PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Magjia e erëzave
2013-06-14 19:54:55 CRI Komenti juaj Printoni

Për shekuj me radhë erëzat janë përdorur si ilaçe natyrore, për shërimin e shpirtit, por shumica e tyre njihen për shije të bollshme dhe aroma të veçanta.

Ndoshta ajo çka ju nuk dini është se ka disa erëza që janë të mira për lëkurën tuaj dhe janë plot me antioksidantë të fuqishëm që në fakt mund t'iu ndihmojnë për të luftuar shenjat e plakjes së parakohshme dhe për të parandaluar dëmtimin e lëkurës.

Sipas portalit "living.al", këto janë 5 erëzat që duhen përdorur më shpesh:

Kopër: është veçanërisht efektiv për lëkurat e ndjeshme. Ai ndihmon në uljen e inflamacionit dhe skuqjes, si edhe zbut ndjeshmërinë e shkaktuar nga ekspozimi i diellit.

Karafili: ai është përdorur tradicionalisht nga dentistët për të mpirë gojën. Karafili ka veti antibakteriale gjë që e bën atë efektiv në pastrimin e thellë të akneve të lëkurës.

Piperi: ai rrit qarkullimin e gjakut dhe sidomos kur përdoret në vajra masazhuese. Kjo rritje e qarkullimit të gjakut ju mban të rinj dhe me një lëkurë të freskët.

Shafrani i Indisë: sipas studimeve të fundit, përbërësi aktiv në këtë erëz, lufton kancerin. Efektet e tij janë lufta kundër njollave të errëta dhe puçrrave të moshës.

Sherebela: përdorimi i rregullt i saj ndihmon në përmirësimin e procesit të rinovimit të lëkurës suaj. Ajo është e pasur me kalcium dhe vitaminë A, që rrisin qarkullimin e gjakut duke luftuar rrudhat dhe duke përmirësuar pamjen.

Erëzat përveçse i japin shumë shije ushqimit janë edhe shumë të dobishme. I tillë është speci i kuq djegës. Është vërtetuar se ai i shkatërron qelizat kancerogjene, ndikon në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe parandalon infarktin. Vlerat ushqyese të specit të kuq djegës janë të njohura. Ai është efikas gjithashtu në rastet e lëndimeve, të bllokimit të frymëmarrjes, ftohjeve, etheve, rritje të presionit të gjakut etj. Ka një teori që thotë se ai mund të parandalojë sulmet në zemër, nëse pacientit i jepet një gotë ujë të nxehtë të tretur me spec të kuq djegës.

Speci i kuq është i pasur me vitaminë A, vitaminë C, B2, B6, kalium dhe mangan. Po ashtu ai ndihmon edhe në dobësim.

Të mira të tjera të konsumit të specit të kuq djegës janë: ndihmon personat që kanë probleme me veshkat, është i mirë për kollitjet dhe dhimbjet e fytit. Ai gjithashtu shëron alergji dhe ka veti kundër bakteriale.

Nenexhiku është një bimë e njohur për vetitë e saj dobiprurëse në organizëm që në kohët e lashta:

Shumë kultura dhe tradita popullore i dedikojnë atij virtyte qetësuese, kundër kollës, kundër dhimbjeve dhe afrodiziakë. Në thelb, nenexhiku konsiderohet i tillë falë vetive shëruese të vajit të tij esencial, por edhe falë përbërësve si mentoli (42%), monoterpeni, seskuiterpeni, tanina, flavonidet, acidi ursolik dhe oleanolik.

Nenexhiku është i dobishëm për stomakun dhe ulcerën, përveç se përdoret si dezinfektues për faringit, bronkit dhe astmë. Mentoli, mendohet që kryen një veprim stimulues mbi oreksin, duke shtuar sekrecionet dhe fluksin e lëngjeve të stomakut. Shumë i përdorur është edhe çaji i nenexhikut, jo vetëm si pije e ngrohtë karakteristike e vendeve arabe, por edhe për gargare dezinfektuese për gojën dhe grykën, larje të fytyrës për të luftuar yndyrën e lëkurës. Esenca e nenexhikut, bashkë me sodën e bukës dhe kalciumin, përdoren për të përgatitur pastën e dhëmbëve.

