20130711fytyre |
Ngjyra e verdhë e fytyrës: mund të shkaktohet nga disa ushqime të veçanta ose nga sëmundjet. Shumë fruta dhe perime, si karota, kungulli, spinaqi etj. përmbajnë shumë betakarotinë, që mund të shkaktojë zverdhjen e fytyrës pas ngrënies së shumtë të këtyre frutave dhe perimeve. Përveç shkaqeve ushqimore, verdhësia në fytyrë mund të vijë nga mëlçia e zezë, gurët në tëmth, fshika e tëmthit, kanceri i tëmthit etj.
Ngjyra e bardhë e fytyrës: haset te të sëmurët e prekur nga anemia (e shkaktuar nga kequshqyerja, sëmundjet e humbjes së gjakut etj), leukemia, sëmundjet e mushkërisë etj. Përveç kësaj, njerëzit që nuk dalin jashtë shtëpisë për një kohë të gjatë, mund të kenë fytyrë të bardhë.
Ngjyra blu e fytyrës: në më të shumtën e rasteve ngjyra blu e fytyrës vjen nga mungesa e oksigjenit. Sëmundjet e lindura të zemrës, dobësia e zemrës etj. mund të shkaktojnë ngjyrë blu të fytyrës.
Ngjyra e zezë: është treguese e sëmundjeve kronike. Mosfunksionimi kronik i veshkës, mosfunksionimi kronik i zemrës dhe i mushkërisë, cirroza e kanceri i mëlçisë së zezë etj. mund të shkaktojnë nxirjen e fytyrës. Sa më e errët të jetë ngjyra, aq më serioze sëmundja. Përveç kësaj, përdorimi i disa llojeve të ilaçeve kundër kancerit është arsyeja tjetër për nxirjen e fytyrës.
Ngjyra e kuqe: Shumë njerëz janë të mendimit se fytyra e kuqe është simbol i shëndetit, si pasojë nuk i kushtojnë vëmendje këtij sinjali të keqësimit të shëndetit. Skuqja në fytyrë mund të vijë nga zgjerimi i enëve të gjakut në fytyrë, që mund të shkaktohet nga emocionet, çrregullimet neurotike e ato endokrine dhe shumë arsye të tjera. Ja se cilat janë disa nga sëmundjet kryesore që shkaktojnë skuqjen në fytyrë:
Tensioni i lartë i gjakut: tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë zgjerim të enëve të gjakut në fytyrë.
Tuberkulozi: Të prekurit nga tuberkulozi kanë simptoma të lehta ethesh kronike, prandaj fytyra e tyre është e kuqe. Kjo lloj skuqjeje është më i dukshëm pasdite.
Skuqja e fytyrës nga menopauza: disa femra kanë simptoma të skuqjes në fytyrë gjatë periudhës së menopauzës. Në fillim të shfaqjes së kësaj simptome ato ndiejnë një lloj ngrohtësie në fytyrë, qafë dhe gjoks, më vonë kanë skuqje në fytyrë, e cila nuk zgjat shumë, vetëm 5-15 minuta. Simptoma mund të jetë më e theksuar pas emocionimit ose ngrënies dhe mund të shoqërohet me djersitje dhe frikë nga të ftohtët, disfori (gjendje mosqetësie), depresion dhe ankth. Nëse është shumë serioze, femrat e prekur nga kjo simptomë s'mund të flenë mirë. Kjo simptomë mund të quhet sindroma e periudhës së menupauzës. Përdorimi i ilaçeve me estrogjen ka efekt të mirë për këtë sindromë.
Skuqja e fytyrës nga tumori karcinoid: ky tumor mund të shkaktojë skuqje të lëkurës së fytyrës, qafës, duarve e këmbëve. Emocionet, mbiushqyerja, pijet alkoolike dhe heqjet e barkut mund të jenë shkaqe nxitëse të tumorit karcinoid. Ky tumor ka edhe sindroma të tjera në sistemin gastrointestinal, të frymëmarrjes, nervor dhe zemër. Këto sindroma së bashku me skuqjen e lëkurës quhen "sindroma të tumorit karcinoid". Ato duhet të mjekohen në fazat e para me ndërhyrje kirurgjikale, që mund t'i largojë plotësisht. (Xu Guang/Artani)