20160103yatouhang |
Më 25 dhjetor 2015 u krijua zyrtarisht me nismën e Kinës dhe pjesmarrjen e 57 vendeve Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII), një institucion monetar shumëpalësh i tipit të ri. Mbledhja e parë e Këshillit dhe e Bordit të bankës do të zhvillohet në mesin e janarit, gjë që tregon se kjo bankë do të fillojë përpjekjet për ndërlidhshmërinë dhe ndërtimin e infrastrukturës në Azi.
Propozimi për krijimin e Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore u paraqit nga kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping më 2 tetor 2013. Nga propozimi deri në nisjen zyrtare të veprimtarisë së saj, krijimi i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore u bë me ritme të shpejta dhe kjo i jep botës shpresë për të ardhmen e bankës. Guvernatori i parë i BAII-së Jin Liqun deklaroi se në tremujorin e dytë të vitit 2016 do të nisë sistemi i kreditimit prej 1.5-2 miliardë dollarësh amerikanë, në përputhje me kërkesat urgjente të vendeve në zhvillim. Cilat projekte përfshihen në kontingjentin e parë të kredive dhe nga vijnë fondet? Lidhur me këtë, Jin Liqun tha:
"Në kontingjentin e parë do të përpiqemi të përfshijmë disa projekte urgjente për vende azatike në fushat e energjisë elektrike, të komunikacionit (rrugë automobilistike, hekurudhë, porte detare), të ujësjellësit dhe të ndërtimit urbanistik. Fondet për këto objekte sigurohen në radhë të parë nga fondet ekzistuese të bankës, prej 100 miliardë dollarësh aktualisht dhe nëpërmjet këtyre fondeve, do të nxitim edhe fonde private dhe kapitale të institucioneve të tjera. Si P.Sh., fondet private e kanë të vështirë të realizojnë objekte infrastrukturore vetëm me kapitalet e veta, por ato mund të bashkëpunojnë me ne, duke pranuar studimet tona lidhur me projektet e ofruara nga ne."
Veprimet konkrete të kryera nga BAII prej më shumë se një vit kanë shmangur shqetësimet e palëve dhe kanë fituar përkrahjen e tyre. Opinioni publik i huaj kishte shprehur shqetësim se BAII-ja mund të sfidonte rendin ekonomik ekzistues dhe madje mund të bëhej një mjet politik i Kinës? Jin Liqun shpjegon situatën e Bankës lidhur me këto opinione :
"Procesi i përgatitjes së bankës ka patur përkrahje të madhe nga Banka Botërore, Banka e Azisë dhe banka të tjera. Të gjithë kanë ndarë të njejtin mendim se plotësimi i njëra-tjetrës, leverdia reciproke dhe fitimet e përbashkëta do të jenë perspektiva jonë."
Megjithëse në emërtesën e Bankës përfshihet "Azia", anëtarët themelues të BAII-së vijnë jo vetëm nga Azia, por edhe nga Evropa, Afrika, Amerika Latine dhe Oqeania, gjë që tregon se nisma e Kinës gëzon një përkrahje mbarëbotërore. Procesi i lindjes së BAII-së u ndikua edhe nga faktorët diplomatikë.
Pasi Kina paraqiti nismën për krijimin e BAII-së, ShBA-ja u përpoq t'i bindte aleatët e saj të mos anëtarësohen në këtë bankë, por më vonë, vende të ndryshme paraqitën me radhë kërkesë për tu bërë anëtarë themelues, pa përfillur këshillat e ShBA-së. Në mars të vitit të kaluar, Britania, e para ndër vendet perëndimore, u pranua si anëtare e BAII-së.
Kryetari i Klubit të 48 Grupeve, Stephen Perry, që është marrë prej kohësh me tregtinë britaniko-kineze, shprehu mendimin se Britania shpreson të bëhet anëtar themelues i BAII-së, pasi synon të kapë e para shansin në Azi.
"Britania e ka shumë të qartë se për shfrytëzimin e shanseve të Azisë duhet të marrë pjesë në institucionet aziatike."
Pastaj, Franca, Gjermania dhe Italia shprehën pothuajse në të njëjtën kohë vullnetin për tu bërë anëtarë themelues të BAII-së. Ministri i Financave i Gjermanisë Wolfgang Schäuble u shpreh se do të dëshironte të shfrytëzonte përvojën e tij në institucionet ndërkombëtare bankare në krijimin e BAII-së, në mënyrë që të krijohet një standard i nivelit të lartë për këtë bankë dhe prestigji i saj në botë të jetë i lartë.
Përballë ndryshimit të qëndrimit të aleatëve, presidenti amerikan Barack Obama u shpreh se ShBA-ja, nuk kundërshtoi dhe nuk kundërshton pjesëmarrjen e vendeve të tjera në BAII. Pse gaboi këtë herë ShBA-ja në strategjinë financiare? Heqja dorë nga BAII a do të shkaktojë humbje për të?
Për këtë, zv.drejtori i Institutit Kërkimor të Financave Ndërkombëtare pranë Bankës së Kinës, z. Zong Liang është i mendimit se ShBA-ja duhet të rregullojë me kohë politikën ekonomike të vendit dhe të përshtatet me prirjen e re.
"ShBA-ja ka pasur epërsi prej kohësh në mbarë globin, prandaj ajo merr parash vetëm këndvështrimin e vet, por shpërfill interesat e ndryshme të vendeve të tjera perëndimore. Vendet evropiane nguten të gjejnë pikën e re të rritjes ekonomike, ndërsa iniciativa e Kinës 'një brez dhe një rrugë' do të jetë një treg potencial relativisht i madh. Njëkohësisht, pjesëmarrja e RMB-së në këtë treg do të sjellë ndryshime të mëdha në tregtinë globale, gjë që do të ketë forcë të madhe tërheqëse për Evropën. Në këtë sfond, nëse ShBA-ja do të bëjë një rregullim të përshtatshëm, kjo do të jetë në përputhje me interesat e veta dhe të vendeve të tjera. Shpresojmë që ShBA-ja do të përkrahë nismën e re, që të realizohet fitimi i përbashkët."
BAII-ja është institucion shumëpalësh, i hapur dhe gjithëpërfshirës. Guvernatori Jin Liqun u shpreh se pranimi apo jo në këtë bankë nuk do të ndikojë në bashkëpunimin e kësaj banke me qarqet afariste të këtyre vendeve.
"Megjithëse ShBA-ja dhe Japonia nuk pranojnë të anëtarësohen në BAII, qarqet afariste, financiare dhe të ekonomisë reale kanë treguar interesa të mëdha për këtë bankë. Respektojmë vendimin e çdo shteti sovran dhe pavarësisht nga vendimet e tyre, kjo nuk do të ndikojë në bashkëpunimin me profesionistët e këtyre vendeve."
Duke folur për perspektivën e BAII-së, Jin Liqun shprehu vendosmëri dhe besim për funksionimin normal të bankës.
"Duke administruar këtë institucion, do të shfrytëzoj në maksimum përvojën time në institucionet e tjera. Do të përpiqem me të gjitha forcat dhe kam besim plotë, sepse përkrahem nga qeveria kineze, i gjithë populli kinez dhe besimi i shumë vendeve të tjera. Nuk do t'i zhgënjej në asnjë mënyrë." (Wang Lei)