20150605ulliripj1 |
Shumë njerëz e përdorin vajin e ullirit nëpër gatime të ndryshme dhe sallata, por disa të tjerë epërdorin atë si një produkt kozmetik - Julia Roberts e cila përdor vajin e ullirit për lëkurën e duarve, ndërsa
Sofia Loren thotë se vaji i ullirit është ilaçi më i mirë për bukurinë e flokëve, pasi i ushqen dhe i shkëlqen ato.
Në pothuajse të gjitha recetat bimore (të përgatitura në kushtet e shtëpisë) si maskat e fytyrës dhe të flokëve nuk mungon vaji i ullirit. Ky produkt është i shkëlqyer si për përdorim të jashtëm, ashtu edhe të brendshëm. Ai është i pasur me vitaminat A, E, B, D, K, dhe të gjithë e dinë se ky vaj është tepër i dobishëm për lëkurën e të gjithë trupit, pasi përmban sasi të mire të vitaminës E.
Ulliri është pa dyshim një bimë mjekësore e mrekullueshme. Bima dhe lëkura e ullirit përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, temsionit të lartë të gjakut, etj.
Homeri vajin e ullirit e quante "ar i lëngshëm". Hipokrati vajin e ullirit e rekomandonte për shërimin e më shumë se 60 sëmundjeve. Fituesve në lojërat olimpike në kokë u vendoseshin kurora prej degëve të ullirit dhe u dhuroheshin amfora të mbushura me vaj ulliri, që atëherë ishte shumë i shtrenjtë.
Vaji i Ullirit është përbërës kryesor në dietën mesdhetare. Ai është lëng natyral që ruan shijen, aromën, vitaminat dhe përbërësit e ullirit. Studimet tregojnë se vaji ullirit ofron mbrojtje kundër sëmundjes së zemrës duke kontrolluar nivelet e kolesterinës LDL ("keqe") gjersa shtojnë nivelet e kolesterinës HDL ("të mirë"). Nuk ka vaj tjetër natyral i prodhuar që ka sasi më të madhe të yndyrave gjysmë të ngopura si vaji ullirit.
Funksionet mbrojtëse të vajit të ullirit kanë efekte të dobishme kundër ulcerës dhe gastritit.
Vaji i Ullirit dhe sëmundja e zemrës
Vaji Ullirit EXTRA VIRGIN që del nga shtypja e parë e ullinjve përmban nivele më të larta antioksiduese, veçanërisht të vitaminës E dhe fenolëve, për shkak se është procesuar më pak.
Vaji ullirit është një ndër vajrat e mira, vaj me yndyrë shëruese. Shumica e njerëzve nuk kanë probleme me të për shkak se nuk çrregullon proporcionin kritik të omega 6 ndaj omega 3-shit dhe se shumica e acideve yndyrore në vaj të ullirit janë në fakt vaj omega 9, që është gjysmë i ngopur.
Vaji i Ullirit dhe kanceri i zorrës së trashë
Hulumtuesit spanjollë sugjerojnë se nëse e fusni vajin e ullirit në dietën tuaj (në ushqimet tuaja) ofrohen edhe dobitë e parandalimit të kancerit në zorrë. Studimet e tyre tregojnë se minjtë e ushqyer me vaj ulliri ishin më pak në rrezik ndaj kancerit të zorrës se sa ata që janë ushqyer me vaj tjetër. Në fakt minjtë që janë ushqyer me vaj ulliri kishin përqindje të ulët të kancerit në zorre gati të njëjtë me ata që janë ushqyer me vaj peshku. Dhe disa studime tjera veç më e kanë lidhur vajin e ullirit me zvogëlimin e rrezikut ndaj kancerit në zorrë.
Llojet e vajit të ullirit
Në përgjithësi vaji ullirit nxirret nga shtypja e ullinjve (kjo dihet). Por, vaji i ullirit është në lloje të ndryshme, varësisht nga sasia e shtypjes që është përfshirë.
Extra Virgin – që konsiderohet më i miri dhe përmban vajin nga shtypja e parë e ullinjve.
Virgin – nga shtypja e dytë.
Pure – ndërhyn në procese filtrimi dhe rafinimi.
