë organeve tatimore. Autoshkolla ka pasur vetëm një pagesë të vogël që prej vitit 2002 dhe paguan 20 mijë lekë për licencimin çdo vit. Në momentin që autoshkollat bënë këtë kërkesë, që më datë 15 janar u përcaktua që më datë 30 janar, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, të kërkohej rishikimi i kësaj tarife ose heqja e saj si dhe përmirësimin e testeve të kursantëve.

Testimi për marrjen e lejes së drejtimit zhvillohet që nga muaji nëntor për të gjitha kategoritë e lejeve dhe gjithçka bëhet përmes testeve në kompjuter. Këto teste i kanë të gjithë autoshkollat të instaluara në kompjuterët e tyre dhe gjatë mësimit, natyrisht që u bëjnë kursantëve teste stimuluese për të parë ku është niveli i përgatitjes. Shoqata e Autoshkollave në kërkesën e saj parashtronte reduktimin e disa pyetjeve që kishin përsëritje nga një kategori në tjetrën. Pra, pyetjet që binin në Kategorinë B, përsëriteshin në Kategorinë C, apo edhe CE dhe DE. Pra, shkurtimi i këtyre përsëritjeve të pyetjeve ishte kërkesa e parë.

Në teste gjithashtu kishte pyetje që pretendohej se nuk i përkisnin kategorisë ku po kërkohej leja e drejtimit, pra një pyetje e Kategorisë C binte edhe te Kategoria B. Duhej një ndarje sipas kategorive. Kërkesa e tretë që hasej më shumë lidhej sidomos me terminologjinë e pyetjeve. Duke qenë se janë pyetje specifikisht teknike, gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde, pasi krijohet konfuzion te kursantët.

1 2 3 4
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China