PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë: Rritja e GDP-së, 6.9 % në 2015-n
2016-02-02 14:38:52 CRI Komenti juaj Printoni

Pak kohë më parë, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi një raport mbi gjendjen e përgjithshme të ekonomisë kineze në vitin 2015. Sipas raportit, vjet GDP-ja e Kinës shënoi një rritje 6.9 %, 0.4 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2014, që është niveli më i ulët në 25 vjetët e fundit. Ndërkohë, qeveria kineze ka shpejtuar procesin e ndryshimit të modelit të zhvillimit dhe rregullimin strukturor, për të pasur një zhvillim më efikas ekonomik.

Në fazën e kalimit nga rritja e madhe në rritjen e mesme, ekonomia kineze ka shënuar rritje me afro 7 %, duke dhënë një kontribut mbi 25 % në rritjen e ekonomisë botërore. Megjithëse rritja e GDP-së është ngadalësuar krahasuar me të kaluarën, me shtimin e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë kineze, tani çdo 1 % rritje e saj është e barabartë me 1.5 % rritje të para pesë vjetëve ose 2.6 % para dhjetë vjetësh. Lidhur me gjendjen e përgjithshme të zhvillimit ekonomik të Kinës, kreu i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Wang Baoan u shpreh:

"Duke parë rritjen më pak se 7 %, mendojmë që, megjithëse ritmet e rritjes janë ulur, gjendja bazë e stabilizuar nuk ka ndryshuar. Me anë të stabilitetit, gjendja ekonomike është zhvilluar e është përmirësuar dhe ekonomia kombëtare ende ndodhet në një fazë rritjeje të arsyeshme. Në fazën e re normale, të gjitha punët kryesore po zhvillohen në mënyrë të rregullt, si ndryshimi i modelit të rritjes, përmirësimi strukturor dhe ndryshimi i forcës nxitëse. Kjo tregon që rregullimi përshtatet me rregullat, ndryshimi përshtatet me prirjet dhe zhvillimi përshtatet me parashikimet."

Studiuesi i Zyrës së Konsulentëve pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Yao Jinyuan mendon që, pas rritjes së shpejtë prej më shumë se 30 vjetësh, baza e ekonomisë kombëtare, modeli bazë i zhvillimit ekonomik, gjendja e sektorit industrial dhe fuqia nxitëse e ekonomisë kanë ndryshuar shumë. Qoftë nga ana sasiore, qoftë nga ana cilësore, ekonomia kineze ka pasur ndryshime jashtëzakonisht të dukshme. Sipas studiuesit Yao Jinyuan, puna kryesore e Kinës në të ardhmen duhet të jetë përmirësimi i menaxhimit.

"Unë mendoj që më e rëndësishmja për ekonominë kineze është që të dalim nga modeli i vjetër i mbështetur në rritjen ekonomike. Ne nuk duhet t'i kushtojmë shumë rëndësi rritjes mbi 6.9 %, por ndryshimit të modelit të rritjes dhe rregullimit strukturor. Për shembull, vjet sektori i shërbimeve zinte mbi 50 % të ekonomisë kombëtare dhe kontributi nga konsumi për rritjen ekonomike ishte 66%. Gjatë 20 vjetëve të fundit, investimet kanë qenë fuqia e parë nxitëse për rritjen ekonomike. Kjo është arsyeja që ekonomia jonë përballet me luhatje të madhe. Në qoftë se konsumi bëhet forca kryesore për nxitjen e rritjes ekonomike, mund të parashikojmë që ekonomia kineze do të ketë një bazë të qëndrueshme," thotë Yao Jingyuan, studiues në Zyrën e Konsulentëve të Këshillit të Shtetit të Kinës.

Të dhënat tregojnë që, në vitin 2015, më shumë se gjysma e vëllimit të përgjithshëm të të ardhurave tatimore në Kinë erdhi nga sektori i shërbimeve, dhe pikërisht 54.8 %. Rritja e të ardhurave tatimore në këtë sektor zinte 80 % të rritjes përkatëse në të gjithë sektorët. Sipas raportit të Ministrisë së Tregtisë të Kinës mbi gjendjen ekonomike të vendit, gjendja e konsumit në mbarë vitin 2015 në përgjithësi ishte e përqëndrueshme dhe ka pasur luhatje të vogla.

