PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Gjumi, garancia e shëndetit
2013-08-02 16:08:01 CRI Komenti juaj Printoni

Pothuajse 1/3 e jetës sonë kalon në gjumë. Gjumi luan një rol shumë të rëndësishëm për shëndetin pasi gjatë tij, truri dhe trupi ynë shplodhet dhe rimerr energji. Kjo periudhë e pushimit na mundëson të "karikojmë bateritë" për aktivitetin e përditshëm.

Mjekët theksojnë se për persona të ndryshme, kohëzgjatja e gjumit është e ndryshme. Fëmijët kanë nevojë të flenë më shumë, sidomos të porsalindurit. Atyre u nevojitet 18-20 orë gjumë brenda një ditë-nate. Gjatë rritjes, kohëzgjatja e gjumit pakësohet gradualisht. Fëmijët e moshës 7-13 vjeç duhet të flenë 9-10 orë, sa gjysma e orëve të gjumit që kërkohet tek të porsalindurit.

Dikush mund të pyesë "përderisa gjumi është një lloj pushimi i trurit dhe trupit, përse tek fëmijët nevojitet më shumë gjumë? Ata nuk bëjnë shumë punë fizike apo mendore gjatë ditës."

Në fakt, gjatë gjumit sekretohet hormoni i rritjes. Një gjumë i mirë lejon prodhimin në sasi të duhur të hormoni të rritjes e për këtë arsye bebet e porsalindura duhet të flenë më shumë gjumë.

Prandaj, prindërit duhet t'i kushtojnë vëmendje të madhe gjumit të mjaftueshëm të fëmijëve të tyre. Fëmijët që nuk flenë gjumë mjaftueshëm, shfaqin simptoma të ndryshme si mërzitje, zemërimit, humbje oreksi e rrjedhimisht humbje peshe, do të grinden më shumë etj.

Dikush mund të pyesi se "kur fëmijët janë të lodhur, ata kanë prirje të flenë gjumë shumë shpejt. Po përse disa fëmijë kanë probleme me pagjumësinë dhe flenë vetëm pak orë? "

Shumica e fëmijëve që nuk flenë gjumë sa duhet, ndikohen nga shumë faktorë mjedisorë dhe të tjerë. Kryesisht nga zhurmat, zakonet jo të mira të jetës së përditshme si dhe sëmundjet e frymëmarrjes, lëkurës, dalja e dhëmbëve, etj etj.

Gjumi është i rëndësishëm jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, veçanërisht për femrat që duan të qëndrojnë të reja dhe të bukura. Sot do flasim për një metodë më efektive dhe me kosto zero për ruajtjen e bukurisë suaj. Sekreti për këtë është flini mjaftueshëm, pasi gjatë gjumit aktivizohet shumë procesi i riprodhimit të qelizave të lëkurës.

Mund të bëni vetë ju një provë; shihuni në pasqyrë para gjumit dhe pas gjumit të ëmbël në mëngjes. Mund të zbuloni që fytyra dhe lëkura e trupit juaj është më e lëmuar dhe më e freskët, me më shumë vitalitet. Dhe kjo është metoda më natyrore dhe më e shëndetshme e mundshme për bukurinë tuaj, gjumi i mjaftueshëm.

Por dikush tjetër mund të pyesë, "sa orë gjumë duhet të flemë brenda një nate? Cili është orari më i përshtatshëm për gjumin e ëmbël?

Më poshtë, do t'ju tregojmë më hollësisht mbi gjumin e bukurisë dhe gjumin e shëndetshëm.

Sot në Kinë preferohet shumë fjala, "Meirong Jiao", "Meirong" do të thotë "bukuri" ose "ruajtja e bukurisë", "Jiao" do të thotë "gjumë", "Meirong Jiao" do të thotë "gjumi i bukurisë". "Gjumi i bukurisë" nis nga ora 22:00 deri në 02:00 të mëngjesit, meqenëse gjatë kësaj periudhe trupi ynë bën detoksifikimin.

Duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë të çmuar jo vetëm për bukurinë, por edhe për shëndetin tonë. Dikush mund të pyesë se pse "gjumi i bukurisë" zgjat për kaq pak orë, vetëm 4 orë.