Vetitë e nenexhikut, shfrytëzohen edhe për përdorime ushqimore, në veçanti për të aromatizuar pjatancat e sallatave, por edhe për prodhime të ëmbla, pije dhe likere.

Kopra ( Anethum Graveolens) është një bimë njëvjeçare, e familjes së Ombreliferëve, me origjinë nga Lindja e Mesme ( India dhe Persia). Nga kjo bimë përdoren si gjethet me ngjyrë jeshile në të kaltër, shumë të holla, ashtu edhe farat. Vaji esencial i koprës ka karakteristika aromatizuese, freskuese, tretëse dhe antiseptike.

Kopra kultivohet si bimë aromatike për t'u përdorur për marinim. Gjethet dhe farat e koprës përdoren sidomos në kuzhinën skandinave, për të shoqëruar vezët, peshkun, molusqet dhe patatet. Në kuzhinën Indiane kopra përdoret sidomos për pjatat e peshkut. Në kuzhinën italiane përdoret nëpër sallatat, mbi patatet e ziera, në marinimet, në salcat për peshkun, për supërat dhe mishin në grilë, por edhe me kosin, salcën e kosit dhe djathërat e freskët. Në vendet e Ballkanit përdoret me salcën e kosit, gjellë të ndryshme si ajo me patate e mish, gjellë me bizele, frikase, tavat e patateve, sallata etj.

Shafrani, që për shumë kohë ka qenë erëza më e shtrenjtë e botës, është kultivuar për herë të parë më se 35 shekuj më parë në provincat Greke, sidomos në Kretë.

Shafrani karakterizohet nga një shije e hidhur. Ai u jep një ngjyrë të verdhë ari gatimeve që përmbajnë shafran. Shafrani është i përhapur në recetat ushqimore në të katër anët e botës, sidomos në kuzhinën persiane.

Shafrani është një bimë e gjallë që lulëzon në periudhën e vjeshtës e që nuk ekziston në gjendje të egër.

Ekzistojnë varietete të ndryshme shafrani, ndër të cilat mund të përmenden varietetet spanjolle, me një ngjyrë dhe aromë më të buta, varietetet italiane, të cilat janë më të forta, ndërkohë që varietetet me aroma më të forta janë ato me origjinë nga Maqedonia Greke, Irani apo India.

Që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, në të gjithë botën, pjesa më e madhe e shafranit të prodhuar përdorej dhe vazhdon të përdoret në kuzhinë. Në mjekësi, dikur shafrani përdorej për kurimin e shumë sëmundjeve: për linë, murtajën etj. Sot shafrani mendohet të ketë efekte antioksidante dhe antikanceroze.

Përdorimi tradicional i shafranit si bimë mjekësore është shumë i njohur. Në Evropën mesjetare, shafrani përdorej për kurimin e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve të tilla si kollës, gripit, skarlatinës, lisë, kancereve dhe astmës. Gjithashtu, shafrani përdorej edhe për kurimin e sëmundjeve të gjakut, pagjumësisë, paralizës, sëmundjeve kardiake, problemeve të stomakut si dhe disa problemeve të syve. Persianët dhe Egjiptianët e përdornin shafranin gjithashtu si një afrodiziak, si një antisot kundër helmimeve, si një stimulant të tretjes apo si një tonifikues për dizanterinë dhe fruthin.

Përveç karakteristikave të tij anti-kanceroze, shafrani njihet gjithashtu edhe si një antioksidant, domethënë si një element anti-plakje. Ai neutralizon radikalet e lira.

Shafrani përdoret shumë në kuzhinat arabe, evropiane, indiane, iraniane dhe të Azisë Qendrore. Aroma e tij përcaktohet nga shefat e kuzhinës dhe specialistët e shafranit si një aromë që i ngjan mjaltit. Ai ndikon gjithashtu për ngjyrimin e verdhë portokalli të specialiteteve ku përdoret. Ai përdoret në djathëra, ëmbëlsira, likere, supa apo edhe në gatime me mish. Në Indi, Iran, Itali, Spanjë dhe vende të tjera, shafrani përdoret si erëz për orizin.

