20150407radha |
Sipas studimeve të shkencëtarëve japonezëve, konsumimi i perimeve para drithërave dhe mishrave mund të favorizojë uljen e sheqerit të gjakut dhe të pakësojë luhatshmërinë e sheqerit në gjak. Ky studim vërteton që kjo gjë është një mënyrë e shëndetshme jo vetëm për ata që vuajnë nga diabeti, por edhe për të tjerët. Prandaj, radha e ngrënies së ushqimeve mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve kronike.
Po çfarë mendimi kanë dietologët:
Sugjerimet nga dietologët japonezë:
1. Më parë duhet të konsumojmë perimet, kërpudhat dhe algat e detit, të cilat zënë gjysmën e sasisë të përgjithshme të vaktit.
2. Së dyti këshillohet të konsumojmë mish, peshk, fasule, produkte qumështi etj, të cilat na furnizojnë me proteina.
3. Në fund, konsumojmë oriz, bukë, makarona, patate etj, të cilat janë karbohidratet.
Sipas studimeve mjekësore mbi diabetikët, ata që konsumojnë më parë karbohidratet si oriz etj, kanë nivel mesatar të sheqerit në gjak 2 orë pas vaktit. Ata që konsumojnë më parë perimet para orizit, kanë nivel më të ulët të sheqerit. Në studimet që janë bërë tek personat e shëndetshëm, ata që konsumojnë më parë perime para orizit, gëzojnë edhe një ulje të ngjashme të sheqerit të gjakut.
Sipas sugjerimeve nga dietologët kinezë, radha e ngrënies duhet të jetë:
1. Perimet 2. Orizi 3. Mish 4. Supë
Dietologët kinezë besojnë se kjo radhë e ngrënies favorizon kontrollin e sheqerit në gjak.
Pika e përbashkët në sugjerimet e specialistëve japonezë (1. Perimet; 2. Mish; 3. Oriz ose bukë;) dhe specialistëve kinezë është që të konsumohen më parë perimet. Fibra dietike të pasura tek perimet zgjasin kohën e shpërbërjes së karbohidrateve, duke shtyrë thithjen e sheqerit në zorrë të vogël dhe shmangur ngritjen e shpejtë të sheqerit të gjakut pas vaktit. Arsyja e dytë mund të jetë se njerëzit pëlqejnë të hanë më shumë në fillim. Prandaj, duhet të hamë më parë ushqimet që përfshijnë më pak sheqer, si perimet.
Megjithatë, për të siguruar ekuilibrin e substancave ushqyese, duhet t'i kushtohet vëmendja e madhe dietave individuale. Për shembull, shtatëzënat që vuajnë edhe nga diabeti kanë nevojë për një dietë të posaçme, të pasur me llojshmëri ushqimesh.
Sot, disa specialistë të shëndetit propozojnë shtimin e përtypjeve gjatë ngrënies, që mund të sjellë më shpejt ndjenjën e ngopjes, duke pakësuar sasinë e ushqimit të konsumuar. Ky propozim na ofron disa metoda të reja për dietën e rregullt dhe përputhet me parimet e kontrollit të sasisë së ushqimeve për çdo vakt, sipas Mjekësisë Tradicionale Kineze.
Në librin e lashtë kinez "Bo Wuzhi", është shpjeguar marrëdhënia mes sasisë së ushqimeve të konsumuar dhe moshës. Autori i këtij libri Zhang Hua vuri në dukje se "nëse konsumoni më pak, do të keni zemër të shëndoshë dhe do të dukeni më të rinj; hani më shumë, do të keni probleme me zemrën dhe do dukeni më të vjetër seç jeni realisht."
Mjeku i njohur kinez i dinastinës Tang, Sun Simiao, mbi 100 vjeç, ka thënë se në çdo vakt nuk duhet të hani shumë ushqime. Është e shëndetshme që të konsumoni shpesh dhe nga pak. Në shoqërinë moderne, shumë njerëz duken më të rinj si pasojë e një diete të ekuilibruar. Në krahinat veriore të shkretëtirës së Saharasë, ka një fis të lashtë, anëtarët e të cilit konsumojnë pak ushqime për çdo vakt, por kenë trupa shumë të forta dhe shumë prej tyre duken më të rinj nga ç'janë realisht.
Çfarë pasojash ka organizmi nga mbingrënia?
Në librin mjekësor klasik kinez "Huangdi Neijing", janë shënuar se kur hani shumë ushqime që mezi do të treten, do të dëmtohen funksioni i stomakut dhe i zorrës. Mjekët më të lashtë kinezë kanë përmbledhur disa dëmtime që vijnë nga konsumi i ushqimit të tepërt:
1. Jashtëqitje dhe urinim i shpeshtë;
2. Mbipeshë;
3. Vështirësi në tretjen e plotë të ushqimit;
4. Ngrënia e tepërt ndikon cilësinë e gjumit.
Personat që duan të ruajnë shëndet të mirë, duhet të shmangin ngrënien e tepërt.
Disa njerëz mund të pyesin si mund të përcaktohet sasia e përshtatshme e ngrënies?
Në fakt, trupi ynë është një sistem i rregulluar në mënyrë perfekte, që mund të lëshojë sinjale të dukshme, ndjenjë ngopjeje, urie etj. Nëse i kushtoni vëmendje sinjaleve trupore, mund të kuptoni qartësisht ndjenjën e ngopjes. Kur jeni ngopur, edhe nëse ushqimi ju shijon këshillohet të ndaloni. Nëse vazhdoni ngrënien kjo mund të dëmtojë shëndetin tuaj. Këshillat e sotme janë për njerëzit e shëndetshëm dhe pa probleme me aparatin tretës.
Këto parime nuk duhet të zbatohen nga personat me probleme stomaku dhe të zorrës, ata me gastrit, ulçer etj, ose me sëmundje të tjera që ndikojnë funksionet e stomakut dhe të zorrëve.
Mjekët kinezë këshillojnë që të moshuarit të konsumojnë 4-5 vakte çdo ditë, për t'u plakur sa më shëndetshëm. (Xu Guang)