"Mbarë vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë arriti 30.1 trilionë juanë, 10.7 % më shumë se në vitin 2014. Po të heqim faktorin çmim, rritja reale ishte 10.6 %, 0.3 % më pak se në 2014-n," thotë zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Shen Danyang.

Shen Danyang bën të ditur që bizneset e reja në Kinë kanë pasur zhvillim të vrullshëm në vitin 2015. Produktet me teknologjinë smart dhe ato të energjisë së re e të gjelbër janë shumë të parapëlqyera nga konsumatori. Shitja e automjeteve eletrike u rrit 3.4 herë dhe të ardhurat nga sektori turistik ishin afro 4 trilionë juanë.

"Viti 2015 ishte një vit shumë i ndryshëm në historinë e tregtisë së jashtme të Kinës. Sipas statistikave doganore, vjet vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës pësoi ulje me 7 %. Megjithatë, në shkallë ndërkombëtare, rritja e eksporteve kineze përsëri ka qenë më e madhe se e eksporteve të ekonomive kryesore dhe e ekonomive të reja të botës," vëren zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë Shen Danyang.

Në vitin 2015, Kina shfrytëzoi investime të huaja me një vlerë rekord prej afro 800 miliardë juanësh, 6.4 % më shumë se në vitin 2014. Vitin e kaluar në Kinë u formuan 26 575 ndërmarrje me investime të huaja, 11.8 % më shumë se në 2014-n.

"Sektori i produkteve të teknologjisë të lartë vazhdoi të rritet dhe shfrytëzimi real i investimeve të huaja ishte në vlerën 58.35 miliardë juanë, 9.5 % më shumë në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, në industritë me mbikapacitet , si ajo e hekurit dhe e çelikut, e çimentos, e aluminit elektrolitik etj., nuk u miratua pothuajse asnjë kërkesë nga kompanitë me investime të huaja," thotë Tang Wenhong, drejtori i Drejtorisë së Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë të Kinës.

Studiuesi i Qendrës së Kërkimeve Zhvillimore pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Zhang Liqun është i mendimit që në vitin 2015, në kushtet e ndërlikuar brenda dhe jashtë vendit, ekonomia kineze ia doli të ruajë rritjen e qëndrueshme, duke shënuar një rritje 6.9%. Kjo, sipas tij, nuk është një gjë e lehtë.

"Në vitin 2015, ekonomia kineze pati rënie, por u zhvillua me stabilitet. Kjo nuk është një gjë e lehtë dhe trysnia brenda e jashtë vendit ishte në të vërtetë më e madhe sesa parashikohej. Megjithëse kishte vërtet trysni, ekonomia kineze në përgjithësi nuk pati rënie të madhe. Nga 7% në tremujorin e parë deri në 6.8 % të tremujorit të 4-t, rënia në katër tremujorë ishte vetëm 0.2 %," vëren Zhang Liqun nga Qendra e Kërkimeve Zhvillimore e Këshillit të Shtetit.

Analistët janë të mendimit që viti 2016 do të jetë një vit me vështirësi për thellimin e reformës. Për një periudhë të shkurtër, ulja e kapacitetit industrial, pakësimi i rezervës së pronave të paluajtshme dhe eliminimi i ndërmarrjeve jorentabël do të ndikojnë në statistikat ekonomike, por nga një perspektivë afatgjatë, sipas tyre, gjendja ekonomike do të jetë pozitive. Zv.drejtori i Zyrës së Grupit Qendror Drejtues të Punës Financiare të Komitetit Qendror të PKK-së Yang Weimin thotë:

"Nga këndvështrimi afatgjatë, baza e ekonomisë kombëtare është pozitive dhe një gjë tillë nuk do të ndryshojë. Në të ardhmen, me rritjen e kërkesës së përgjithshme, do të shtojmë reformat strukturore lidhur me ofertën. Gjithashtu, do të marrim masa aktive fiskale dhe do të rritim investimet efektive nga qeveria, duke shtuar edhe shpenzimet efektive të qeverisë. Kështu që unë nuk besoj se, nga ana makroekonomike, do të ketë ndonjë problem."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China