20140228tretjapj2 |
Ushqimi që konsumojmë përmban vlerat ushqyese që na japin energjinë dhe të gjitha elementët e tjerë që i nevojiten trupit për të funksionuar normalisht. Tek ushqimi ndodhen molekula, të cilat shndërrohen në elemente ushqyese nga trupi nëpërmjet procesit të tretjes. E thënë më thjesht, procesi i tretjes i "ndan" ato në një masë të atillë që mund të përthithen nga trupi.
Tretja ndodh në traktin gastrointestinal. Çdo gjë që ju hani kalon në këtë sistem, ku më pas përthithet nga zorrët. Më pas elementët ushqyes kalojnë në sistemin e qarkullimi të gjakut dhe transportohen në të gjitha indet për mirëmbajtjen e funksionit të organeve, për energji, po ashtu dhe për riparimin dhe rritjen e qelizave të reja dhe indeve.
Megjithëse në pamje të parë mund të duket i thjeshtë, mekanizmi i tretjes është i ndërlikuar. Kjo për shkak se ushqimi që ne konsumojmë ka masë, formë dhe përbërje të ndryshme.
Ushqimi është kompleks dhe përmban shumë tipe molekulash.
Ushqimi është një përbërje e komplikuar me lloje të ndryshme molekulash—proteinat dhe disa karbohidrate; molekulat në madhësi mesatare si yndyrnat dhe ato më të vogla ku përfshihen vitaminat, mineralet, sheqernat etj. Pjesa më e madhe e ushqimeve që konsumoni është një përzierje e të gjitha këtyre molekulave të ndryshme, dhe është detyra e trupit për t'i tretur ato.
Proteinat janë tepër të rëndësishme për oganizmin pasi ato përbëjnë shumicën e indeve strukturore në trup, si kockat etj. Meqënëse enzimat janë proteina, dhe enzimat janë molekulat që punojnë shumë në trup, si ndërtimi i indeve të reja apo largimi i indeve të dëmtuara. Proteinat transportojnë hormonet nga një vend në një tjetër.
Proteinat janë lëndë ushqyese shumë të rëndësishme, pasi përdoren pjesërisht për të krijuar energji dhe pjesa tjetër për ndërtimin e gjithë organizmit. Për shkak te funksionit ndërtues të tyre nuk është mirë që të keni mungesë proteinash, sidomos për fëmijët që janë në rritje. Proteinat mund të klasifikohen me prejardhje shtazore ose bimore. Proteina shtazore vjen nga kafshët dhe gjendet tek vezët, djathi, mishi dhe peshku. Proteina bimore vjen nga bimët dhe gjendet tek bizelet, fasulet etj.
Sa proteinë na nevojitet në ditë?
Një të rrituri i nevojitet rreth 40 deri në 65 gramë proteinë në ditë. Nëse nuk e merrni këtë sasi gjatë ditës nëpërmjet ushqimit, atëherë mund të keni probleme me muskujt e dobët, flokë të hollë dhe të dobët, sistem të dobët imunitar dhe shumë simptoma të tjera. Prandaj mos e nënvlerësoni dozën ditore të proteinave.
Një vezë psh, përmban 6 gramë proteinë. Megjithatë vezët janë gjithashtu të pasura në vitmaina si A, E dhe K po ashtu vitaminat B vsi B12, riboflavin dhe acid folik. Vezët përmbajnë gjithashtu të gjitha 8 aminoacidet që nevojiten për formimin e muskujve.
Yndyrnat, quhen ndryshe lipide, nevojiten për shumë funksione të rëndësishme në trup. Pa to qelizat tuaja nuk do kenë mbulesë. Yndyrnat përdoren për rritjen e energjisë, mbështesin sistemin imunitar, shëndetin e trurit dhe sistemit kardiovaskular.