Shafrani përdoret edhe në ëmbëlsira apo për përgatitjen e pijeve alkoolike, sidomos në Itali.

Megjithatë, në rast se përdoret me doza shumë të mëdha, shafrani është i rrezikshëm.

Majdanozi është i pasur në vitaminë C, që ndikon në shëndetin e kockave, dhëmbëve, mishit të dhëmbëve...

Majdanozi, emri latin i të cilit është petroselinum, marrë nga greqishtja "petroselinon"që do të thotë selino e shkëmbinjve, sepse në shekullin e 13-të mendohej se selino dhe majdanozi ishin dy variante të së njëjtës bimë.

Majdanozi zbukuron gatimet me elegancë dhe finesë, praktikisht në të gjitha recetat me kripë mund të hidhet pak majdanoz, ai është plot shije dhe është një bimë me vlera të veçanta antioksidante.

Majdanozi normalisht nuk konsumohet në sasi të madhe. Përdorimi i rregullt i tij në ushqim bën të mundur që të furnizohet trupi me antioksidantë edhe pse me sasi jo shumë të mëdha.

Antioksidantët janë përbërës që reduktojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira në trup. Këto të fundit janë molekula të përfshira në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, disa llojeve të kancereve dhe sëmundjeve të tjera që lidhen me plakjen e organizmit. Mendohet se majdanozi i freskët ka veti antioksidante ndonjëherë edhe më të lartë se disa fruta dhe perime. Konkretisht elementët antioksidantë të majdanozit janë apigenina, luteina dhe beta-karotina.

Majdanozi njihet gjithashtu edhe për efektin e tij kundër erës së keqe.

Çdokush prej nesh ka nevoja të ndryshme për hekur. Çdo qelizë e trupit përmban hekur, një mineral themelor për transportimin e oksigjenit dhe formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Ai luan gjithashtu rol në prodhimin e qelizave, hormoneve dhe neurotransmetuesve të rinj. Duhet thënë se hekuri i bimëve nuk asimilohet nga organizmi po aq mirë sa ai i ushqimeve shtazore, megjithatë asimilimi i hekurit të majdanozit favorizohet nga prania e vitaminës C.

Majdanozi është i pasur në vitaminë C, një vitaminë që përveç efekteve antioksidante, ndikon në shëndetin e kockave, dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve. Për më tepër, ajo mbron edhe ndaj infeksioneve, ndihmon asimilimin e hekurit të bimëve dhe shpejton mbylljen e plagëve.

Majdanozi i dehidratuar është i pasur me magnez, i cili ndihmon në shumë procese metabolike dhe në parandalimin e dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira.

Në rast se konsumohet në porcione të vogla, majdanozi i jep organizmit ushqime të pakta, ndërsa në sasi të mëdha majdanozi është një burim i rëndësishëm nga pikëpamja ushqimore. Konkretisht, gjysmë filxhani majdanoz i freskët është një burim i mirë beta-karotine, folati dhe hekuri si dhe një burim i shkëlqyer vitamine C, ndërsa një filxhan majdanoz e furnizon organizmin me 90 mgr kalcium ose 9% të nevojave ditore.

Personat që përdorin medikamente kundër koagulimit të gjakut, duhet të konsultohen me mjekun për përdorimin e ushqimeve me përmbajtje të lartë vitamine K si majdanozi.

Kërcelli i majdanozit mund të kalohet në rende apo të pritet e të hidhet në sallatë, mund të hidhet në lloje të ndryshme supash apo gjellë të tjera, të skuqet, piqet apo zjehet e t'u shtohet patateve apo karotave, për shembull.

Gjethet e majdanozit mund të mbahen në pjesën e poshtme të frigoriferit, në një qese me vrima. Ose, për ta ruajtur më gjatë, majdanozi mund të vihet në një enë pjesërisht të mbushur me ujë që mbahet në frigorifer.

Kërcelli mund të mbahet disa javë në një qese me vrima në frigorifer, në sirtarin e perimeve, shkruan portali "living.al".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China