Kjo nuk është e mjaftueshme për një natë. Ju keni të drejtë, "gjumi i bukurisë" thekson vetëm 4 orët më të rëndësishme të gjumit. Nëse ngarkoheni me shumë punë gjatë ditës, mos i shfrytëzoni këto 4 orë për punë, veçanërisht për femrat që duan bukuri. Më poshtë do t'ju flasim mbi konceptin tjetër, gjumi i shëndetshëm.

Mjekësia tradicionale kineze thekson se gjumi i shëndetshëm nis nga ora 21:00 dhe zgjat deri në 5:00 të mëngjesit. Por, sot jeta dhe aktiviteti ynë ka ndryshuar shumë nga e kaluara. Prandaj, është pak e vështirë që të zbatohet orari i gjumit që sugjerohet nga mjekësia tradicionale kineze, pra vënien e kokës në jastëk në orën 21:00.

Sipas shpjegimeve nga vepra klasike e mjekësisë tradicionale kineze, orari i gjumit duhet të rregullohet gjatë 4 stinëve, meqenëse klima është e ndryshme.

Në pranverë, duhet të flemë pak vonë dhe të ngrihemi herët. Pranvera është stina e lindjes. Kafshët zgjohen nga gjumi, lulet dhe pemët çelin në këtë stinë. Prandaj, fjetja e vonë dhe zgjimi herët në pranverë nxitin qarkullimin e energjisë së brendshme trupore, duke përfituar shumë vitalitet nga drita dhe aroma e freskët e pranverës. Orari i gjumit të pranverës nis nga ora 22:30 dhe përfundon në 6:00 të mëngjesit.

Gjatë stinës së verës, gjumi ynë duhet të jetë më i shkurtër, për shkak se dita është më e gjatë dhe nata më e shkurtër. Në fakt, shumë shqiptarë, por edhe banorë nga e mbarë bota kanë dëshirë që gjatë verës të shijojnë rrëzet e diellit dhe të zhvillojnë shumë aktivitete argëtuese. Gjatë verës është mirë të shkojmë për të fjetur rreth orës 23:00 dhe të zgjohemi në 6:00 të mëngjesit.

Gjatë stinës së vjeshtës, duhet të flemë herët dhe të ngrihemi herët. Vjeshta është stina e korrjes. Frutat e pemëve duhet të korren në këtë stinë. Aktivitetet e njerëzve do të pakësohen me uljen e temperaturave. Qarkullimi i brendshëm në trup do të jetë më i ekulibruar në këtë stinë. Prandaj, fjetja herët dhe ngritja herët mund ta favorizojnë ekuilibrimin psikik dhe fizik, i cili përputhet me karakterin e klimës së vjeshtës. Orari konkret i gjumit të vjeshtës fillon nga 21:30 dhe përfundon në 6:30 të mëngjesit.

Në dimër, duhet të flemë herët dhe të ngrihemi vonë. Dimri është stina e rezervës. Shumë kafshë hyjnë në letargji ose pakësojnë aktivitetet e tyre, për të rezervuar energji, në pritje të ardhjes së pranverës. Shumë pemë do të jenë pa gjethe. Fjetja herët dhe zgjimi vonë mund të jenë në favor të rezervës së energjisë dhe vitalitetit të jetës. Orari konkret i gjumit në dimër nis përpara orës 21:00 dhe përfundon pas orës 7:00.

Ju folëm për orarin e gjumit të shëndetshëm, si dhe përshtatjen e kohëzgjatjes së tij në orare të ndryshme, në stinë të ndryshme.

Duhet të theksojmë një parim të rëndësishëm të mjekësisë tradicionale kineze, veprimet e njerëzve duhet të përputhen me kërkesat e natyrës. Njerëzit nuk duhet të veprojnë në kundërshtim me natyrën. Mjedisi i natyrës na ofron shumë kushte të nevojshme të jetës, si ujë, ajër, diell etj. Kjo është metoda më e shkëlqyer e jetës për një shëndet sa më të mirë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China