Extra light – ndërhyn në procese të shumta dhe mbanë vetëm pakë shije të ullirit.
Kur blen vaj të ullirit ju sigurisht dëshironi të bleni vaj të cilësisë së lartë EXTRA VIRGIN. Vaj i cili vjen nga shtrydhja e parë e ullinjve, nxirret pa përdorur kimikate dhe ka shije natyrale të ullirit. Sa më pak që procesohet ulliri aq më afër shijes natyrale dhe aq më i mirë e më i shëndetshëm është ai.
5 përfitimet shëndetësore nga ullinjtë e zinj
1. Shëndeti kardiovaskular
Antioksidantët tek ullinjtë e zinj luftojnë dhe parandalojnë sëmundjet e zemrës
2. Burim i mirë i hekurit
Ullinjtë e zinj kanë sasi të konsiderueshme hekuri. Aftësia e qelizave të kuqe për transportimin e oksigjenit në trup vjen si pasojë e prezencës së hekurit në gjak. Nëse keni mungesë hekuri, indet nuk furnizohen me sasinë e duhur të oksigjenit dhe për këtë arsye kemi shpesh ftohtë dhe ndihemi pa fuqi.
3. I mrekullueshëm për lëkurën
Ullinjtë e zinj janë të pasur me acide yndyrore dhe antioksidantë që mbrojnë dhe hidratojnë lëkurën. Mund të keni një pamje shumë të bukur nëse pas larjes së fytyrës aplikoni pak vaj ulliri dhe ta lini të funksionojë si me magji për 15 minuta përpara se ta lani fytyrën.
4. Përmirëson shikimin
Ullinjtë përmbajnë luteinë, një antioksidant i fuqishëm dhe karotenoid, që shkatërron radikalet e lira, mbron qelizat nga plakja e parakohshme dhe forcon retinën, duke përmirësuar shikimin.
5. Mban të shëndetshëm traktin digjestiv
Konsumi i shpeshtë i vitaminës E dhe acideve yndyrore që gjenden tek ullinjtë e zinj lidhen me uljen e riskut të prekjes nga kanceri i zorrëve. Këta ushqyes ndihmojnë në parandalimin e problemeve në zorrë si dhe luftojnë ulcerën dhe gastritin.
Çaji me gjethe ulliri
Gjethet e ullirit përdoren për sëmundjet infektive, duke përfshirë pezmatimet lokale të lëkurës që shoqërohen me skuqje lëkure dhe ekzemën Pra, ulliri është bimë me veti mjekuese të mrekullueshme dhe e njohur për vetitë dietetike dhe fitofarmaceutike. Në mjekësinë popullore përdoret lëvorja, gjethet dhe vaji i ullirit. Gjethet qëndrojnë në degët e ullirit gjatë gjithë vitit, por mund të mblidhen gjatë muajve dhjetor-shkurt dhe të ruhen të thara.
Përtypja e gjetheve të ullirit përdoret me sukses në shërimin e pezmatimeve në gojë si dhe në kontrollimin e djersitjes së tepërt.
Gjethet dhe lëvoret e degëve të ullirit përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike (kundër temperaturës së lartë të organizmit). Përdoren me rezultate të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet me temperaturë të lartë.
Kanë veti diuretike (nxjerrjen e ujit të tepërt nga organizmi) dhe ulin sasinë e sheqerit në gjak. Në këto raste përdoret çaji, i cili përgatitet si vijon:
"Merren 40-50 gjethe dhe vihen e zihen në gjysmë litre ujë deri sa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Çaji filtrohet, i shtohet sheqer pastaj pihet 1-2 filxhanë në ditë."
Çaji i përgatitur me gjethe ulliri ka dhënë rezultate të mira, sidomos në uljen e tensionit të lartë të gjakut, që është dukuri mjaft e shpeshtë tek ne. Për këtë preferohet: "Çaji fillimisht përgatitet me 20 gjethe ulliri në një litër ujë. Pastaj shtohen çdo ditë nga 5 gjethe derisa të arrihet numri prej 120 gjethesh pa e shtuar sasinë e ujit. Në të gjitha rastet çaji zihet deri sa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Prej tij pihen 2 gota; një në mëngjes para buke dhe një në mbrëmje para se të flemë."