Ka disa lloje yndyrnash, por vetëm disa janë thelbësore, pasi trupi nuk e ka aftësinë për ti prodhuar ato, kështu që do t'ju duhet t'i merrni nëpërmjet ushqimit. Ndër to futen acidet zndyrore omega-6 (acidi linoleik) dhe omega-3 (acidi linolenik), të cilat gjenden në sasi të larta tek arrat, farat dhe peshku.
Mishi përmban yndyrna, por ato nuk renditen tek yndyrnat e domosdoshme, pasi përmbajnë kolesterol. Niveli i lartë i yndyrnave të këqija dhe sasi e ulët e atyre të mira shkakton probleme me sistemin imunitar, arteriet dhe lëkurën.
Pa yndyrnat në dietën tuaj, nuk do të keni mundësi të përthithni vitaminat, po ashtu mund t'ju shfaqen probleme me mpiksjet e gjakut (mungesë e vitaminë K), dobësimin e kockave (mungesë e vitaminës D), ose probleme me sytë (mungesë e vitamins A).
Procesi i tretjes
Në procesin e tretjes përfshihen shumë organe, tërësia e të cilëve quhet sistem tretës, ku bëjnë pjesë goja, ezofagu, stomaku, zorrët etj. Organet si gjuha, gjendrat që prodhojnë pështymën, pankreasi, mëlcia dhe tëmthi janë organe që mbështesin procesin e tretjes.
Tretja nis që në gojë, ushqimi duhet përtypur mirë para se të kapërdihet. Kjo është gjysma e punës. Po ashtu shija e ushqimit nxit stomakun të prodhojë acid, një proces i quajtuar faza cefalike e tretjes. Më pas stomakun nis të përgatitet për tretjen e ushqimit që në momentin e përtypjes.
Pështyma sekretohet nga gjendrat e pështymës në gojë dhe ndihmon për lagështimin e ushqimit për të përmirësuar përtypjen.
Përtypja e mirë është shumë e rëndësishme. Me anë të këtij procesi lëshohen sinjale në tru për të nisur procesin e tretjes, duke nxitur stomakun të përgatitet për acidin.
Kur ushqimi nuk copëtohet si duhet, atëherë ekziston rreziku i mostretjes si duhet. Meqënëse enzimat e tretjes mund të funksionojnë vetëm me madhësi të caktuara, kapërdimi i menjëhershëm i ushqimit do të rezultojë me mospërthithjen e elementëve, por edhe ushqim shtesë për bakteriet në zorrë. Ky ushqim shtesë bakterial do të rezultojë në shtimin e bakterieve, gazrave dhe problemeve me tretjen, pra këshillohet të hani ngadalë dhe ta përtypni mirë ushqimin.
Çdokush prej nesh është hasur me probleme të tilla si të përziera, diarre dhe probleme të tjera me tretjen e ushqimit. Sot ekzistojnë disa përbërës natyrorë që ndihmojnë për tretje të mire.
Xhenxhefili
Xhenxhefili është një nga perlat e ushqimeve për ata që duan të largojnë problemet me tretjen dhe me dhimbjet e barkut. Edhe xhenxhefili mund të konsumohet i freskët, por gjithashtu edhe mund të zihet dhe të pihet si lëng. Rezultati do të jetë i kënaqshëm.
Kanella
Mund të ndihmojë për një serë problemesh me tretjen, nga mundimet e mëngjesit deri te diarreja dhe gazrat. Kanella stimulon sistemin e tretjes, dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Kanellën mund ta kombinoni me mollën, me mjaltin apo duke e shtuar edhe në çajrat bimore si kamomili ose xhenxhefili. Për diabetikët veçanërisht çaji me kanellë mund të përgjysmojë brenda një kohe të shkurtër nivelin e sheqerit. Shtoni gjysmë lugë çaji kanellë në një gotë me ujë të nxehtë dhe le të qëndrojë për pesë minuta para se të konsumohet. Mund ta rregulloni shijen me pak mjalt cilësor.
Mollët dhe dardhat
Mollët dhe dardhat janë të pasura me enzima dhe fibra, të cilat ndihmojnë në evitimin e problemeve të stomakut.